Stuhi kritikash në Rusi, Vladimir Putini kritikon Vladimir Leninin për Bashkimin Sovjetik

Saimir Lleshi

Presidenti rus Vladimir Putin kritikoi ashpër ish-diktatorin Vladimir Lenin, që sipas tij mbolli “bombën atomike në Rusi”.

Kritikat e tij u bënë gjatë ditës së djeshme dhe cilësohen si më të ashprat. Figura e Leninit është jo pak e simpatizuar, por me sa duket lideri i ri që qëndron në pushtet prej vitesh kërkon të vërë emrin e vet mbi atë të Leninit.

Putin ka folur edhe herë të tjera për ndikimin negativ të Leninit në historinë ruse, ndërsa deklaratat e fundit cilësohen si më të ashprat, të cilat u shprehën rastësisht në përvjetorin e vdekjes së tij.

Partia Komuniste e Rusisë në një reagim tha se nuk do t’ia falte presidentit Putin deklaratat e bëra. “Historia nuk do ta falë Putinin”, tha një deputet i Partisë Komuniste.

Agjencia shtetërore ruse “RussiaToday” shkruan se deklaratat e bëra nga Putin në takimin me aktivistë në qytetin jugor Stavropol kanë shkaktuar reagime të shumta në mediat vendase.

Presidenti rus ishte veçanërisht kritik lidhur me atë që ai e sheh si ide të Leninit, që republikat sovjetike do të duhej të ishin të njëjta dhe të kenë të drejtë për shkëputje, duke sugjeruar se kjo i ka kontribuar në masë të madhe shkatërrimit të Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.

Kritikat e Putinit për Leninin mund të jenë pjesë e përpjekjeve të tij për arsyetimin e politikës së Moskës ndaj krizës në Ukrainë. Po ashtu, këto qëndrime mund të reflektojnë shqetësimin e Kremlinit për ndjenjën e mundshme separatiste në disa provinca të Rusisë. /Dita/

Share This Article
1 Comment
  • Ka më demokratike se deklarata e Leninit që republikat sovjetike kanë pasur të drejtën e vetvendosjes? Atëhere ku qëndron problemi këtu? Kjo s’është diktaturë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *