“Crown Agents” u përjashtua nga taksat

Saimir Lleshi

Qeveria shqiptare njoftoi të dielën mosrinovimin e kontratës me kompaninë e konsulencës në dogana, Crown Agents. Por, si ka qenë historia e kontratës, sa u realizuan kushtet e saj dhe a ishte kjo një kontratë, ku përfitimet i tejkaluan kostot?!

E konceptuar si një kontratë konsulence e ndërthurur me aksione në terren, kompania do të fitonte si pagesa 8.5 milionë euro në dy vitet e para të aktivitetit, plus 400 mijë euro për makina dhe të tjera pagesa për zyrat dhe infrastrukturën operacionale në Shqipëri.

Situata nuk ka qenë shumë dramatike në vitin e parë kur të ardhurat neto në fund të 2014-s ishin 10.9 miliardë lekë më shumë se në vitin 2013, ndonëse plani vjetor nuk u realizua me 5.5 miliardë lekë ose -3.5%.

Por gjithsesi, Crown Agents nuk e ka përmbushur detyrimin kontraktor me qeverinë shqiptare, pasi të ardhurat faktike ishin vetëm 78 milionë euro më shumë, ndërkohë që kontrata e kërkonte që ato të mos ishin më pak se 90 milionë euro.

Por situata u bë alarmante në 2015-n, ku performanca e doganave ka rënë dukshëm si me planin dhe me faktin e vitit. Sipas Monitor, deri në fund të muajit nëntor, doganat kishin grumbulluar 7.3 miliardë lekë më pak në krahasim me faktin e vitit 2014, dhe 9.5 miliardë lekë më pak se plani i vitit. Siç shihet nga rezultatet e të ardhurave doganore, kompania britanike, Crown Agents, jo vetëm që nuk e ka përmbushur detyrimin kontraktor për rritjen e të ardhurave, por deri në fund të nëntorit ato ishin 52 milionë euro më pak se fakti i vitit 2014.

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ka thënë më 12 nëntor të vitit 2013 në Komisionin e Ekonomisë se “treguesit e performancës do t’i kushtëzojnë pagesën nga ana e qeverisë shqiptare kompanisë Crown Agents deri në 25%. Ndërkohë deri në 10% e pagesës kushtëzohet me objektivin e përcaktuar që të ardhurat nga të doganat të arrijnë jo më pak se 90 milionë euro në vit”.

Shqipëria si një vend me zhvillim, ku ekonomia e saj është bazuar në konsum dhe volumi tregtar vjetor me jashtë është mbi 500 miliardë lekë ka njohur raste të mëdha të kontrabandës. Si rasti i naftës virgjin në vitin 2011, ku 11 pronarë dhe administratorë të kompanive “Fisheku” dhe “Eurooil”, u futën në burg. Aktualisht të dy kompanitë kanë falimentuar. Por në dy vitet e fundit, kapja e rasteve të mëdha të kontrabandës ka munguar, edhe pse grosistë brenda tregut të cigareve dhe karburanteve pohojnë se kontrabanda në këto produkte është në nivele të larta.

Si u përjashtua Crown nga taksat

Sipas përcaktimeve në kontratë, Crown Agents ka përfituar për dy vjet 8.5 milionë euro nga fondet e taksapaguesve. Ekspertët e ekonomisë e patën paragjykuar kontratën me Crown Agents që në nisje të saj, por tani qeveria duket se është bindur pas eksperimentimit dyvjeçar duke sinjalizuar edhe mosrinovinim për vitin e tretë të konsulencës.

Crown Agents, përveçse ka përfituar pagesat fikse dhe pagesa të tjera ekstra për shpenzimet e drejtpërdrejta, ka qenë e përjashtuar nga taksat.

Sipas marrëveshjes me qeverinë shqiptare të botuar në Fletoren Zyrtare nr. 194 të vitit 2013, kontraktuesi (Crown Agents) është përjashtuar nga tatimfitimi, tatimi mbi dividentin, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar në import dhe tarifat doganore, taksat dhe tarifat në nivel vendor.

Personeli ka qenë i përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat personale, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore dhe nga TVSH-ja dhe tarifat doganore, në lidhje me importet për sendet e tij vetjake.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *