Pse u arrestua ish-ministri Spiro Ksera? Në fakt, arrestimi nuk është krejt i papritur, duke ditur se më herët ka pasur disa ish-zyrtarë të kësaj ministrie që janë arrestuar për vjedhje të fondeve për aktivitete që nuk ishin realizuar.
Gisht më sa duket ka pasur edhe ministri i asaj kohe Ksera, për të cilin tashmë Prokuroria ka edhe një dosje me akuzat e ngritura. Prokurori i çështjes është Ndini Tavani, i cili ka zhvilluar hetime për rastin pas padisë së Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili zhvilloi një auditim pranë kësaj ministrie.
Në pranga ka përfunduar edhe Kleves Bitro, këshilltar i Kserës, si dhe disa ish-zyrtarë të tjerë. Të gjithë dyshohet se kanë vjedhur rreth 300 milionë lekë të vjetra nga buxheti i shtetit.
“Këto shuma financiare, ish-drejtuesit e lartë të Ministrisë së Punës i kanë akorduar për disa aktivitete për shtresa të ndryshme sociale, por që faktikisht këto evente nuk janë realizuar ose janë realizuar me kosto shumë më të ulëta nga ato që janë shënuar në dokumente.
Në bazë të veprimeve procedurale, rezulton se janë kryer pagesa për aktivitetet që nuk janë kryer”, thuhet në dosjen e Prokurorisë. Hetimet kanë zbuluar se aktivitetet janë “Prioriteti i minoriteteve – barazi në të drejta”, “Kapërceni paragjykimet – njihni romët”, “Ne sfidojmë të gjithë së bashku”, “Të ndryshëm, por të barabartë”, “Përfshirje sociale – drejtësi sociale” dhe “Mosha e tretë, vlerë për shoqërinë”.
Në të gjitha rastet, prokuroria nuk ka gjetur fatura bindëse për të argumentuar shpenzimet. Në një rast, Ministria pretendonte se kishte organizuar një aktivitet në Dropull, ku ishin shpenzuar rreth 9 600 000 lekë me TVSH. Ministria pretendonte se kishte akomoduar në hotel 32 persona për aktivitetin si dhe ishin zhvilluar një sërë aktivitetesh, por prokuroria nuk ka gjetur faturat përkatëse.
Një rast tjetër është edhe një akvitet për romët, të organizuar sipas Ministrisë më 28 qershor deri më 1 korrik të vitit 2013. Aktiviteti parashikonte mbajtjen e një sërë aktivitetesh, midis të cilave edhe një dramë në Akademinë e Arteve. Shumca për t’u shpenzuar ishte 4 356 000 lekë me TVSH.
Prokuroria ka zbuluar se në DVD-në e materialeve ka patur ndërhyrje dhe montazh sikur aktiviteti është kryer. As në këtë rast nuk janë gjetur faturat përkatëse.
Të gjitha aktivitetet janë organizuar pas humbjes së zgjedhjeve nga ana e Partisë Demokratike. Policia ka shpallur në kërkim edhe disa ish-zyrtarë të tjerë në lidhje me rastet.
/Dita/

O Pipi… nuk kishe se ç’fare te vidhje… por vodhe edhe leket e invalideve te njerezve me karroca, te verberve dhe njerzve te gjymtuar… thirr Janullen qe te paguaj ca leke dhe te dalesh….