Akuzat kundër “Peta”-s, organizatës më të madhe në botë të përkujdesjes së kafshëve, bazohen në një sërë fotosh shokuese të qenve dhe maceve të vrara e më pas të spastruara nga punonjësit e kësaj shoqate. Gjatë 11 viteve të fundit, “Peta” ka vrarë rreth 29 426 qen, mace, lepuj dhe kafshë të tjera shtëpiake
E përditshmja amerikane “Huffington Post” ka publikuar një artikull që ngre disa pikëpyetje mbi aktivitetin e “Peta”-s, shoqatë e njohur botërisht për të drejtat e kafshëve, e cila në vend që të merret me mbrojtjen e tyre, i vret. Akuzat janë të rënda, sepse bëhet fjalë për zbulimin makabër të veprimtarisë së disa aktivistëve e cila bie plotësisht në kundërshtim me fasadën humanitare që i serviret publikut.
“Çdo vit, rreth 2 mijë kafshë iu nënshtrohen kurave të “Peta”-s, por vetëm disa prej tyre ia dalin që të mbijetojnë. Pjesa më e madhe, dhe këtu bëhet fjalë për 96% të tyre, vritet dhe përfundon në kremator”, shkruan gazeta. Ngrirësi i madh që mban eshtrat dhe mbetjet e kafshëve është blerë nga donacionet e dashamirësve të kafshëve, të cilët nuk do t’i kishin imagjinuar kurrë këto shifra: Gjatë 11 viteve të fundit, “Peta” ka vrarë rreth 29.426 qen, mace, lepuj dhe kafshë të tjera shtëpiake.
Dëshmitë
Akuzat janë kaq të rënda, sa është e vështirë të mendohet se janë të faktuara, e për këtë arsye “Huffington Post” ka publikuar materiale nga burime të ndryshme, ku spikat ajo e faqes së internetit “Why Peta Euthanize”, e cila ka mbledhur shumë prova që e denoncojnë aktivitetin e shoqatës. Në të shfaqen foto të kafshëve të vrara, që stimulojnë akuzat për eutanazi të forcuar:
“Në vitin 2012 mbërritën në ndërtesat e “Peta”-s rreth 733 qen, por të paktën 602 prej tyre u vranë dhe vetëm 12 u adoptuan. Gjatë të njëjtit vit u sekuestruan 1.100 mace, 1045 prej të cilave ngordhën, ndërsa vetëm 7 u adoptuan. I njëjti fat u takoi 28 nga 34 lepujve që iu nënshtruan kurave të shoqatës. Një veteriner tregon për një mace dhe kotelet e saj (të gjitha në shëndet të mirë) që po përpiqej t’iu gjente një familje për t’i adoptuar, por “Peta” pasi e gënjeu i vrau ato në një furgon. Në qershor të 2005-s, policia gjeti disa kafshë të ngordhura në një kazan mbeturinash në Karolinën e Veriut, të cilat ishin vrarë në pjesën e pasme të një furgoni.
Donacionet
Pavarësisht se të ardhurat e donacioneve arrijnë shifrën marramendëse të rreth 35 milionë dollarëve në vit, “Peta” nuk angazhohet për t’u gjetur strehë këlyshëve dhe nuk ka plane adoptimi. Edhe pse në Virxhinia ajo është regjistruar si “shoqëri e strehimit të kafshëve”, sipas disa hetimeve të Departamentit të Agrikulturës në këtë shtet: “Struktura e “Peta”-s nuk disponon hapësira të mjaftueshme për numrin e kafshëve që sinjalizon çdo vit”. Veç kësaj, ndërtesa nuk është e hapur ndaj publikut. Aty sakrifikohet 90% e kafshëve vetëm gjatë 24 orëve të para”. Ku përfundojnë paratë e donacioneve?
Shoqata, jo vetëm që nuk e respekton jetën e kafshëve, por gjithshtu mbron abuzime të tjera: Në një qendër strehimi në Hjuston, ngordhi një mace dhe disa punonjës të saj u sinjalizuan për dhunë dhe sjellje kriminale ndaj kavshëve. E megjithatë “Peta” e mbron këtë strukturë. Ajo mbështet eutanazinë për kafshët jo shtëpiake dhe muaj më parë hodhi poshtë ligjin e sterilizimit të tyre. Natan Uinogrand është një aktivist që ka furnizuar dhjetëra dëshmi të cilat e kundërshtojnë aktivitetin e kësaj shoqate. Në faqen e tij në “Facebook” dhe “Twitter” ka hedhur materiale të bollshme mbi argumentin. Artikulli i “Huffington Post” apelon për nevojën e një ndryshimi të menjëhershëm për të shpëtuar jetën e mijëra kafshëve nga injektimet vdekjeprurëse.
Përgatiti: Dorina Gjuzi
