Një bisedë me Nexhmije Hoxhën

anazapta

Nexhmije Hoxha është një emër kompleks, një pjese u shkakton pështjellime, një pjesë janë indiferentë, por ka edhe një pjesë vazhdon të ketë admirim për të. Por, për një gazetar, një takim me Nexhmije Hoxhën është interesant në shumë aspekte. Pas disa ditësh ajo mbush 95 vjeç dhe në peshën e atyre viteve rëndon një histori gati shekullore e Shqipërisë. Fakti që ka qenë bashkëshortja e Enver Hoxhës, njeriut që sundoi me dorë të hekurt Shqipërinë për rreth gjysmë shekulli, e bën edhe më interesante figurën e saj. Për më tepër ajo ruan një freski mendore dhe një vitalitet të habitshëm. Ajo vazhdon të shkruajë thuajse përditë pjesë kujtimesh, u shkruan letra miqve me të cilët mban korrespondencë prej vitesh në Kosovë e vende të ndryshme. Mjafton të kujtojmë se pas daljes nga burgu ku u dënua në të ashtuquajturin “gjyq të kafeve” ka botuar pesë libra.

Ajo ka shumë kërkesa për ta intervistuar brënda dhe jashtë vendit, të cilët i falenderon, por më së shumti i refuzon. Një nga miqtë më të shpeshtë që e viziton në Laprakë, është shkrimtari i njohur Nasho Jorgaqi, për të cilin ajo flet me një simpati të veçantë.

Një takim me të, për një gazetar, është një shans i mirë për të diskutuar mbi historinë e shkuar e të tashme dhe për të krijuar një përfytyrim më realist për ato që kanë ndodhur e ndodhin në këtë vend. Mua si gazetar më ka rënë rasti dhe më janë krijuar mundësitë të bëj shumë intervista e takime me figura e personalitete të historisë moderne të Shqipërisë. Po me Nexhmije Hoxhën nuk isha takuar kurrë në jetën time…

Dje e takova për herë të parë. Shkova bashkë me mikun tim të vjetër, Nexhat Myftiun, në shtëpinë e saj ku banon prej më shumë se njëzet vjetësh, pra në një apartament tejet modest, të sajuar në katin e dytë të ish-pularisë së Laprakës. Banesa ku jeton është befasia e parë. Jam i sigurt se shumë nuk mund ta besojnë se në ç’kushte jeton gruaja e Enver Hoxhës. Nexhati më tregon se tani duket për mrekulli, po ta shikoje në vitet e para ishte një tmerr i vërtetë… Tani është rregulluar disi…

E megjithatë, hyrja në dhomën ku rri Nexhmije Hoxha është e befasishme. Është një pamje gati ireale, si e një bote tjetër, thuajse të harruar për shumë shqiptarë. Do të gabohej kushdoqoftë po të mendonte se Nexhmije Hoxha ka lëvizur sadopak në raport me të kaluarën. Jo, jeta e saj është fiksuar dhe ka mbetur e pandryshueshme në raport me ish-udhëheqësin komunist. Ajo mbron me fanatizëm gjithçka ka mbetur nga trashëgimia e Enverit, ndërsa gjatë bisedës argumenton me një patos të patundur pse Enveri ka pasur gjithmonë të drejtë. Thotë ajo: Edhe pse nuk jemi takuar ndonjëherë së bashku, unë mbaj mend se ju kini ndjekur si gazetar gjyqin tim në vitet ’90.

Në një faqe muri është biblioteka ku ajo ka renditur librat e pafundmë të Enverit, veprat e zgjedhura, kujtimet. Aty ka renditur edhe libra të tjerë që kanë të bëjnë kryesisht me historinë dhe kulturën kombëtare. Ndërsa në faqet e tjera të mureve të asaj dhome modeste ka fotografi dhe piktura me figurën e Enverit dhe familjen Hoxha. Janë përgjithësisht foto dhe vepra arti të njohura të asaj kohe që dominonin jo vetëm mjediset publike, por edhe familjet shqiptare në vitet 70-80 të shekullit të kaluar.

“E di, ju jeni gazetar dhe doni të bëni intervistë. Por, të më falni se nuk do të jap intervistë, me gjithë respektin që kam për gazetën ‘DITA’. Ne vetëm do të bisedojmë”, më thotë ajo, kur i kujtoj porosinë që më kish dhënë kryeredaktori Adrian Thano për t’i bërë medoemos një intervistë.

E kështu, ramë dakord që unë të bëjë thjesht një përshkrim të këtij takimi në shtëpinë e saj dhe bisedës. Dhe unë do t’i qëndroj këtij pakti.

***

Biseda fillon me një përshtypje që Nexhmije Hoxha ka për gazetën ‘DITA’ për të cilën shpreh komplimente për larminë, frymën analitike dhe qëndrimet që mban ndaj historisë së djeshme dhe të sotme të Shqipërisë.

“Mora vesh se po përgatisni një libër me intervistat e Izet Haxhisë. I kam lexuar thuajse të gjitha intervistat e Izetit dhe më kanë pëlqyer, pasi thotë shumë të vërteta për të cilat njerëzit kanë nevojë. Më vjen mirë që për parathënien e librit ka punuar Dr. Sabit Brokaj, i cili është një njeri shumë i nderuar dhe me karakter”.

***

Enver, Nexhmije,Ilir dhe Teuta Hoxha

Enver, Nexhmije,Ilir dhe Teuta Hoxha

Një vit më parë, krejt papritmas mora dy letra nga Nexhmije Hoxha. Ajo sa kishte mbushur 94 vjeç dhe me këtë rast kishte botuar një libër me titullin ‘Kosova e lirë”, një kopje të të cilit ma dhuronte me dedikim. Në letër ajo më shkruante se kishte dëshirë që dalja e këtij libri të njoftohej në gazetën ‘DITA’ dhe më sugjeronte se cilat pjesë mund të zgjidhja për botim.

Pak kohë më vonë unë botova librin tim me hulumtime nga historia e Shqipërisë komuniste, me titullin “Prapaskena”, në epiqendër të cilit ishin figurat e Enver Hoxhës dhe të Mehmet Shehut, prandaj dhe një kopje ia dërgova zonjës Hoxha, si për t’i kthyer “reston” e konsideratës. Çuditërisht, disa muaj më vonë, në muajin shtator të vitit të kaluar zonja Hoxha më dërgoi një letër të gjatë, pasi kishte lexuar me vëmendje librin dhe jepte një gjykim dhe vlerësim për librin. Tashmë ajo letër është bërë publike dhe unë nuk po i rikthehem asaj.

“Kur më dhatë lejen për botimin e asaj letre në DITA, ju më kini thënë shprehimisht se Mehmetin në natën e 17-18 dhjetorit 1981, e vrau Kadri Hazbiu. Pse i qëndroni këtij versioni?”, e pyes për të vazhduar dialogun rreth një teme që vazhdon të ngjallë interes publik.

Përgjigja e saj është lakonike dhe pa ekuivoke:

“Sepse kjo është e vërtetë. Kadriu e vrau Mehmetin, jo në kuptimin e zbrazjes së revolverit, sepse Mehmeti vrau veten, por Kadriu vajti dhe i tha Mehmetit: Ke marrë fund… Je zbuluar! Mehmeti e bëri atë gabim, vrau veten duke i bërë një dëm të pallogaritshëm partisë, Enverit dhe vendit. Ai nuk diskutohej që do të ishte pasardhës i Enverit. E kush tjetër mund t’i dilte përpara atij? Por ai gaboi rëndë… Ua kam thënë edhe në letër: Nuk e vrau Enveri Mehmetin, por është Mehmeti që vrau Enverin! Kjo është e vërteta. Ato që ka thënë Enveri për Mehmetin, por edhe ato që kam shkruar unë më pas, janë plotësisht të vërteta”.

Nuk e vazhdojmë më tej bisedën në këtë çështje.

***

Hidhem në një argument tjetër dhe e pyes: “Në librin e Teutës që u botua vitin e kaluar, kam lexuar se ju jeni bërë pengesë që Sali Berisha të futej në ekipin e mjekëve që kujdeseshin për shëndetin e Enverit”… Dhe Nexhmije Hoxha tregon se si ndodhi që e bëri këtë.

Ajo rrëfen se si Sali Berisha ishte planifikuar të futej në këtë ekip mjekësh, aty nga mesi i viteve ’70. “Mirëpo një ditë më thirri në zyrë Hysni Kapoja e më jep të lexoj biografinë e tij. Aty kishte hije dyshimi enver-nexhmijetë lidhjeve të tij me agjenturën serbe. Vjehrri, gruaja… Jo, i thashë Hysniut, ky njeri nuk mund të bëjë pjesë në ekipin e mjekëve të Enverit. Dhe kështu ai nuk hyri në ekip. A është takuar Enveri me Saliun ndonjëherë? Po. Kur ishte sëmurë Hysniu dhe Enveri i ka dhënë dorën Saliut si një mjeku që u gjend aty. Është e vërtetë ajo që kam treguar para disa viteve se pas atij takimi për ca kohë Saliu nuk u jepte dorën njerëzve të njohur, duke thënë se me këtë dorë kam takuar shokun Enver…”

***

Në një moment e pyes se çfarë ndjeu kur dëgjoi lajmin për heqjen e dekoratave të kohës së diktaturës për persona që kanë pasur poste drejtuese në parti dhe shtet si dhe për persona që kanë dhënë vendime gjyqësore me dënime të rënda në atë kohë, Nexhmije Hoxha thotë se ato dekorata nuk mund të hiqen sepse janë dhënë në një kohë tjetër. “Këta mund të më heqin atë pjesë pensioni prej 30 mijë lekësh të vjetra që marr si veterane e luftës antifashiste. Kjo po, ma vështirëson situatën ekonomike, pasi me atë pension të vogël që marr (do më mbeten 240 mijë të vjetra) më duhet të paguaj një grua që më shërben disa orë në ditë, më duhet të paguaj taksat për ujin e dritat… Kjo po, është e rëndë për mua”, thotë ajo.

Share This Article
1 Comment
  • ENVER HOXHA

    Ne vendin qe ka liri
    Do ngre bustin me flori
    Enver Hoxhen djale te ri
    Per cdo dite do ndez e qiri
    Prane statujes se Lirise
    Te ndrije ylli I Shqiperise
    Rrugen ti tregoj vegjelise
    Qe te shkoi drejt diturise
    Ta marr vesh bota mbare
    Enver Hoxha ish Shqiptare
    Ndricoi naten si fanare
    Leshoi drite per te pare
    Zhduku bej dhe yzmeqare
    Malet i kthehu ugare
    Grur dhe miser ne hambare
    I la bangat me thesare
    Ai shkriu malet me bore
    I vuri Shqiperis kurore
    Se vet ish madheshtore
    Si ylberi me kolore
    Te quajten dhe dictatore
    Ata qe te puthnin dore
    Vet na dolen dezertore
    U shiten per nje lakrore
    Historia eshte percare
    Kane dale larte ca zuzare
    Deri dije syte pa lare
    Sot jane shpallur si te pare
    Kuvendojne mizat e kalit
    Neper pellgjet e mocalit
    Duan ti ulin majen e malit
    Se nuk shohin nga syte e ballit
    Eshte diamant gurri gjerdanit
    Mbi kuroren e Vatanit
    Lare nga gjaku i istikamit
    Se thane dot ere e murlanit
    Ne per ty jemi krenare
    Per cdo dit lule mbi vare
    U derdh loti i papare
    Ne cdo vend ku kish shqiptare

    Larte ne qiell me shkreptime
    Malet leshuan bubullime
    Lumenjt fryhen me terbim
    Populli qau me ngasherime
    Planetet derguan kurore
    E percollen dor me dore
    Si kristali me debore
    E vendosen mbi Tomore
    Dallget deti do ti ndale
    Dielli do te ndris ngadale

    E verteta ne drite do dale
    Kush na ishte ai djale
    O Enver ylli me nure
    Populli nuk te haron kure
    Do ta ngreme kalan me gure
    Do te qendisim ne Flamure
    E bere dimrin pranvere
    Largove stuhit me ere

    Bere shum gjera me vlere
    O Hazreti yne Envere
    O Mason mendje ndritur
    E gjith vepra qe ke ngritur
    Do te ngelet e skalitur
    Neper shekuj e rinditur

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *