PD kërkesë Kuvendit për komisionin e reformës zgjedhore, Meta përgjigjet pozitivisht

Saimir Lleshi

Opozita i dërgoi një letër kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, duke i kërkuar atij që të përfshijë në mënyrë të menjëhershme në seancë ngritjen e komisionit të posaçëm për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Demokratët kërkojnë që kjo çështje të përfshihet më 28 janar.

“Përmbyllja në një kohë të shpejtë e Reformës Zgjedhore dhe reflektimi në legjislacionin shqiptar i të gjitha Rekomandimeve të OSBE/OHDIR-it apo shqetësimeve madhore të ngritura prej tij në raportet përfundimtare të viteve 2013 dhe 2015 për zgjedhjet në Shqipëri, është premisë e domosdoshme për të garantuar zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barabarta”, thekson PD-ja.

“Për sa më lart, kërkojmë marrjen e masave të menjëhershme për të garantuar fillimin e punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, bazuar në një proces transparent, gjithëpërfshirës dhe konsensual”, përfundon reagimi i PD-së.

Në përgjigje, kryetari i Kuvendit, teksa pranoi kërkesën e opozitës thotë se kërkesa do të miratohet në seancën më të afërt.

“Kryetari I Kuvendit z. Ilir Meta, në vijim të kërkesës së tij drejtuar Grupeve Parlamentare për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën zgjedhore dhe menjëherë pasi u njoh me kërkesën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për plotësimin e këtij komisioni me përfaqësues të Grupeve Parlamentare, shpreh bindjen e tij se ky vendim do të merret në seancën më të parë të Kuvendit, atë të datës 28 Janar 2016”, thuhet në njoftim.

“Kryetari i Kuvendit shprehet se Reforma Zgjedhore duhet trajtuar me seriozitet dhe në përputhje me frymën e rekomandimeve të OSBE-ODIHR dhe të kryhet në kohën e duhur dhe transparencë të plotë”, shton. /Dita/

 

Share This Article
1 Comment
  • Sala dhe Meta po mundohen qe t’i largohen reformes ne drejtesi! Sot jane keta te dy qe mundohen te luftojne demokracine ne Shqiperi! Keta jane mafia shqiptare ne pushtet!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *