4 fitore radhazi për Tiranën në transfertë, por 0-3 e arritur në Laç është padyshim më e rëndësishmja, me bardheblutë që thyen “tabunë” e transfertës bardhezi me një pjesë të dytë fantastike që konfirmon dhe fillim vitin fantastik të skuadrës së Dajës, që ecën me ritëm europian në renditje, ashtu si dhe golat që shënon.
Një perlë e Bakajt, por dhe finalizimet e Muzakës dhe Hugo Almeidës i dhanë një fitore të merituar kryeqytetasve që ruajnë vendin e 3-të në renditje, duke shfaqur mbi të gjitha cilësi dhe në fazën e sulmit, që në pjesën e parë të kampionatit nuk është se kishte qenë arma plus e kësaj skuadre.
Transferta e Laçit nuk ka qenë asnjëherë e thjeshtë për bardheblutë, që fitoren e fundit e kishin regjistruar në vitin 2012 dhe kjo u konfirmua dhe në fillimin e sfidës me kurbinasit, që me largimin e James gjetën te Cetkovic futbollistin e tyre më të rrezikshëm, teksa në të 4-trën shtylla bardheblu u trondit fort.
Përballë një skuadre të mbledhur, si Laçi, Tirana e pati të vështirë të dilte përpara portës, ndërsa kurbinasit vazhduan të kërkonin golin me goditje nga distanca. Rastin e parë bardheblutë e krijuan në të 25’, me Muzakën që dha një top të përsosur për Likën, por shkodrani u ndal nga Vujadinovic. Lika kishte një mundësi të mirë dhe në të 33-tën, por u ndal në çastin e fundit.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa e dyta nisi sërish me Laçin më mirë, që në të 53’ panë Bakajn t’i mohonte golin Mitrajt. Kjo në fakt do të ishte ndeshja e Bakajve, pasi pas pritjeve të Edvanit ishte Elisi që me një goditje dënimi të jashtëzakonshme kaloi përpara bardheblutë.
Goli çliroi Tiranën, që në minutën e 71-të dyfishoi shifrat me Gjergji Muzakën, që realizoi golin e 0-2 pikërisht në fushën ku pësoi një prej dëmtimeve më të rënda në karrierën e tij. Kjo ndeshje i shërbeu dhe Hugo Almeidës për të kuptuar se bëri mirë që zgjodhi bardheblutë, pasi braziliani në të 80-tën shënoi dhe golin e 3-0 duke vënë vulën në suksesin e Tiranës, që forcon pozitat në vendin e 3-të falë dhe një humbje të Kukësit në Korçë.
