James titullar, “shpëtimtari” i sulmit të Skënderbeut

redaktor

Rezultatet e dy ndeshjeve të para të 2016-ës me Vllazninë në Kupën e Shqipërisë dhe në kampionat, kanë ngritur me të drejtë dyshimet nëse do të vijojë të jetë Skënderbeu skuadra që bën diferencën me rivalët e Superiores.

Largimi i Peter Olaynkas dhe i Bernard Berishës gjatë merkatos së janarit është reflektuar në mungesën e golave ndaj shkodranëve, që arritën të barazonin 0-0 në Kupë dhe të fitonin 1-0 në kampionat falë golit të Kalajës.

Drejtuesit e Skënderbeut, duke e ndier presionin e problemeve me sulmin, reaguan menjëherë në ditët e fundit të merkatos duke blerë James Adenyi nga Laçi, që ka përfshirë në marrëveshje një klauzolë që i jep të drejtën të ketë në pronësi gjysmën e kartonit të nigerianit.

Josa sigurisht që është lumturuar kur i kanë vënë në dispozicion një sulmues që ishte shndërruar në makthin e kundërshtarëve në Superiore, madje e ka projektuar afrikanin titullar përkrah Hamdi Salihit në sfidën ndaj Kukësit, skuadër të cilës 23-vjeçari i ka shënuar në barazimin 1-1 të arritur në Laç më 12 dhjetor.

Trajnerit tiranas i kanë mjaftuar vetëm disa seanca stërvitore, për t’i besuar një lojtari që ka realizuar 9 gola në kampionat gjatë dy fazave të para.

Përsa i përket pjesës tjetër të skuadrës, Josa pritet t’i besojë rreshtimit klasik 4-4-2, ku në mesfushë pas një periudhe të gjatë në infermieri rikthehet Nimaga, në krah të të cilit do të vendoset Eskuerdinja, ndërsa Progni dhe Latifi do të vendosen në krahë.

Asnjë ndryshim në fazën mbrojtëse ku do të luajnë Vangjeli dhe Arapi nga krahët dhe dyshja Radas – Jashanica në qendër.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *