Në këtë bashkëbisedim me juristin e njohur konstitucionalist, Niazi Jaho, trajtohet çështja e akuzave të përditshme që dëgjojmë të bëhen nga politikanët për njëri-tjetrin, apo dhe nga institucione shtetërore për pushtetarë dhe individë të ndryshme.
A janë kthyer këto akuza në alibi politike për momentin? Çfarë pengon që këto akuza më së shumti nuk dërgohen në prokurori dhe për pasojë, fare pak nga të akuzuarit mund të dënohen.
Pse nuk mund të quhet e mbaruar detyra me denoncimin e një krimi, korrupsioni apo abuzimi skandaloz dhe roli i mediave për investigimin e një sërë çështjesh të mprehta.
Për të gjitha këto e çështje të tjera, Jaho tregon rrugët dhe hapat ligjorë, si dhe përgjegjësitë penale për denoncuesit dhe të akuzuarit.
– Zoti Jaho, shpesh nga deputetë, politikanë, zëdhënës të institucioneve apo partive politike, në konferenca shtypi apo në Kuvend, bëhen lehtësisht deklarata të natyrës penale, d.m.th bëhen akuza ndaj këtij apo atij personi se ka kryer krim ose është i implikuar në krim. Për t’i bërë të besueshme këto akuza ata madje i referohen të dhënave, shifrave, shkresave apo dokumenteve të ndryshme. Në aspektin ligjor, mund të shprehni ndonjë mendim për këtë?
– Në aspektin ligjor përgjigja është e thjeshtë: Të denoncohen të dhënat që disponohen nëse në to ka elemente të krimit. Nëse vetë deklaruesi e di se në ato që ai deklaron nuk ka të dhëna të mjaftueshme dhe të bazuara për të bërë ndonjë akuzë të tillë, e pakta që mund të preket është dinjiteti njerëzor. Se sa i rëndësishëm është ky dinjitet, mjafton të përmendim faktin se ligji mbron dhe dinjitetin e të burgosurit (të dënuar me vendim të formës së prerë të gjykatës). Veç kësaj, parimi i prezumimit të pafajësisë i sanksionuar edhe në Kushtetutën tonë, duhet respektuar nga të gjithë. Mosrespektimi i këtij parimi, siç ka vërtetuar praktika, ka patur raste që është bërë objekt shqyrtimi si nga gjykatat tona, deri edhe në Gjykatën e Strasburgut.
– Mos vallë ky qëndrim në aspektin ligjor që sqaroni ju, ndrydh apo pengon fjalën, kritikën ndaj së keqes?
– Ligji jo vetëm nuk pengon, por mbron fjalën e lirë, madje edhe kritikën, qoftë edhe në rastet kur ajo mund të jetë disi e tepruar dhe e ashpër, sidomos kur ajo u adresohet funksionarëve apo zyrtarëve të lartë. Ndërsa në rastin konkret, është fjala për deklarata të natyrës penale që duhet të bëhen objekt shqyrtimi nga organet kompetente: ato të ndjekjes penale. Kujt do t’i shërbente p.sh një krim i kryer që nuk denoncohet, që nuk zbulohet? Kontribut mund të jepte në raste të tilla edhe gazetaria investigative. Praktika njeh raste që pikërisht investigimi mediatik ka ndihmuar edhe rishikimin e çështjeve penale që kanë marrë formë të prerë. Në fund të fundit, edhe vendimet e formës së prerë të gjykatës mund të kritikohen sepse ato nuk janë tabu, pavarësisht se duhen zbatuar.
– A është mosbesimi ndaj organeve të drejtësisë që justifikon mosdenoncimin e kësaj apo asaj çështjeje?
– Jo, mendoj se ky qëndrim nuk duhet të përbëjë justifikim. Alibi, po. Pretekst, po. I ligjshëm, jo.
– Denoncimi i një krimi është në vlerësimin e denoncuesit apo është detyrim ligjor?
– Po të ishte në vlerësimin e denoncuesit, kjo do të ishte paligjshmëri, inkurajim i krimit, kultivim i indiferencës etj. Ka disa vepra penale që procedimi penal mund të fillojë vetëm në bazë të kallëzimit (denoncimit), por për shumicën e veprave penale (ku përfshihen për shembull korrupsioni, kontrabanda, vrasjet, vjedhjet, shpërdorimi i detyrës etj.) denoncimi është i detyrueshëm. Sipas Kodit të Procedurës Penale (K.Pr.P) kushdo që ka të dhëna të besueshme (nuk përjashtohen as politikanët, deputetët, funksionarët e lartë etj.) ose dokumente se është kryer apo është duke u kryer një krim, është i detyruar ta denoncojë atë në organet e procedimit penal.
– Mirëpo, nëse nuk vepron kështu, a ka ndonjë përgjegjësi?
– Përgjigjen e jep neni 300 i K.Pr.P ku thuhet se moskallëzimi në organet e ndjekjes penale, në gjykatë, në organet e rendit publik të pushtetit ose të administratës, e një krimi që është duke u kryer apo që është kryer, dënohet deri në 3 vjet burg. Përjashtohen nga ky detyrim (për arsye që dihen) të paralindurit, të paslindurit, vëllezërit, motrat etj.
– Po ai që e ndjen veten të fyer, të prekur në dinjitetin e tij personal dhe familjar, si dhe në reputacionin e tij në publik, ai që mendon se akuzat publike ndaj tij janë të pabazuara, a ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës e të ankohet?
– Sigurisht që po. Është gjykata ajo që do të shqyrtojë çështjen dhe do të vendosë. Natyrisht ka edhe persona që mjaftohen vetëm me një përgënjeshtrim.
Nga ana tjetër, me ligj, prokurori kur e çmon të nevojshme mund të fillojë çështjen me nismën e vet. Kjo është një nga mënyrat e ligjshme. Prokuroria, si organ i vetëm i ndjekjes penale, mund të kërkojë nga personi që akuzon, të dhënat apo dokumentet që ai disponon (kur ai vonon ose nuk bën denoncimin). Roli aktiv i prokurorit në këto raste është mjaft i rëndësishëm. Ai bëhet zot i procesit, parandalon ose redukton konfliktin, paragjykimet, spekulimet, komentet e stërgjatura etj. Kur është rasti prokurori shfrytëzon edhe të dhënat e shtypit. E drejta dhe misioni i medias është të marrë dhe t’i japë publikut të gjerë informacione.
– Edhe një çështje tjetër që ka lidhje me të parën. Ka mjaft institucione shtetërore që kryejnë funksione verifikimi dhe kontrolli në fushën ekonomike-financiare që shprehimisht ligji i detyron që kur gjatë kryerjes së detyrës konstatojnë elemente të ndonjë vepre penale, duhet ta denoncojnë atë. Ç’mendim keni për këtë?
– Kam përshtypjen (sipas informacioneve të shtypit) se kohët e fundit denoncime të tilla janë në rritje, por nuk jam në dijeni të çështjeve konkrete dhe as të vlerave të dëmtuara.
– Mirëpo publikut nga këto institucione nuk i jepet informacion se si ka shkuar ecuria e këtyre denoncimeve. Si rrjedhim krijohet përshtypja se mbas bërjes së denoncimit, institucioni përkatës mendon se e kreu detyrën, d.m.th detyra konsiderohet e përfunduar. A është kështu?
– Mund të jetë kështu. Në raste të tilla mendoj se për publikun tre janë burimet e informacionit: institucioni denoncues, organi i ndjekjes penale dhe media. Duhet patur parasysh gjithashtu se organit të procedimit penal mund t’i duhet një farë kohe, relativisht e shkurtër, për verifikimin e materialit të dërguar.
– Kur verifikimi apo plotësimi i materialit denoncues konsiderohet i përfunduar, cilat janë kompetencat e prokurorit?
– Sipas Kodit të Procedurës Penale, prokurori mund të vendosë mosfillimin ose pushimin e çështjes, pezullimin e saj (kur nuk ka qenë i mundur identifikimi i personit), hetimin dhe dërgimin e çështjes në gjykatë.
– Nëse prokurori për një numër të konsiderueshëm çështjesh të denoncuara ka vendosur mosfillimin ose pushimin e tyre dhe institucioni përkatës denoncues nuk është ankuar në gjykatë, si mund të shpjegohet, cilat mund të ishin shkaqet?
– Që t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje duhet të njohësh gjendjen reale, të dish rastet kur çështjet janë pushuar ose është vendosur mosfillimi i tyre si dhe arsyetimin e këtyre vendimeve. Këtë unë nuk e di. Por nëse për një çast do të pranohej se shumë çështje të denoncuara i janë kthyer denoncuesit me vendimet e mësipërme dhe nuk janë atakuar në gjykatë, le të supozojmë disa variante të ndryshme siç mund të ishin:
- a) Materiali denoncues nuk ka qenë i plotë dhe i saktë, nuk ka patur elemente të krimit, ose çështja ka qenë e natyrës administrative apo civile.
- b) Institucioni denoncues ka menduar se prokuroria është organi kompetent, se mundet që edhe gjykata të lërë në fuqi vendimin e prokurorit dhe nuk do të ketë shanse që ankesa në instancën më të lartë gjyqësore të pranohet.
- c) Institucioni denoncues ka menduar të kufizohet me një shkresë drejtuar prokurorit më të lartë për ta shqyrtuar këtë çështje dhe zvarritja është shoqëruar me heshtje.
ç) Mbas vendimeve të mësipërme të prokurorit është menduar si rrugëzgjidhje (më e lehta) ajo e përpilimit të shkresave administrative ose për zhdëmtime etj.
Por pavarësisht nga supozimet e mësipërme, nëse është e vërtetë se shumë çështje të kthyera nga prokurori nuk atakohen, ky është një problem serioz sepse kjo mund të shoqërohet me pasoja të rënda: fajtori të mos ndëshkohet penalisht. Milionat ose miliardat e lekëve që pretendohen të jenë efektive, mund të ngelen në letër dhe me kalimin e kohës provat të zbehen, përgjegjësia të shpërndahet ose të mos konkretizohet.
Intervistoi Xhevdet Shehu
