Ekskluzive / Dokumentet arkivore të procesit gjyqësor ndaj “puçistëve në ushtri”. Prokurori citon dëshmitë e ushtarakëve madhorë Vaskë Gjino e Etem Halili kundër gjeneralëve të akuzuar
“Urdhri pa dijeninë e Enver Hoxhës. Dislokimi i ushtrisë jugosllave në zonën Korçë-Pogradec, në kuadër të synimit për bërjen e Shqipërisë, Republikë të 7-të të Jugosllavisë”
(Vijon nga numri i kaluar)
Në vazhdim të pretencës kundër gjeneralëve Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako e Rrahman Parllaku të akuzuar për “Tradhti të lartë ndaj Atdheut”, prokurori ushtarak Murat Kamani, thotë para Gjykatës së Posaçme Ushtarake me kryetar Aranit Çelën:
“Sikundër del nga provat materiale, nga thëniet e dëshmitarëve dhe pohimet e vetë të pandehurit, Beqir Balluku, që në vitin 1948 në kundërshtim me qëndrimin e Partisë tonë ka pranuar para Titos që të hyjnë në Shqipëri forcat jugosllave me pretekstin për të mbrojtur kufirin shqiptar që gjoja kërcënohej nga grekët në drejtim të Pogradecit, Korçës e Leskovikut. Kjo ishte pjesë përbërëse e komplotit të revizionistëve jugosllavë për ta bërë Shqipërinë një Republikë të shtatë të Jugosllavisë titiste. Kjo vërtetohet plotësisht me letrën që është administruar në dosjen hetimore si provë, material që është firmosur nga vetë i pandehuri Beqir Balluku. Ndaj gjeneralëve armiq, për probleme të tjera, kanë dhënë dëshmi të rëndësishme ushtarakët madhorë Vaskë Gjino, Etem Halili, etj, të cilat do ua paraqes në vazhdim”, -pohon mes të tjerave prokurori Kamani.
Shokë gjyqtarë!
Nën pretekstin e zgjidhjes së punëve të përditshme, apo të konsultimeve për probleme të ndryshme, këta puçistë, organizonin mbledhje të anëtarëve të Plenumit të Komitetit Qendror të Partisë që punonin në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, në të cilat merreshin vendime në ilegalitet, pa dijeninë e Partisë, pa aprovimin e saj dhe për çështje që i përkasin Komitetit Qendror të Partisë, Byrosë Politike, Këshillit të Mbrojtjes dhe vijës ushtarake të Partisë mbi mbrojtjen e vendit; nën pretekstin e karakterit specifik të ushtrisë punuan për ta kthyer ushtrinë në “një shtet brenda shtetit”, duke ngritur në qiell kultin e tyre dhe me anë gënjeshtrash u përpoqën të ulin vigjilencën dhe frymën revolucionare të masës së ushtarëve, kuadrove dhe komunistëve, duke synuar që të bëjnë sa më shumë njerëz për vete nëpërmjet përdorimit të formave të ndryshme të kompromentimit.
Grupi i komplotistëve në ushtri e ka zhvilluar veprimtarinë e tij armiqësore në mënyrë sistematike për një periudhë të gjatë, secili në drejtimet e detyrat që mbulonte në rrugë shtetërore e të Partisë. Kështu të pandehurit ju kundërvunë vendimeve e orientimeve të Partisë duke goditur rolin udhëheqës, drejtues e kontrollues të saj, ju kundërvunë masave që mori Partia për revolucionarizimin e ushtrisë me letrën e hapur; sabotuan masat e Partisë për mbrojtjen e vendit, në mënyrë të vazhdueshme dhe për një kohë të gjatë i hapën dyert literaturës në ushtri, ju kundërvunë ligjeve të shtetit, si kusarë vodhën dhe shpërdoruan pasurinë socialiste.
Puna armiqësore e këtyre komplotistëve me kalimin e kohës dhe hap pas hapi është bërë më e organizuar, më e koordinuar. Nga takimet dhe bisedat individuale kanë kaluar në forma organizimi më të perfeksionuara në mbledhje të rregullta të tyre dhe probleme konkrete. Nga marrëveshje të heshtura, sikundër është qëndrimi ndaj Letrës së hapur të Komitetit Qendror në marrëveshje të hapura sikundër janë materialet e zeza antitezë, nga veprimet në sektorë të veçantë siç është futja e literaturës së huaj, në veprime në shkallë ushtrie duke sanksionuar futjen e saj në të gjithë sektorët e jetës dhe ushtrisë pa përjashtim…
Veprimtaria armiqësore e grupit të komplotistëve që po gjykojmë, shokë gjyqtarë, është e lidhur ngushtë si me qëllimet, me kohën, ashtu edhe me rrugët, format e metodat dhe me veprimtarinë e grupeve të tjera armiqësore brenda vendit tonë. Një veprimtari mjaft të rrezikshme ndërmorën grupi armiqësor i Fadil Paçramit e Todi Lubonjës në lëmin e letërsisë, arteve e kulturës. Mjaft e rrezikshme dhe me pasoja, veçanërisht të rënda për Partinë e shtetin tonë qe veprimtaria armiqësore e grupit të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit, Pirro Gushos, Lipe Nashit, etj, e zhvilluar kjo në lëmin e ekonomisë.
Ndërsa komplotistët në ushtri punuan me tërë mundësitë për të realizuar planin e tyre armiqësor me forcën e armëve që u ishin besuar, grupi i Fadil Paçramit e Todi Lubonjës synonte të realizonte këtë nëpërmjet përhapjes kudo të ideologjisë borgjeze e revizioniste, ndërsa grupi i Abdyl Këllezit e Koço Theodhosit etj, nëpërmjet sabotimeve në ekonomi dhe burokratizimit të aparatit tonë shtetëror….
Për të realizuar qëllimet e tyre armiqësore, për të realizuar puçin ushtarak kundër revolucionar, kjo organizatë kriminale me të pandehurin Beqir Balluku në krye dhe me bashkëpunëtorë kryesor Petrit Dumen, Hito Çakon e Rrahman Parllakun, bazoheshin në ndihmën dhe përkrahjen e armiqve të jashtëm.
Cili ishte qëllimi i tyre? Çfarë deshën të bënin ata në vendin tonë? Sikundër u analizua më sipër, ky grup kishte për qëllim që pasi të likuidonin rolin udhëheqës të Partisë, të realizonin komplotin për të përmbysur pushtetin popullor, të merrnin pushtetin në dorë të tyre dhe të vendosnin kapitalizmin në Shqipëri. Pra, si Koçi Xoxe e gjithë plehrat e tjerë pas tij, dhe Beqir Balluku me shokë kanë ndjekur qëllime e kanë pasur synime të përbashkëta.
Interesante, shokë gjyqtarë, janë takimet e ndryshme që krerët e komplotit kanë pasur me krerët revizionistë jugosllavë e sovjetikë si dhe lidhjet e tyre. Sikundër del nga provat materiale, nga thëniet e dëshmitarëve dhe pohimet e vetë të pandehurit, Beqir Balluku, që në vitin 1948 në kundërshtim me qëndrimin e Partisë tonë ka pranuar para Titos që të hyjnë në Shqipëri forcat jugosllave me pretekstin për të mbrojtur kufirin shqiptar që gjoja kërcënohej nga grekët në drejtim të Pogradecit, Korçës e Leskovikut. Kjo ishte pjesë përbërëse e komplotit të revizionistëve jugosllavë për ta bërë Shqipërinë një Republikë të shtatë të Jugosllavisë titiste. Kjo vërtetohet plotësisht me letrën që është administruar në dosjen hetimore si provë materiale dhe që është firmosur nga vetë i pandehuri Beqir Balluku.
Po kështu, i pandehuri Beqir Balluku kur kthehej nga Kina, në vitin 1959 takohet me Konjevin, të cilit me ironi e përbuzje i flet për rolin e komiteteve të Partisë në ushtrinë kineze. Shtrohet pyetja: Si ka mundësi që një udhëheqës të flasë para një udhëheqësi të një vendi tjetër në këtë mënyrë? A mos ishin pikëpamjet dhe qëllimet e përbashkëta që i bënin kaq konfidenciale e pa teklif këto biseda? Të gjitha provat e administruara e vërtetojnë pikërisht këtë.
Mbi çfarë platforme politike dhe ideologjike i ndërton marrëdhëniet Hito Çako me ushtarakë të vendeve revizioniste, të cilëve u dërgon përshëndetje? Mos vallë vetëm pse kanë studiuar bashkë në Bashkimin Sovjetik? Jo, nuk janë këto arsyet e lidhjes së tyre, por janë pikëpamjet dhe qëllimet e përbashkëta kundër revolucionit dhe socializmit, janë armiqësia që ata kishin kundër udhëheqjes së Partisë dhe shtetit tonë, janë qëllimet e tyre për të përmbysur pushtetin popullor në Shqipëri, për të vendosur pushtetin e tyre borgjezo-revizionist…
Të pandehurit Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako e Rrahman Parllaku, tërë tehun e veprimtarisë së tyre armiqësore e komplotiste e drejtuan kundër rolit udhëheqës, drejtues e kontrollues të Partisë në ushtri. Ata u përpoqën me të gjitha mënyrat të venë organizatat, komitetet e Partisë dhe Drejtorinë Politike në ushtri nën komandën e tyre, t’i izolonin ato nga udhëheqja e Komitetit Qendror të Partisë, dhe t’i kthenin në organizma ‘speciale’ për qëllimet e tyre puçiste.
Shokë gjyqtarë. Procesi hetimor i zhvilluar kundër këtyre të pandehurve si dhe hetimi gjyqësor i çështjes, vërtetuan në mënyrë të plotë akuzat. Si pikënisje, për të ulur dhe likuiduar rolin e organizatave bazë të partisë, të pandehurit kanë drejtuar goditjen e tyre, në radhë të parë ndaj komunistëve me qëllim që të ulin kombativitetin e tyre, të dobësojnë frymën luftarake të tyre. Në takime apo biseda, në mbledhje apo nëpërmjet thirrjeve në raport, të pandehurit kanë bërë të gjitha përpjekjet që të fusin tek kuadrot dhe sidomos tek komunistët ndjenjën e frikës, u munduan t’u venë këmbën në grykë këtyre, t’u mbyllin gojën e t’i shtypin duke bërë çmos për t’i larguar nga detyrat e komunistit…
Të pandehurit, duke shkelur çdo normë të partisë si bajraktarë ushtarakë u përpoqën të venë nën këmbë Partinë në ushtri.
Të pandehurit Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, thotë në deponimet e tij Vaskë Gjino: “…kishin krijuar një hierarki të tillë që ndrydhte kuadrot në ushtri për të ngritur zërin lart për të metat dhe dobësitë që shikonin në ushtri… Në organizatën bazë të partisë bënin ligjin këta dhe atje vendosej gjithçka sipas dëshirës së diktatit të tyre”.
Dëshmitari Hetem Halili, në dëshminë e tij midis të tjerave ka shpjeguar se në një rast që u thirrën nga i pandehuri Hito Çako, ky u ka thënë:
”Ju kam thirrur vetëm të më dëgjoni e mos diskutoni. Ju jeni kot në repart, jeni guravecë. Si guxoni të kritikoni komandantin e repartit!?”
Dëshmitari Halili vazhdon duke shpjeguar: “Aty më thirri pastaj mua dhe më tha rri mirë se po ‘tu qepa, do të marrësh vesh se ku do të shkosh. Ai më tha, po, po do të shkosh atje në Komitetin Qendror, por pasi të japësh një herë llogari tek unë. Shkoni shpejt në brigadë dhe zhvisheni raportin për kritikat për komandantin. Dhe po e përsëritët, do të marr masa të rënda për ju, do ju shpërndaj fare si organizatë”.
Këto armiq, shokë gjyqtarë u përpoqën të vendosin një gardh të hekurt dhe të ndalonin në çdo mënyrë, çdo kuadër e komunist që ata të drejtoheshin apo të sinjalizonin për çështje të ndryshme Komitetin Qendror të Partisë duke ushtruar ndaj tyre presione.
Ja një nga rastet: Kur një oficer kishte shkruar e ishte ankuar në Komitetin Qendror për një problem të tij, Hito Çako e thirri dhe i tha:
”Çfarë do ti, Qemal Goliku që ngre probleme dhe ankohesh në Komitetin Qendror të Partisë!? Këtu jam unë Drejtor Politik i ushtrisë dhe do të bëhet ashtu siç them unë!”
NESËR DO TË LEXONI:
-Vazhdimin e pretencës nga prokurori Murat Kamani për gjeneralët Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako e Rrahman Parllaku lidhur me veprimtarinë armiqësore në Drejtorinë Politike të Ushtrisë.
-Pohimet në gjyq të të pandehurve Balluku, Dume, Çako e Parllaku dhe dëshmitarit Nane Kutra lidhur me aktivitetin armiqësor të fshehjes ndaj Partisë e Komitetit Qendror të problemeve që kishte në ushtri.
-Si e ngritën kultin e individit gjeneralët në ushtri dhe pakënaqësia e tyre për heqjen e gradave në ushtri.
