Prokuroria e Fierit dha dje pretencën në Gjykatën e Rrethit dhe kërkoi dënimin me 35 vjet burg për të pandehurin Engjëll Hodaj, i akuzuar për “vrasje në rrethana cilësuese”.
Krimi ndodhi më 28 shkurt të vitit 2015, në fshatin Roms të Mallakastrës, kur vrau fqinjin e tij Eduart Zotaj dhe plagosi rëndë bashkëfshatarin Blerim Beqiraj, gjatë një sherri në lokal, fyerjeve dhe goditjes me shkelm të autorit të dyshuar nga pronari i dyqanit.
“Shkak për këtë ngjarje të rëndë ka qenë një debat i momentit ndërmjet autorit dhe viktimës, e të dëmtuarit, të cilët gjendeshin në një lokal të zonës”, ishte konkluzioni i organit të akuzës. Gjykata i ka lënë kohë palës mbrojtëse që të përgatisë konkluzionet për seancën e radhës, para se të shpallet verdikti final.
Midis pronarit të lokalit dhe të pandehurit Hodaj ka pasur një debat të çastit, pasi ky i fundit ka drejtuar fjalë fyese në drejtim të Sadik Beqirajt, i afërm i Muharremit, i cili nuk ka qenë i pranishëm në tavolinë, sepse ishte larguar. Muharrem Zotaj ka goditur me shkelm të pandehurin, duke e larguar nga lokali i tij. Pasi ka ilur Engjëlli, është larguar edhe Dilaver Begaj, i njohur me emrin Elton.
Kur kishin kaluar 10 minuta nga kjo përplasje, dëgjohet një breshëri automatiku drejt lokalit dhe shënjestër ishte tavolina ku qëndronin Muhamet Zotaj, Eduart Zotaj dhe Blerim Beqiraj. Pas breshërisë, dy të mbijetuarit kanë parë Eduart Zotajn që ka rënë përtokë dhe ka vdekur, kurse Blerim Beqiraj mbeti i plagosur dhe u dërgua në spitalin e Fierit. /Dita/
