Tri besime fetare, nën një çati në Berlin

redaktor

Nën një qiell gri dhe mbuluar nga dëbora, kjo ngastër toke shterpë në zemër të qytetit duket edhe më e thjeshtë se zakonisht. Vetëm pak njerëz e dinë se këtu, mbi një copë toke të krijuar nga mbledhja e rrjedhës së lumit Spri, është vendi nga ku Berlini ka zanafillën. Akoma më pak e dinë se kjo zonë është përzgjedhur për një projekt të pazakontë: një ndërtesë për hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët, në mënyrë që të gjithë të falen nën një çati.

Në pjesën jugore të këtij “arkipelagu ishullor”, i njohur si Fischerinsel, u ngritën themelet e para të atij që u bë më vonë Berlini në shekullin e 13. Por si shumica e pjesës tjetër të qytetit, zona është bërë simbol i të shkuarës së trazuar të Gjermanisë.

Një kishë funksionale qëndroi në këtë vend derisa u dëmtua keq nga bombardimi në Luftën e Dytë Botërore. Në vitet ’60, regjimi komunist i Gjermanisë Lindore e hodhi në erë atë që mbeti nga struktura, duke e kthyer zonën në një parkim makinash në përpjekje për të fshirë fenë dhe të shkuarën.

Në vitin 2009, rreth 20 vjet pasi Berlini u ribashkua, toka tërhoqi vëmendjen e Gregor Hohbrg, një prift protestant, famullia e të cilit përfshinte Fischerinselin. Hohberg ishte i vendosur që në zonë të kthehej feja, por nuk mendoi se ndërtimi i një kishe tjetër në një kohë kur pjesëmarrja po bie do të kishte kuptim.

“Ne menduam se duhet të krijojmë diçka që ka rëndësi për qytetin e të sotmes, diçka që hedh dritë nga e ardhmja dhe shkon në sinkron me shoqërinë”, tha prifti në kishën e tij në Aleksandërplac, një shesh në qendër të Berlinit.

Ashtu si shumica e Berlinit, ky shesh bashkon të vjetrën dhe të renë. Ndërtesat e vjetra si bashkia e dikurshme dhe kisha e Hohberg janë rrethuar nga struktura të periudhës komuniste dhe qendrat tregtare moderne.

Mes kësaj përzierje të periudhave dhe ideve, Hohgerg pati një çast Eureka: përse ndërtesa të mos jetë vendi ku falen të krishterët, myslimanët dhe hebrenjtë?

Ideja e tij erdhi në jetë si Shtëpia e të Vetmit, një ndërtesë që do të strehojë një kishë, një sinagogë dhe një xhami. Hohberg që atëherë iu bashkuan dy partnerë, Kadir Sanci, një imam dhe Andreas Nachama, një rabin dhe puna për ndërtimin e projektit 43.7 milionë eurosh pritet të fillojë në fund të vitit 2017, sapo të jenë siguruar 10 milionë eurot e para.

Megjithëse vetëm 1 milionë euro janë mbledhur deri më tani, përmes donacioneve nga njerëzit dhe qeveria, Hohberg ka besim se ata do të arrijnë afatin përfundimtar. Projektimi i ndërtesës është bërë tashmë.

Vizioni i firmës lokale, Kuehn Malvezzo, planifikon një ndërtesë që nuk i merr elemente asnjë prej trashëgimive kulturore të ndonjërit prej besimeve, por është frymëzuar nga stili gjerman bauhaus.

Për të hyrë në tri ambiente të ndryshme të faljes, vizitorët e Shtëpisë së të Vetmit duhet të kalojnë nga një ambient i përbashkët. Ky është edhe qëllimi, që besimtarët e krishterë, myslimanët dhe hebrenjtë të takohen mes tyre gjatë kohës që shkojnë të falen.

Por pavarësisht shpirtit të përbashkët të dialogut dhe bashkëpunimit ndërfetar, projekti nuk është ideuar si një lëmsh njerëzish.

“Ne nuk po luajmë me idenë e krijimit të një feje të re, ne po kërkojmë respekt për njëri-tjetrin dhe ruajtje të besimit tonë”, thotë Sanci.

Imami i përket lëvizjes “Hizmet” të predikuesit turk me bazë në SHBA, Fetullah Gullen, që ka theksuar nevojën për dialog mes feve. Pavarësisht të shkuarës së tij dhe qasjes moderne të projektit, Sanci nuk e sheh veten si një mysliman liberal apo reformist. Nga shumë imamë myslimanë, me të cilët ai ka biseduar, vetëm një e ka kritikuar projektin si në kundërshtim me islamin, thotë ai.

Po ashtu, jo të gjithë myslimanët në Gjermani janë të bindur me projektin, ndaj Hohberg iu deshën thuajse dy vjet për të gjetur një përfaqësues mysliman që kishte vullnetin të bashkëpunonte.

Koncepti nuk është për shijet e të gjithëve, përfshirë kërkesën që xhamia të jetë e hapur për sunitët dhe shiitët. Kisha dhe sinagoga do të jenë po ashtu të hapura për të gjithë besimtarët e rrymave të tjera të krishterimit dhe judaizmit.

Një çast i tolerancës fetare në një kohë kur ekstremizmi në rritje kërcënon të ndajë komunitetet, Shtëpia e të Vetmit është gjithashtu shumë simbolike në kontekstin e së shkuarës dhe së ardhmes së Gjermanisë.

Jo vetëm që do të ndërtojë një sinagogë në qendër të qytetit ku u planifikua dhe zbatua Holokausti, por do të ndërtohet në zonën e kishës Petrikirche, prifti i të cilës në kohë lufte njihej për përkrahje të nazizmit.

Xhamia, ndërkohë, do të përfaqësojë popullatën myslimane të Gjermanisë, që është rritur shumë gjatë vitit të shkuar me mbërritjen e një milion refugjatëve, kryesisht nga shtetet si Iraku dhe Siria.

“Me këtë projekt ne do të krijojmë një marrëdhënie të re, mbi të cilën nuk mund të nxiten më armiqësi”, thotë prifti gjerman, Hohberg.

*Burimi: The National.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *