Ikja e palavdishme e “Agjentëve të Kurorës”

Saimir Lleshi

Kompania britanike “Crown Agents” do të largohet nga Shqipëria.

Përveç se mori rreth 8 milionë euro për “shërbimin” e saj pranë doganave shqiptare, nuk pat ndonjë sukses tjetër.

Kompania sqaronte në një letër kohë më parë se korrupsioni ishte i përhapur gjerësisht në doganat shqiptare dhe skemat nuk mund të ‘çaktivizoheshin’.

Gjithsesi, marrëveshja midis kompanisë dhe qeverisë shqiptare kishte tre synime kryesore; rritja e integritetit të administratës doganore; përmirësimi i kapaciteteve dhe efektivitetit në administrimin e doganave si dhe rritjen e nivelit të të ardhurave në buxhetin e shtetit.

Megjithëse Ministria e Financave e rendit të tretën këtë pikë, ajo mbetet më e rëndësishme.

Pas dy vitesh bashkëpunimi, Ministria e Financave e vlerëson si të suksesshëm marrëveshjen, duke renditur edhe katër komponentë që sipas saj janë rritur.

“Nga rezultatet e arritjeve në shifra në lidhje me punën në terren me Crown Agents (CA), sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, theksohet se janë realizuar 17 000 inspektime, janë gjetur 4 500 shkelje”, sqaron Ministria.

Më tej thuhet se një arritje tjetër e bashkëpunimit efektiv me CA është lehtësimi dhe përshpejtimi i procedurave doganore.

“Kështu, është arritur ulja e kohës së përpunimit të autorizimeve në 1.5 ditë, është përmirësuar shërbimi që mundësohet përmes postës elektronike si dhe ka një konsolidim të gjithë shërbimeve të sistemit të pagesave përmes bankave”, thekson deklarata.

Asistenca e Crown Agents-sipas deklaratës- ka dhënë rezultat edhe në rreth 25 hetime të përbashkëta, ku janë propozuar 28 masa disiplinore dhe janë arrestuar në flagrancë edhe agjentë doganorë.

“Në rastet kur është konstatuar kontrabandë, në bashkëpunim me CA, janë bërë 19 kallëzime penale dhe janë realizuar 14 operacione të përbashkëta, ku u shkatërruan rreth 7 200 copë mallra të piratuara, në zbatim të detyrimeve ligjore të mbrojtjes së pronësisë industriale, etj”, thuhet më tej.

Në vijim të deklaratës, Ministria e Financave sqaron se qëllimi i marrëveshjes nuk ishte vetëm rritja e mbledhjes së të ardhurave në dogana.

Sipas Financave, synimi ishte edhe lufta ndaj korrupsionit, miradministrimi, si dhe përmirësimi i performancës dhe burimet njerëzore. /S.Ll/Dita/

 

Share This Article
3 Comments
  • Ikja e palavdishme!!! Po rilindesit u shqyen duke e paraqitur si te suksesshem bashkepunimin. Kush do t’i mbaje pergjegjesite e ketijn deshtimi? Valle ai qe u be nismetar i ketij bashkepunimi? Po ne burg a nuk do te shkoje askush, apo varja se jane milionat e shtetit/qytetareve dhe rilindesit jane mesuar te fusin ne burg vec hallexhinjte e jo milioneret.

  • Interesohuni mire qe te kuptoni pse po ikin. I ka shkuar nje liste me subjekte te cilave duhet ti zerronin te gjitha debite ne dogana dhe CA pervec problemeve te tjera aq deshen dhe iken!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *