Filmoi punonjësen e policisë teksa bënte dush dhe më pas i kërkoi para për të mos i publikuar pamjet.
Rasti shkoi në organet e drejtësisë, ndërsa prokuroria kërkon tre vite burg për shtetasin Mario Bici, 22-vjeç. I riu akuzohet për kanosje, pasi i ka kërkuar 500 euro punonjëses së policisë në Elbasan në këmbim që të mos publikonte pamjet.
Ngjarja është regjistruar më 24 gusht të vitit të shkuar, kur nga dritarja e banjës së shtëpisë njëkatëshe i riu ka filmuar me telefon policen R.L dhe më pas është larguar. Duke qenë e zhveshur në dush, viktima e filmimit nuk ka mundur ta ndjek të riun.
Dy ditë më vonë, ajo ka gjetur një letër tek dera e shtëpisë, në të cilën shkruhej: “Duhet të lini 500 euro pranë koshit të mbeturinave të zonës, në orën 22:00 të mbrëmjes së asaj dite, pasi në të kundërt pamjet e saj nudo në dush do të bëheshin publike në rrjetet sociale dhe në faqe të ndryshme interneti”.
Pasi bëri denoncimin në policisë, shtetasja R.L bashkë me kolegët nisën hetimet. Fillimisht, ata printuan 5 kartëmonedha 100 euro me numër serial dhe i futën në një zarf, të cilin e mori kallëzuesja, dhe para orës 22 të datës 26.08.2015, ajo me automjet shkoi tek koshi i mbeturinave, ku e kishte orientuar të hidhte zarfin letërshkruesi. I riu pranoi edhe akuzat. /Dita/
