Kryetari i Kuvendit Ilir Meta deklaroi dje se partia e tij kishte hedhur në gjyq gazetën Rilindja Demokratike për shkak se ajo kishte shkruar një artikull për blerjen e votave nga LSI-ja gjatë zgjedhjeve.
Meta tha se procesi vazhdon dhe se përfaqësuesit e organit zyrtar të Partisë Demokratike kishin bojkotuar praninë në sallën e gjyqit.
Më vonë reagoi kryeredaktori i gazetës, i cili deklaron se LSI-ja i kishte ofruar seancë pajtimi për ta mbyllur çështjen dhe kështu kishte ndodhur.
Por sot, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama tha se LSI nuk ka kërkuar pajtim me RD-në, por kjo gjë sipas tij, “është kërkuar nga kryeredaktori i gazetës, Bledi Kasmi”.
“Para zgjedhjeve të vitit të kaluar, RD publikoi një shkrim të pavërtetë për blerje të votave nga LSI. Nuk jemi përzier në këtë proces, megjithëse RD vazhdon edhe në numrin e saj të sotëm me këtë çështje. Jam këtu për të bërë të qartë se si qëndron e vërteta në këtë çështje. Janë zhvilluar 14 seanca gjyqësore, ku në një pjesë të tyre përfaqësues të gazetës nuk janë paraqitur. Ka patur raste edhe kur të dy palët nuk janë paraqitur”, sqaroi Rama.
Duke iu referuar seancës së fundit gjyqësore, më 12 janar 2016, Gjykata, tha ai, e shtyu seancën më 2 shkurt 2016 për të njoftuar palët. “Avokati i LSI-së mori dijeni, ndërsa kryeredaktori Kasmi thotë se ‘LSI na paditi dhe kërkoi pajtim’. Pajtimi është procedurë normale ligjore që kërkohet nga gjyqtari. Nëse LSI do kërkonte pajtim, e kishte të zgjidhur çështjen, sepse e tërheqim padinë dhe çështja pushohet” shpjegoi sekretari i LSI-së. /Dita/

Ore nxirrni ndonje ligj per shpifjen..cfare nuk po degjojme.!!!