Zjarri që shkrumboi disa barake të banuara nga komunitetit rom në zonën e Shkozës ka qenë i qëllimshëm.
Ky është përfundimi i arritur nga ekspertiza e bëra në vendin e ngjarjes nga ekspertë të zjarrfikëses.
Burime nga Policia e Mbrojtjes Nga Zjarri dhe të Shpëtimit të Tiranës bëjnë të ditur se pas hetimeve të zhvilluara në vendngjarje ekzistojnë provat që tregojnë se zjarri i rënë ditën e djeshme në barakat e romëve në Shkozë nuk ka qenë aksidental.
Të njëjtat burime tregojnë se vatrat e zjarreve kanë qenë më shumë se një, gjë që tregon se në të njëjtën kohë djegia bëhej nga vende të ndryshme për të sjellë më pas shkrumbimin total të zonës. Ende nuk dihet se cilat janë qëllimet e këtij komuniteti dhe arsyet që kanë çuar në këto veprime.
Nga ana tjetër, përpilimi i raportit të plotë po kryhet nga PMNZSH e Tiranës që më pas t’i drejtohet organeve përkatëse për hetime të mëtejshme. Ndërsa në këtë zonë Bashkia e Tiranës ka nisur rehabilitimin dhe marrjen e masave për sistemin e komunitetit rom në disa struktura metalike që do të përshtaten për jetesën e tyre.

Në rast emergjencash, si rastet e përmbytjeve apo zjarrit, të gjithë e kanë shpresën tek ato mjetet ngjyre të kuqe që vijnë nxitimthi me alarme ndezur. Ata janë zjarrfikësit që i përgjigjen çdo telefonate emergjente. Në ditë të tilla, më dashamirësit i falenderojnë, ndërsa ata më pak të tillët numërojnë minutat me të cilat erdhën me vonesë. Kur situata emergjente tejkalohet, askush nuk kujtohet për ta. Shumëpak e di se këta njerëz që futen mes ujit dhe flakëve kanë rroga shumë modeste, gati-gati në kufijtë e rrogës minimale, çka nuk e justifikon aspak punën dhe riskun e tyre. Përveç kësaj, këta njerëz punojnë në kushte gati vetëmohimi,pasi janë braktisur nga vetë drejtuesit e tyre. Futen në mes të zjarrit me veshje prej pambuku në temperatura që i kalojnë 200 gradët. Nuk kanë mjete pune dhe as mjete sigurie. Po drejtuesit çfarë bëjnë?! Sigurisht, dhe ata punojnë, por me një ndryshim, ata punojnë vetëm për interesa personale! Jo shumë kohë më parë për shërbimin zjarrfikës u hartua një ligj i ri, i cili më shumë sesa ligj ishte një dekret gjithpushteti për drejtorin e përgjithshëm të shërbimit zjarrfikës Z. Alfred Kristuli. Çdo nen i këtij ligji i jep kompetencë të plotë në çdo vendim vetëm drejtorit të përgjithshëm. Duket se Z. Kristuli e ka hartuar këtë ligj me merak për të forcuar pozitat e veta dhe jo për mirëfunksionimin e shërbimit zjarrfikës apo për të mirën e komunitetit. Në ligj nuk ka asnjë saksion nënligjor as për bombulat e gazit që janë një rrezik real dhe as për masat e kasetave elektrike të cilat jo rrallë herë janë kthyer në shkaktare të rënies së zjarreve. Ligji ka vetëm një përparësi, ai është drejtori i përgjithshëm. Ata që varen nga ky drejtor i gjithpushtetshëm, që janë gjithë kohën në terren dhe në punë nuk kanë asnjë atribut. Ka tre vjet që nuk është dhënë asnjë shpërblim për zjarrfikëset, pavarësisht se performanca e tyre ka qenë shumë e mirë. Po aq kohë ka që nuk është dhënë asnjë rritje në gradë për asnjë zjarrfikës, por veç për miqtë e familjes së Z. Kristuli që janë shefi i zjarrfikësve Vlorë dhe shefi i zjarrfikësve Durrës. Për ata zjarrfikësit e thjeshtë drejtori i përgjithshëm i shërbimit zjarrfikës, nuk ofron dot asgjë, as paga, as kushte, as grada, asgjë! Vetëm një ligj që nis dhe mbaron me fjalën “Drejtori i Përgjithshëm”.