Pas barazimit 0-0 në sfidën e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, Skënderbeu do të udhëtojë sërish drejt Shkodrës fundjavën e ardhshme, këtë herë për të sfiduar Vllazninë në kampionat.
Në ndryshim nga takimi i Kupës ky duel ka shumë më tepër rëndësi për korçarët, që kanë si objektiv kryesor në këtë sezon fitimin e titullit të 6-t kampion radhazi.
Në sfidën e parë për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, Skënderbeut i mungoi një sulmues si Hamdi Salihi, i aftë për të kthyer në gol çdo mundësi që mund t’i paraqitet.
Por në ndeshjen e kësaj fundjave, korçarët do të mund të mbështeten te bomberi shkodran. Hamdi Salihi është rikthyer nga Vjena, ku qëndroi për disa ditë pranë familjes së tij me leje të klubit, dhe që nga kjo e hënë është në dispozicion të trajnerit Mirel Josa.
32-vjeçari e ka lënë pas dëmtimin që pësoi në dorë pas një përplasjeje që pati me Alban Hoxhën në ndeshjen ndaj Partizanit dhe mund të zbresë rregullisht në fushë ndaj Vllaznisë së Armando Cungut. Për Salihin ai i kësaj fundjave mund të konsiderohet si një rikthim në Shkodër si kundërshtar pas pothuajse një dekade.
Ai ka luajtur ndaj Vllaznisë edhe në sfidën e fazës së parë, por në atë rast ndeshja mes shkodranëve dhe kampionëve të Skënderbeut u zhvillua në stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës, ndërsa këtë herë takimi do të luhet në “Reshit Rusi”.
Rikthimi në skuadër i Hamdi Salihit është një lajm i shkëlqyer për trajnerin e korçarëve Mirel Josa, pasi sulmuesi i Kombëtares shqiptare është golashënuesi më i mirë i Skënderbeut dhe gjithashtu i kampionatit me 14 finalizme në 18 javët e para.
