Më 2 shkurt të këtij viti në New Museum, në Manhatan është çelur ekspozita vetjake e artistit shqiptar Anri Sala, të cilin ky muze e quan një prej artistëve më të vlerësuar të dekadave të fundit. Kjo ekspozitë shënjon vëzhgimin më gjithëpërfshirës të veprës së artistit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Duke vënë në pah interesin e vazhdueshëm të Anri Salës në mënyrën sesi tingulli dhe muzika mund të angazhojnë arkitekturën dhe historinë, ekspozita “Anri Sala: Answer Me” përmbledh instalime shumëkanalëshe audioje dhe videoje, të cilat shpalosen në galeritë e katit të dytë, të tretë dhe të katërt të muzeut duke kompozuar një përvojë simfonike specifike për New Museum –in. Në veprat e tij të hershme video nga fundi i viteve ’90, Sala përdorte strategji dokumentari për të ekzaminuar jetën pas komunizmit dhe historitë politike. Qysh prej fillimit të vitit 2000, veprat e tij video kanë hetuar pasojat psikologjike të përvojave akustike, duke përqafuar si muzikën dhe tingullin, ashtu edhe gjuhën, të afta të ngjallin imazhe, të zgjojnë nostalgji dhe të komunikojnë emocione. Në narrativën e mprehtë pamore, Sala shpesh portretizon atë çka duket të jenë fragmente të përditshmërisë, si edhe eksperimentin e tij me vëzhgimet intime, gërshetuar me fiksonin që vijnë të dyfishuara si portrete enigmatike të shoqërisë.
Prej mesit të viteve 2000, veprat e Salës kanë shfaqur muzikantë si në filma dhe performanca live: në filma si Long Sorrow (2005) dhe Answer Me (2008), muzikantët akordojnë rekuiemë për dështimin e historisë së përgjumur në arkitekturën që i rrethon.
Në Le Clash (2010) dhe Tlatelolco Clash (2011), organistët shëtisin rrugëve të shkreta, duke amplifikuar një ndjesi alienimi dhe pasigurie me interpretimet e tyre të papritura të këngëve të njohura. Ekspozita gjithashtu përfshin një performancë live, titulluar 3-2-1 (2011/16), në të cilën saksofonisti André Vida improvizon, së bashku me vajtimin e regjistruar të muzikantit Jemeel Moondoc në Long Sorrow, duke u përhapur në dinamikat e xhazit të lirë, në një duet që ndryshon në çdo recital. Përmes këtyre veprave, muzika oshtin njëherazi si çlirim purgativ dhe si një yshtje që evokon kapituj historikë që nuk janë as të largët e as të mbyllur.
Në veprat e fundit, Sala ka interpretuar kompozime muzikore në video shumëkanalëshe dhe instalacione tingullore, që theksojnë perceptimin e tingullit në marrëdhënie me hapësirën arkitekturore. Kjo ekspozitë paraqet një eksplorim të The Present Moment (në katin B) (2014) dhe The Present Moment (në D) (2014), në të cilin ai rindërton “Verklärte Nacht” (Natë e Shfytyruar, 1899) të Arnold Schoenberg –it , për të krijuar ndjesinë se notat individuale, të abstraktuara nga kompozimi, udhëtojnë lirshëm përmes galerisë përpara grumbullimit dhe luajtjes në përsëritje si të ngërthyera në një qorrsokak hapësinor. Ekspozita gjithashtu përfshin premierën amerikane të instalimit goditës të Salës Ravel Ravel Unravel (2013), ekspozuar së pari në Bienalen e 55-të të Venecias, ku Sala përfaqësoi Francën.
Anri Sala i lindur më 1974-ën, në Tiranë, e kryen aktivitetin artistik në Berlin. Ai ka ekspozuar ndërkombëtarisht për shumë vite, me shfaqje solo në Haus der Kunst, Mynih (2014); Bienalja e 55-të e Venecias (2013); Qendra Georges Pompidou, Paris (2012); Galeria Serpentine, Londër (2011); Qendra e Arteve Bashkëkohore, Cincinnati (2009); Muzeu i Artit Bashkëkohor, Majami i Veriut (2008); dhe Fondazione Nicola Trussardi, Milano (2005); si edhe në shumë vende të tjera. Ai është vlerësuar me çmimin Vincent (2014), Çmimin e 10-të Benesse (2013), Çmimin e Artit Absolut (2011) dhe Çmimin e Artistit të Ri në Bienalen e Venecias (2001). Ka marrë pjesë në shumë ekspozita kolektive dhe bienale, si bienalen e 12-të të Havanës (2015), Bienalen e 11-të Sharjah (2013), Bienalen e 9-të Gwangju (2012), Documenta (13) (2012), Bienalen e 29-të të San Paolos (2010), Bienalen e dytë të Moskës për Artin Bashkëkohor (2007) dhe Bienalen e 4-t të Berlinit (2006).
Ekspozita është kuruar nga Massimiliano Gioni, drejtor artistik, Margot Norton, kurator i asociuar dhe Natalie Bell, kuratore asistente dhe do të qëndrojë e hapur deri më 10 prill të këtij viti.
