Restoranti “Putin” është një nga lokalet e frekuentuara në zemër të Shkupit. Ai mban emrin e presidentit rus Vladimir Putin, ndërsa gjithë interieri dhe eksterieri i lokalit është i mbushur me fotografit e Putinit, por edhe simbole ruse, njofton INA.
Frekuentuesit e këtij lokali theksojnë se janë adhurues të presidentit rus, por edhe Rusisë. Pronari i lokalit nuk dëshiron të flas lidhur me lokalin e tij, i cili ka shumë vizitorë, edhe për shkak të muzikës turbofolk për mysafirët dhe klientët e rregullt. Disa nga vizitorët e këtij lokali tregojnë se aty rrijnë kryesisht një grup njerëzish që kanë ideale të lidhura me Rusinë dhe njerëz të elektrizuar me politikën.
“Unë rrallë shkoj aty, sepse nuk më pëlqen, por kam miqtë e mi që janë klientë të rregullt. Ata frymojnë ashtu siç ofrohet atmosfera aty në ate lokal. Janë njerëz që kanë botkuptime tjera dhe ëndërrojnë Rusinë që një ditë të hyjë në Maqedoni, ashtu si në periudhën e Luftës së Ftohtë”, ka theksuar për INA, Nikola, një i ri nga Shkupi.
Por, ky lokal frekuentohet edhe nga përfaqësues të qeverisë, por edhe kori diplomatik rus, të cilët preferojnë menynë dhe atmosferën që krijohet në këtë lokal.
Përveç këtij restoranti, në Shkup është edhe hoteli “Moska”, aty ku shpeshherë klientë janë krerët e qeverisë aktual. 
