Policia italiane ka arrestuar të mërkurën në Brindizi një shqiptar 31 – vjeçar, bashkëpunëtor i një organizate kriminale të shkatërruar Shtatorin e shkuar, gjatë operacionit “Countryman”.
Shqiptari me iniciale M.B ishte banues në qytetin e Veronas dhe është anëtari i gjashtë i bandës që vihet në pranga. Organizata kriminale merrej me trafik të kokainës, që vinte nga vendet e Ballkanit, kryesisht nga Shqipëria.
Mediat italiane shkruajnë se shtetasi italian Roberto M, 40 – vjeç, një nga drejtuesit e bandës vinte personalisht në Shqipëri për të bërë furnizimin, ndërsa në krye të organizatës kriminale ishte Felice Maniero, ish – bos i Mafias veneciane “Mala del Brenta”.
Mbetet ende i panjohur roli i 31 – vjeçarit shqiptar në këtë organizatë, por dyshohet që ai të ketë qenë ura lidhëse mes grupit që trafikonte kokainë në Itali dhe furnizuesve të drogës në Shqipëri.
Nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, ranë në pranga edhe 2 gra, shtetase italiane, si bashkpunëtore në këtë organizatë.
