Haga, krahas disa institucioneve të drejtësisë ndërkombëtare do të ketë edhe një qendër të re, e cila do të merret me luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.
Qendra ligjore do të shërbejë për koordinimin e luftës ndaj këtij fenomeni. Qendra Evropiane Kundër Terrorit, që zyrtarisht është hapur sot, është pjesë e institucionit të Bashkimit Evropian për bashkëpunim të agjencive të zbatimit të ligjit, i njohur si Europol.
Drejtori i Europolit, Rob Wainwright, tha se kjo qendër në Hagë të Holandës, do t’i ketë 40-50 ekspertë për kundërterrorizëm dhe do të merret me këmbimin e informacioneve, do t’i gjurmoj luftëtarët e jashtëm dhe burimet e financimit ilegal dhe armatimet.
Kjo qendër, po ashtu, do t’i ndihmoj vendet anëtare të Bashkimit Evropian në hetimet kundër terrorizmit.
Zoti Wainwright tha se më tepër se 5 mijë shtetas të vendeve të BE-së janë radikalizuar, duke luftuar për ekstremistët myslimanë në Irak dhe Siri, dhe se shumica prej tyre janë kthyer në shtëpi.
“Kërcënimi aktual kërkon përgjigje të fuqishme dhe ambicioze nga BE-ja”, tha shefi i Europolit, Rob Wainwright.
