“Grupi i tretë” për vrasjet në Elbasan

Saimir Lleshi

Autorët e atentatit të mbrëmjes së mërkurë në kompleksin “Univers” në Elbasan dyshohet se janë vrasës me pagesë dhe profesionistë.

Grupi hetimor pas 50 shoqërimeve të kryera, mes tyre edhe anëtarë të familjes Mema dhe të afërm të tyre, i ka lënë të lirë për shkak të alibive të deponuara dhe mungesës së provave se ata në momentin e krimit ndodheshin në vendngjarje.

Për këto rrethana dyshimi kryesor është se në atentat janë përdorur persona të tjerë të paguar, ose anëtarë të një grupi të tretë që ka marrë përsipër që së bashku me hakmarrjen të hiqte qafe një prej karteleve rivale në trafikun e drogës në Elbasan, Itali, Zvicër dhe deri në Holandë.

Për këtë shkak hetohen edhe lidhjet me vrasjet e tjera të ndodhura në qytet dhe jashtë tij, si dhe konfliktet me fisin Çapja. Janë sekuestruar kamerat e sigurisë dhe ndërtuar skema e atentatit, pozicionet e viktimave, por nuk ka gjurmë të makinës “Benz” me ngjyrë gri, edhe pse u kontrolluan mbi 150 garazhe dhe 200 banesa.

Zyrtarisht është deklaruar se pista e atentatit është hakmarrja mes fiseve Mema dhe Çapja, me 10 viktima në po kaq vite dhe një tjetër aksidentalisht teksa pa se i ekzekutohej i biri në banesë. Sipas përllogaritjeve, deri tani ka 4 viktima në fisin Çapja dhe 6 në fisin Mema, kryesisht farefisni apo lidhje krushqie.

Por hetuesit nuk përjashtojnë pistat e tjera hetimore, si ajo e trafikut të drogës për shkak se një nga viktimat e kësaj vrasje, Eno Bedalli, ka qenë i arrestuar në  2013-ën si pjesë e trafikut të kokainës nga Holanda në Itali. Po kështu faktin se në lojë ka hyrë një grup i tretë mes palëve që mund të ketë shfrytëzuar hasmërinë.

Me këtë rast eliminonte klanin Çapja dhe merrte kontrollin e trafikut. Sikurse dyshohet se ky grup me ndihmën e fisit Mema të ketë kryer atentatin me të dyja qëllimet ndaj fisit Çapja. Por këto mbeten për t’u verifikuar. /Dita/

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *