Daja: Ta thyejmë Laçin për të synuar Europën

redaktor

Transferta e Laçit është ndalesa e radhës për Tiranën që e ka nisur vitin 2016 me dy fitore. Trajneri i skuadrës bardheblu, Ilir Daja, shprehet optimist për sfidën e së dielës. Në konferencën për shtyp, ai u ndal gjatë te analiza e ndeshjes kundër kurbinasve, duke theksuar se Laçi është një kundërshtar i vështirë por grupi i drejtuar prej tij do të luftojë për të dalë me 3 pikë nga fusha kurbinase. Në vijim, Daja shtoi se tabuja e fushës së Laçit duhet thyer dhe testi i së dielës do të jetë shumë i rëndësishëm në këtë aspekt.

“E vlerësoj grupin që ka ruajtur Laçi që prej disa sezonesh. E njohin shumë mirë lojën e njëri-tjetrit. Takimet në shtëpi janë më konkretë dhe kjo e shton shkallën e vështirësisë por ne kemi cilësi dhe ajo që është më e rëndësishme është fakti se të gjithë luajnë në funksion të lojës së grupit”, thekson tekniku i bardhebluve.

Largimi i James e ka dobësuar skuadrën e Stavri Nicës, por trajneri kryeqytetas nuk është dakord me këtë fakt, duke theksuar se kurbinasit kanë një grup të bashkuar dhe largimi i një lojtari nuk e prish harmoninë e grupit të tyre. Daja shprehet: “Ka dy anë të medaljes, sepse kur ikën një lojtar titullar, krijon vakum, por ka edhe anën pozitive sepse ndoshta e gjithë loja e Laçit ishte e fokusuar te James dhe ky lojtar mund të markohej. Me largimin e tij mund të kenë një hapësirë më të madhe për ta shpërndarë më shumë lojën”.

I pyetur nëse në Laç, Tirana do të luajë e kujdesshme në mbrojtje si në transfertën e Vlorës apo do t’i kushtojë vëmendje sulmit si në Pukë, Daja u përgjigj: “Natyrshëm që do të shkojmë në Laç për të luajtur si në Vlorë, duke u kujdesur për mbrojtjen dhe për të dalë me kundërsulme të shpejta. Do të jemi shumë të kujdesshëm, pra kjo ndeshje do t’i ngjajë më shumë transfertës së Vlorës”.

Trajneri i Tiranës e pranoi se është i kënaqur me atë që lojtarët kanë treguar në fushë nën drejtimin e tij, por premtoi se skuadra bardheblu do të punojë për t’u rritur edhe më shumë: “Gjërat vijnë gradualisht dhe shpresojmë që të rritemi më shumë. Falënderoj të gjithë lojtarët që janë përkushtuar maksimalisht. Duke na u shtuar edhe lojtarë të tjerë në ekip, mendojmë të bëjmë më mirë se çfarë kemi bërë”.

Në fund, edhe pse nuk pranoi të ndalej gjatë në çështjen e gjykimit të sfidës, Daja kërkoi që arbitri të tregohet i kujdesshëm për të mos lejuar lojën e rëndë, duke e pranuar se Laçi është një ekip agresiv pasi të tillë ka stilin e lojës.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *