Pas ndeshjeve të para çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, këtë fundjavë do të rinisë Kategoria Superiore. Skuadrat duken të ndara në grupe, në garën për titullin kampion, për një vend në zonën europiane dhe për mbijetesë.
Nëse do të bëjmë një krahasim me të njëjtën periudhë të sezonit të shkuar bie dukshëm në sy shpërndarja e skuadrave.
Në fundin e javës së 18-të të sezonit 2014-2015, në krye të klasifikimit gjendej Kukësi me 38 pikë, i ndjekur nga pranë nga Partizani dhe Skënderbeu me 36 pikë, teksa Tirana kompletonte 4-shen e pretendentëve për titull në kuotën e 35 pikëve.
Në këto momente çështja titull duket një garë dyshe, me Skënderbeun që kryeson me 43 pikë, 7 më shumë se e njëjta periudhë e edicionit të shkuar.
Në ndjekje të kampionëve është Partizani me 40 pikë, që është sërish në vendin e dytë, por me 4 pikë më shumë se një vit më parë.
Situata ka ndryshuar për Teutën, që ka 30 pikë, duke grumbulluar pothuajse dyfishin e të njëjtës periudhë me edicionin e shkuar dhe është në vendin e 3-të, ndërkohë që një vit më parë gjendej e pozicionuar e 8-ta me 16 pikë.
Tirana do ta rinisë sezonin e pozicionuar në të njëjtin vend si një vit më parë në klasifikim, nga vendi i 4-t, por me 6 pikë më pak në renditje.
Bardheblutë kanë grumbulluar aktualisht 29 pikë, duke qenë 14 pikë larg kreut dhe me objektivin për të arritur vendin e 3-të, teksa në përfundim të dy fazave të sezonit të shkuar ishin në garë për të synuar titullin kampion.
10 pikë më pak dhe 5 pozicione më poshtë gjendet Kukësi, që në sezonin aktual ka grumbulluar 28 pikë krahasuar me 38 të sezonit të shkuar.
Një pozicion më poshtë dhe 2 pikë më pak për Laçin, por që ka më afër vendin e 3 krahasuar me të njëjtën periudhë të sezonit të shkuar.
