“ Shok” / Një histori lufte në 21 minuta

redaktor

21 minuta të mbajnë mbërthyer sekondë pas sekonde. Filmi “Shok” është shfaqur këtë javë në qendrën COD pranë kryeministrisë, ku Edi Rama së bashku me një grup gazetarësh dhe realizues të filmit ndoqën në ekranin e madh këtë prodhim kinematografik. Petriti dhe Oki janë personazhet kryesorë në “Shok”, një film i bazuar në histori të vërteta nga konflikti, i cili është kandiduar si “Filmi më i mirë i shkurtër aksion” në edicionin e 88-të të ndarjes së çmimeve Oskar, kandidatura e parë Oskar për një film kosovar.

Petriti është një 12 vjeçar që dëshiron të bëhet sipërmarrës, me një plan të rrezikshëm për të bërë para shpejt dhe blen një biçikletë njësoj si ajo që ka shoku i tij Oki.

Filmi tregon se si ndikon konflikti mes dy vendeve në jetën e dy djemve. Në një skenë, ata janë në një autobus, i cili ndalohet dhe kontrollohet në një pikë kontrolli nga policia serbe, të cilët i sulmojnë ata kur ata gjejnë librat e Okit në gjuhën shqipe. Ndërsa në një skenë tjetër, Oki arrin t’i shpëtojë dëbimit nga paraushtarakët, sepse ai kishte shkuar të flinte në shtëpinë e Petritit natën që shtëpia e familjes së tij bastiset.

Pas përfundimit të filmit, regjisori anglez Jamie Donoughue thotë se ai donte të eksploronte një kohë të rëndësishme në histori, e cila mendon se nuk është dokumentuar si duhet.

“Shumë njerëz nuk e dinë atë që ka ndodhur në rajon dhe mësimet nga konfliktet e të kaluarës (dhe ata të së tashmes) nuk janë mësuar ende,” thotë Donoughue.

“E megjithatë, unë doja të tregoja një histori njerëzish të zakonshëm, të cilët janë viktimat e vërteta të luftës. Gjithashtu doja të eksploroja se si një komb mund të rindërtohet dhe të ecë përpara,” shton ai.

Eshref Durmishi është producenti i filmit, por ai luan gjithashtu rolin e paraushtarakut serb Draganit, i cili blen letrat e cigareve nga Petriti, që donte të bëhej biznesmen.

Durmishi shpjegon se ngjarjet në film janë bazuar në ato që përjetonin çdo ditë njerëzit që jetonin në Kosovë në atë kohë.

Madje Eshrefi tregon se në film ka futur edhe historinë që i ka ndodhur atij në jetën reale, kur ishte adoleshent. “Filmi bazohet në histori reale, një prej tyre më ka ndodhur mua në moshën 14-vjeçare. Një paraushtarak serb më ka rrahur teksa isha duke shkuar në shkollë, vetëm sepse nuk dija serbisht. Ka qenë interesante që regjisori më la mua rolin e një paraushtaraku serb, sepse faktikisht mua më ka ndodhur e kundërta. Ka qenë sfiduese në fillim që ta luaja atë rol, por më pas u ktheva në kujtesën emocionale, sepse e shihja si një film, atë ç’ka më kishte ndodhur. E dija sesa i fuqishëm mund të ishte ai person, që rrahu një fëmijë të pambrojtur”, shprehet producenti, Durmishi.

Por mediat serbe nuk e kanë pritur mirë suksesin e filmit, ata, madje, kanë bërë përpjekjet e tyre për ta zhvlerësuar si vepër artistike. Eshrefi thotë se “Pas lajmit që Kosova është nominuar në Oskar, mediat serbe janë munduar që t’i prishin shumë punë, imazhit të filmit dhe Kosovës, duke thënë se: “Diaspora, mafia shqiptare kanë bërë një film për propagandë dhe kanë paguar që të shkojnë në Oskar”. Realisht këtu nuk ka asnjë gjë propagandë, sepse ne kemi dërguar për Oskar një film me ngjarje të përjetuara. Ndërkohë filmi që serbët konkurruan ka qenë plotësisht propagandë kundër Kosovës”.

Filmi-SHOK-659x3431-659x343-659x343Pavarësisht nominimit, pritshmëritë për Oskarin nuk kanë shumë rëndësi, sipas Durmishit, filmi ia ka arritur qëllimit. “Por për ne si artistë dhe për kinematografinë e Kosovës mund të them se tashmë e kemi fituar Oskarin, sepse ne do të jemi pjesë e kësaj feste kur të ndahen çmimet. Kjo është një fitore shumë e madhe. Presim që të marrim dhe më shumë nga kjo, jo vetëm nominimin dhe vlerësimin nga disa media të rëndësishme, sepse kjo gjë mund të ndryshojë nga dita në ditë. Ne nuk ndalim para kësaj, por jemi duke bërë lobimin për këtë gjë”.

Producenti tjetër i filmit “Shok”, Harvey Ascot, rrëfen se para pesë vitesh, bashkë me regjisorin, Kosova u është dukur një vend i këndshëm dhe me njerëz interesantë. Nga kurioziteti për të zbuluar edhe për shumë për njerëzit atje, ata e zgjatën qëndrimin e tyre në Kosovë. Çdo gjë u dukej mbresëlënëse, njerëzit dhe historitë e tyre. “Këto ishin arsyet që ne vendosëm të prodhonim një film për Kosovën”. Teksa shprehet se ky film është kosovar në të gjitha drejtimet, shton se është realizuar me ndihmën e anglezëve. “Është një film në gjuhën shqipe dhe me kast shqiptar. Me pak fjalë është krijuar një film kosovar nëpërmjet ndihmës angleze”. Sipas producentit, ky film është i mirë, për shkak të skenarit të mbështetur në histori të vërteta. Filmi deri më tani ka fituar tri çmime në Aspen Short Fest të vitit të kaluar, por aktorët dhe ekipi i xhirimit tani po presin me padurim 28 shkurtin, kur do të ndahen edhe çmimet Oskar në Los Anxheles.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *