Prokuroria e Tiranës siguron disa nga dëshmitë e ish-punonjësve të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, që kanë rrëfyer se urdhri për 6 prokurimet fiktive me dokumente false dhe pamje të montuara u dha direkt nga ish-ministri i arrestuar, Spiro Ksera.
Ndërsa në dokumente ekziston edhe firma e tij që ka lejuar lëvrimin e 30 mln lekëve nga fondi rezervë për shtresat në nevojë. Sipas deklaratave të vartësve të pyetur nga organi i akuzës, ata ishin detyruar nga ish-ministri të hapnin procedurat e prokurimit në kundërshtim me ligjin, për 6 aktivitetet që nuk u zhvilluan asnjëherë.
Para arrestimit të Spiro Kserës, prokurori Ndini Tavani ka administruar në dosje deklarimet e 2 dëshmitarëve, ish-punonjës të kabinetit, të cilët kanë shpjeguar me detaje për 6 eventet në letra. Mësohet se ndër të tjera, ata kanë deklaruar se në prill të 2013 ish-ministri Ksera ka kërkuar një listë aktivitetesh në lidhje me programin e mbrojtjes sociale për të gjithë institucionet që mbuloheshin nga politikat sociale.
Kjo i është dorëzuar nga njëra prej dëshmitarëve, që kishin të bënin me fëmijët në nevojë dhe moshën e tretë. Dëshmitarja i ka thënë prokurorisë, se ish-ministri Ksera ka kërkuar që të rishikohet lista e aktiviteteve, duke bërë përzgjedhjen e aktiviteteve të kërkuara nga vet ai, që lidhet me fëmijët e familjeve në skemën e ndihmës ekonomike dhe tjetri për moshën e tretë. Madje ka përcaktuar vetë modalitetet, vendin dhe datat e zhvillimit të tyre.
“Duke kërkuar verbalisht nga dy dëshmitarët e prokurorisë, që aktivitetet të zhvillohen në komuna të përcaktuar prej tij, duke caktuar numrin e fëmijëve që përfshihen, përzgjedhjen e zonave, si dhe të njëjtën procedurë edhe për të moshuarit e Shtëpisë së të Moshuarve në Tiranë”, thuhet në dosje.
Por pavarësisht përcaktimit të këtyre eventeve, ata asnjëherë nuk u organizuan. Dy dëshmitarët kanë pretenduar se shkresa që ata i kanë dorëzuar ish-ministrit me datat e aktiviteteve, janë ndryshuar dhe janë përshtatur me datat e organizimeve fiktive të deklaruara në zyrat e financave ku edhe janë tërhequr parat.
Deklarimet e dy ish-punonjësve të ministrisë implikojnë ish-ministrin Ksera në bashkëpunim me shefin e kabinetit, të arrestuarin Kleves Bitro, vartësin tjetër të ndaluar, Artevis Mene dhe 3 të fundit në kërkim.
“Urdhrat e lëshimit të fondeve për këto 6 evente të pa zhvilluara janë firmosur nga vetë ish-ministri Ksera”, tha prokuroria, duke e rënduar më shumë pozitën penale të ish-zyrtarit. Ksera u arrestua mbrëmjen e të premtes në Gjirokastër, së bashku me Menen dhe financieren e firmës “Shpresa”, Pranvera Lile, kurse në Tiranë u kap ish-zyrtarja Elda Kozaj. Dy gratë u lanë me masë të butë sigurie. Ndërkohë që Ksera dhe Mene në “arrest me burg” dhe e njëjta masë në mungesë për 3 të kërkuarit.
Vlera e vjedhur në 6 aktivitete:
9,6 mln lekë, aktiviteti për minoritetet
4,4 mln lekë aktiviteti për romët
4,7 mln lekë aktiviteti për fëmijët PAK
3,7 mln lekë për fëmijët dhe të verbrit
3,4 mln lekë për pensionistët
4,3 mln lekë për fëmijët.

Qe te ishim me te qsrte ne lexuesit duhet te na jepnit edhe pronat e ketij Sterres (psra dhe pas qenjes se tij si minister… Ne burg e kane vendin hajdutet dhe pronat leket e tyre ne arken e shtetit. Ne te kundert asgje qe kryhet e shkruhet nuk kà vlere..