Malziu është një krahinë e vogël, perlë natyrore dhe kështjellë qëndrestare në rrethin e Kukësit e më gjerë, me histori dhe pasuri të mëdha, me diell dhe klimë që jep frymëzim, me tokë dhe gjeologji të trazuar, me njerëz të dashur e me shpirt artistik.
Malziu është dheu i kapedanëve, i lirisë dhe i patriotizmit, i punës dhe i këngës, i bujqësisë dhe i blegtorisë, me majëmale me pisha e bredha të lartë, me fusha dhe kodra të veshura me kumbulla, qershi dhe gështenja, me shkurre dhe lule të harlisura shumëngjyrëshe, me ujin e kristaltë të lumenjve dhe të liqenit të Fierzës, e që të gjitha këto pasuri, të marra së bashku, i japin këtij vendi pamjen e një ylberi shumëngjyrësh.
Juljeta Dino Corelli, linguiste, përkthyese dhe psikologe, kur e vizitoi Malziun, gjithë emocion tha: “Në këtë tokë të shenjtë, Zoti është ulur këmbëkryq dhe ka plazmuar këtë perlë të mrekullueshme në gjerdanin” e artë të të cilit, të thjeshtat dhe të ndërlikuarat janë së bashku”.
Këtu, toka vishet me gjelbërim të plotë, por shpesh herë edhe me dy deri në tre metër dëborë dhe, që, gjithmonë, ngjyrat e kësaj natyre, pasqyrohen në buzëqeshjen e banorëve të këtyre anëve.
Malziu ka një paraqitje të përkryer natyrore, me male të lartë e të papërkulura, me popull të pamposhtur, të kulturuar dhe me botë homerike.
Malzezët kanë qenë këtu që përpara vitit 1348 (shek i 14-të) dhe kanë bërë histori, kanë qenë vazhdimisht qëndrestarë të vendosur, ndaj sulmeve dhe pushtuesve osmanë, austriakë, serbë, malazez, grekë, italianë dhe gjermanë. Më 1850 malziasit luftuan kundër forcave të Isuf Begut në Pukë. Më 1898 përzunë nga krahina qeveritarin Fejzulla Begu. Në vitin 1912 dhjetëra malzias për gjashtë muaj rresht luftuan heroikisht për mbrojtjen e Shkodrës nga sulmi i forcave serbo – malazez.
***
Gjuhësisht toponimi Malzi, është një kompozitë: emër + mbiemër: mal i zi, pasi për rreth malet janë të veshur me pishë të zezë (pinus nigera). Me këtë emër, Malziu është thirrur që nga viti 1444. Sot, Malzi, quhet vetëm zona midis lumit Goska dhe atij të Kalimashit si dhe midis liqenit të Fierzës dhe maleve të Mirditës e të Pukës, me pozicion në pjesën veriperëndimore të rrethit të Kukësit. Edhe toponimi Kalimash sipas meje shpjegohet me dialektin e gegërishtes: kalimash – kalim-asht ose asht-kalim. Kalimashi është pikërisht vendi ku kalon rruga Zenta si rrugë kryesore të cilën romakët e ngritën për të dalë nga pjesa kontinentale e Ilirikumit drejt Adriatikut veriore. Historikisht Malziu është një nga shtatë bajrakët e Pukës, i përbërë nga 12 fshatra e konkretisht: Mgulla, Pista, Spasi, Shikaj, Kryemadhi, Kalimashi, Shtana, Gdheshta, Dukagjini, Petkaj, Shemëria si edhe Qami, me qendër administrative Shëmrinë, por që nga viti 1946 e deri sot, bën pjesë në rrethin e Kukësit.
Malziu ka një reliev tepër të thyer malor e kodrinor, me shpate e lugina dhe pak fushëza të ndërprera nga lumenj a përrenj të vegjël. Malziun e qarkojnë madhërishëm malet Rruna (1857 m), Korbi (1378 m), Kumbulla, Korrila, Fiera e Keqe etj. Këtu, ka edhe shumë kodra dhe qafa malesh me vlera të njohura panoramike dhe turistike, që dallohen për klimën e freskët, ajrin e pastër e frutat e një bimësie të harlisur. Janë të njohura Qafa e Kumbullës, Qafa e Malit, Qafa e Shllakut, Qafa e Mgullës, Qafa e Shtanës, Qafa e Likmetës, Laku i Qershisë, Laku i Thive, Laku i drrasave, Laku i pelave, Laku i Rroshit, Kodra e Pistës, Kodra e Spasit, Kodra e Shikajt, Kodra e Kalimashit, të cilat janë me të vërtetë vende atraktive e tejet turistike, ku mund dhe duhet të ngrihen hane, bujtina, kampingje e ndoshta edhe hotele, si edhe spitale të vogla kurative, çka do ta bënin edhe më të bukur dhe më tërheqëse këtë krahinë, perlë natyrore dhe që gjithsesi do të shtonte edhe të ardhurat e banorëve të mrekullueshëm të saj.
***
Mjaft e pasur është edhe ekonomia pyjore e Malziut, ku vendin e parë e zënë haloret: pisha e zezë, bredhi, dëllinja, me 2/5 e territorit, më pas: ahu, bungu, qarri, panja, frasheri, shkoza, drunakuqi, verri etj., dhe në fund shkurret: boshtrra, bushi, dhe shqema. Ndër drurët frutorë, përmendim: kumbullën, qershinë, mollën, rrushin, ftoin, dardhën, arrën. Por gështenja është druri frutore më i rëndësishëm për këtë zonë, që malziasit, jo me kot, e kanë pagëzuar me emrin “pema e bukës”. Ajo mbulon një sipërfaqe prej 676 ha, ku dallohen “vilat” me gështenja në Shtane, Dukagjin, Kryemadh, Pistë e Gdheshtë. Historikisht ky fryt është përdorur si ushqim për më shumë se 6 muaj në vit, nga fillimi i shtatorit, e deri në muajin maj të vitit pasardhës (e zierë, e pjekur, dhe për prodhim buke). Sot mblidhen mbi 670 tonë gështenja në vit.
Në këtë zonë rriten në gjendje të egër, rreth 130 lloje bimësh mjekësore, tanifere dhe etero-vajore, nga të cilat ekonomia e kësaj zone përfiton çdo vit mijëra dollarë. Përmendim këtu veçanërisht: kamomilin sherbelën, trandafilin e egër, murrizin, boronicën, manaferrën, dëllinjën e zezë dhe të kuqe, xhirokullin, hithrën, shqemën dhe gjethet e pishës së zezë, që në këtë zonë janë me tonelata. Edhe fauna e Malziut është e pasur me kafshë e shpendë të egër si ujku, derri i egër, ariu i murrmë, lepuri, dhelpra, kaprolli, ketri, shparthi, dhia e egër, shqiponja, sorra, mëllenja, pula dhe gjeli i egër.
Nëntoka e Malziut është shumë e pasur në minerale të kromit dhe të bakrit, që gjenden me shumicë në minierat e Kalimashit, Gdheshtës, Pistës, Shëmrisë, Kodër-Spasit dhe Grykën e Serriqes. Malziu përshkohet nga tre lumenj: 1) Lumi i Goskës me dy degë: Goska e Madhe dhe Goska e Vogël 2) Lumi i Srriqes me dy degë: Srriqja dhe Leproj 3) Lumi i Kalimashit me dy degë: Lumi i Mitorit dhe Lumi i Thanzës. Në Veri, Malziun e lag liqeni i madh i Fierzës i krijuar në vitin 1978, uji i të cilit shfrytëzohet në hidrocentralin me të njëjtin emër.
Malziu, përshkohet nga rruga automobilistike nacionale që vjen nga Puka për në Kukës, por që në Kolsh, bashkohet me rrugën e Kombit, autostradën Durrës-Morinë, e cila sot është autostrada më e mirë kombëtare si edhe një nyje lidhëse e fuqishme kombëtare për lëvizjen e njerëzve, mallrave, turistëve dhe zhvillimin e tregtisë. Gjithë fshatrat, pyjet, e kullotat e krahinës lidhen me rrugë dytësore, çka mundëson turistët vendas dhe ata të huaj që të vizitojnë lirisht çdo pëllëmbë toke të kësaj krahine, me qëllim që të shijojnë të gjitha vlerat e një turizmi alternativ që Zoti i ka falë këtij vendi të bekuar.
***
Deri në fillim të shek. të 18-të i gjithë populli i Malziut ka qenë me besim katolik, si pjesë e Dioqezës së Lezhës. Sipas një studimi të Jaho Brahajt (2005), dëshmohet se një kopje e “Mesharit” të Gjon Buzukut, që sipas të gjitha rrethanave e ka origjinën nga Abacia e Shtanës, është ruajtur deri në fillim të shek. XX, në familjen e hoxhës së Fletit, me origjinë nga fshati Dukagjin. Kjo kopje Meshari për fat të keq u dogj nga mizoritë e ushtrisë pushtuese serbe në vitin 1912, pasi u mbrojt me gjakun e pronarit që e ruante dhe trashëgonte prej më shumë se treqind vjetësh .Në kodër Spas, është gjetur një kambanë kishe, prodhim i vitit 1436, që peshonte 100 kg. Mendohet se kambana ishte varrosur në tokë 150 vjet më parë nga një i krishterë, por që më vonë ajo u gjet nga një mysliman, i cili, ia ka dorëzuar Gjok Jakut nga Gojani i Pukës, për ta rivendosur atë, mbas disa vitesh në kishën e Kalivarës në rrethin e Mirditës. Me pushtimin e Malziut nga perandoria Osmane, populli i kësaj krahine padyshim që është konvertuar në fenë muhamedane, e natyrshëm, u ndërtuan xhamitë në fshatrat: Pistë, Shikaj, Dukagjin, Kalimash, Petkaj, Spas, Mgulle, si edhe Tyrbja e Simonit, si objekte të kultit. E megjithëkëtë, tradicionalisht, malziasit, kanë ruajtur marrëdhënie të shkëlqyera me sivëllezërit e tyre katolikë.
***
Shkolla e parë shqipe është hapur në shtator të vitit 1923, në fshatin Dukagjin, me 39 nxënës dhe 1 mësues, Mark Gashin nga Shkodra, ndërsa në vitin 1939 u hap sholla fillore edhe në Petkaj. Pas çlirimit, u hapën shkolla fillore si edhe ato 7, 8 dhe 9 vjeçare, në të gjithë fshatrat, dhe më në fund u hap edhe shkolla e mesme bujqësore në Shemri. Në vitin 1993 Malziu ka pasur 1000 nxënës dhe 70 mësues dhe edukatore. Gjithashtu në këtë zonë ka pasur 7 ambulanca, 5 mjekë, 3 n/mjeke, 5 infermiere si edhe 5 mjek veterinerë, 5 agronom të lartë e dhjetëra të mesëm, 2 shtëpi e 3 vatra kulture. Ansamblet artistike të Pistës, Kalimashit dhe ai i Shënmërisë, vërtetë kanë dhënë një kontribut të veçantë, në veprimtari kulturoro-artistike në shkallë rrethi dhe kombëtare për ruajtjen e vlerave të folkut të ri dhe atij të traditës. Veshja e malziasve është e veçantë. Burrat vishen me këmishë, tirq, jelek, xhamadan, xhurdinë, çorape leshi, opinga lope me gjalma, shokë të gjerë, tallagan prej zhguni, kapuç me maje etj. Ndërsa gratë veshin tlina, këmishë të qëndisur në doreza si dhe afër qafës, xhamadan, çorape me lule dhe me figura gjeometrike, kanaç të kuq rrotull me pala, shami koke të cindisur dhe të zbukuruar me para të kohës, mejtan të zbukuruar me cindisma, gjoksore me para, si edhe rize, të vendosur sipër kanaçit.
Në fushën e gastronomisë kjo zonë ofron mishin e pjekur në hell (ferlikun), cervishin me mish pule, petullat me mjaltë, kaçamakun, mazen, flinë të shoqëruar me mjaltë ose kos, hoshafin me kumbulla, mollë apo dardha të thara, pekmezin, mishin e thatë, rasojn e koke lakrës se bardhe si edhe zahiret e dimrit, etj.
Ne emër të gjithë malziasve, do të vlerësojmë punën e madhe dhe kontributin e veçantë që kanë dhënë në fushën e kërkimit, studimeve dhe shkrimeve për Malziun gjithë autoret e nderuar si Mësuesin e Popullit, dr. prof. Z. Shefqet Hoxha; ish-drejtorin e muzeut te Kukësit, Sami Ferizi; ”Mjeshtër i Punës”, Xhemal Meçe, Dr.Vangjel Kasapi, Ali Hasani, Ukë Sinani, Shaban Hasani, Xhelal Shuti, Hasan Alia (Amerikë), Ferit Hoxha, Hysen Shehu, Jaho Brahaj, Bardhyl Mezini, Bajazit Cahani, Lume Brahaj, Qazim Velia, Alaudin Tabaku e ndonjë tjetër.
Malziu sot ka shume djem, vajza dhe biznesmenë nga më të shkëlqyerit që mundë dhe duhet të mbledhin të gjitha vlerat që Zoti i ka falë këtij vendi, duke e bërë një perlë natyrore mes perlave të tjera të Veriut të Shqipërisë.

Te lumte pena pena per kete shkrim.
Mjaft interresante historia e pershkruar ma siper per perlen e natyres kuksiane Maleziu.
Mu krijue pershtypja.Mos kane te bajne me shperngulje nga kendej drejt uljes se terrenit e vendos pran Adriatikut te kene lidhje origjine me Malin e Zi.
Sepse ka dhe nji te vertet per keto levizje dyndje fisesh nga nji zone ne tjetren.PSh.Postribasit e Merturit siper prane Drinit jane shperngule dhe vendos ne Postriben e mbi Shkodres,siper pran Kirit.Edhe keto ishin katolik por mbas shpernguljes u kthyene ne Mysliman.
Sh flm per kto informacione o patriot se po na informoni edhe ne te rinjve
Pershendetje ne te gjith histografine e malziut duhet te kishit shtuar kishen 2000 vjecare ne kryemadhe ose sic njihet ndryshe laku i kishes me vlera historike te padiskutueshme por harresat e kohes e kan lene jashte vemendjes
Pershkrim shume i bukur., duke menduar se ka edhe shume gjera te tjera per tu shtuar por qe nuk behen dot ne nje shkrim te vetem..
Ju lumtè pèr idenè e nje artikulli mbresleenes per kete krahine malore e piktoreske te Shqiperise se veriut!Uroj qe tradita kaq e pasur me vlera te rralla te ruhet edhe me tutje nga brezat e ri!Shtjellimi i historise mbi konvertimin nga katolik ne mysliman do te ishte e nje rendesie te veçant per brezat e ri!Andaj do te ishte nje pune shume e madhe nese njerezit qe jane ende gjalle dhe qe mbajne mend nga gjysherit e stergjysherit e tyre ti shkruajne gjerat ashtu siç ishin para konvertimit.
Shpresoj shume qe pas ketij pershkrimi kaq te hollesishem per çdo segment te jetes se njerezve dhe natyres se begatuar me te gjitha te mirat vizitoret nuk do te bejne turravrap vetem kah bregdeti shqiptar por edhe kah keto perla natyres shqiptare!
Pershendetje dhe faleminderit gjite atyre qe kan kontribu ne kete shkrim.un kisha nji lutje per gjith ata lexues qe kush ka dicka me shtu kush ka dicka me tregu me shum ose kush ka ndigju dicka nga te vjetrit le tna e tregojn aq sa din per te kaluaren si psh Z.Kadri Saraci qe e ka permend kishen 2000 vjecare.un psh di qe shum nga mbiemrat e fshatit tim kan qend ndryshe nga ato qe jan tani.mesa duket kur jemi konvertu kemi ndryshu edhe mbiemra edhe emra.psh me perpara e kemi pas mbiemrin Pepa ndersa tani Popa.nana jeme i mban mend emrat e babes te gjyshit stregjyshit e deri kur emrat ishin katolik perpara se me u konvertu.mu tani nuk me kujtohen po mbaj mend vetem 3 emrat e pare. Avdi Salihi hasanaj(hasanaj esht mbiemri ,salihi esht emri babes)(gjyshi jem nga nana petkaj)…emra qe nuk me kujtohen tani dhe …Hasan Papa dhe i ati Pape Ndreu
Ju lumt dora atyre ideatoreve dhe kontribuesve ne kte shkrim. Te behet Zemra mal kur degjon te flitet bukur per vendlindjen tende, te njohesh historin e vendit ku je rrit e ku ke kalu femijerin tende. Ne malesort e kemi pas gjithmon zakon me nderu mikun, e ne Malzi kjo esht tejet evidente. Vlen vetem nji detaj fare i vogel per te pa se sa i madh esht ky rrespekt per njeri tjetrin, nese shkon e thrret te cdo njera nga shpit ne Malzi pergjigja do jet “hajde bujrum”. E pas ksaj fshihet gjith nderi bereqeti e rrespekti per mikun! Ishalla kjo tradite do na mbetet edhe ne brezit te ri, e ne tua lem femijeve tane. Faleminderit qe na bet te mburremi edhe me shum me vlerat e vendlindjes tone.