Një 33 vjeçar është arrestuar nga policia e Durrësit në lidhje me ekzekutimin mafioz të Gazment Çollakut.
Policia e Durrësi sqaroi zyrtarisht se ka arrestuar shtetasin Denis Shtraza, 33-vjeç, banues në Durrës.
Policia tha se se arrestimi është kryer mbrëmjen e shkuar rreth orës 21:00 në Rinas, teksa po tentonte të largohej jashtë Shqipërisë.
“Ai është person me tendenca të theksuara kriminale, me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër jetës, i dyshuar si anëtar i një grupi kriminal që operon në zonën e Durrësit dhe të Tiranës”, sqaron policia lokale.
Më 6 janar, në lagjen Nr.1 në Durrës, 4 persona, 3 prej të cilëve me jelekë dhe mbishkrimin”Policia”, kanë marrë me forcë duke e futur në mjetin e tyre tip Audi A6 me ngjyrë të zezë, shtetasin, Gazment Çollaku 34 vjeç, banues në Durrës.
Çollaku u gjet i vrarë me armë zjarri një ditë më pas në fshatin Murqin, Krujë, i hedhur në rrugë dhe me gjymtyrë të lidhura.
Vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të ngjarjes si dhe dokumentimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Tiranë për veprime të mëtejshme për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit dhe vrasja” të kryera në bashkëpunim. /Dita/
