REPLIKA / KU GABON PROFESORI

anazapta

Të rrekesh të shpëtosh nga e keqja me anë të së keqes, do të thotë të biesh edhe më keq në kthetrat e së keqes. Vetëm kaq mund t’u thuhet të gjithë atyre, përfshi edhe profesorin e nderuar Servet Pëllumbi që shpëtimin e PS nga “intriga Blushi”, përpiqen ta arrijnë jo me anë të së mirës, pra duke e përballur demokratikisht, por me anë të së keqes, duke dhunuar demokracinë e brendshme, statutin e partisë. Nuk duan të kuptojnë se një rrugë e tillë të shpie te një formë tjetër e së keqes, ndërsa çështja është t’i largohesh asaj.

Të gjithë ata që duan të shmangin një zgjedhje të kryetarit në Kongresin e ardhshëm të PS edhe pse nuk e thonë, e mendojnë Ben Blushin, si një karrierist apo delfin të Fatos Nanos që po tenton të përçajë PS dhe të rrëzojë Edi Ramën nga posti i kryetarit dhe vetëkuptueshëm, edhe nga ai i kryeministrit. Ndoshta kanë të kenë të drejtë. Lufta e klaneve brenda llojit nuk vdes kollaj dhe etja e shpagimit për lidershipin e humbur, lavdinë dhe privilegjet që e bashkëshoqërojnë atë, është një karburant i pashtershëm. Aq më shumë në Shqipëri. Kuptohet, një gjasë e tillë do të qe e uruar edhe nga shpresëhumburi por ustai i intrigave afatgjata, Berisha, që nuk bëri më kot dikur aleancë me “të ikurin” Nano. Ndoshta frytet e hidhura të asaj aleance po shfaqen sot. E megjithatë, edhe në qoftë kështu, a është rruga e antidemokracisë ajo shpëtimtarja dhe e vetmja për përballjen e një intrige të tillë?

S’ka asnjë dyshim që një përmbysje e Ramës nga “fraksioni Blushi” do të qe ndjellakeqe jo vetëm për PS, por edhe për Shqipërinë. Sepse në qeverisjen e Ramës mund të qëmtosh jo pak të meta, por njëherazi, edhe mjaft arritje në shtetformim që nuk mund t’i qëmtosh në asnjë nga qeverisjet e derisotme të tranzicionit. Në fakt, kjo qeveri po kuron shumë nga plagët antishtet (sëmundja kronike nga e cila kanë vuajtur përherë shqiptarët) që i kanë shkaktuar vendit keqqeverisjet e deridjeshme. Një rrëzim i qeverisë Rama sot, do ta rifuste fatin e Shqipërisë në kthetrat e gjithë zorzopëve dhe klaneve të politikës së vjetër që e kanë zhvatur dhe përgjakur në këto më shumë se dy dekada tranzicion duke pasuruar kafshërisht veten, familjet dhe klientët e tyre. E kam fjalën, në radhë të parë, për klanet berishiste dhe nanoiste, harmonia e gjakimeve të të cilëve kundër Edi Ramës, nuk është më një sekret.

E mira e vendit dhe e integrimit të Shqipërisë në BE, e do që stabiliteti i qeverisë Rama të ruhet me çdo kusht. Por “me çdo kusht” nuk do të thotë edhe duke dhunuar demokracinë e brendshme në PS sepse, një gjë e tillë, do na shpinte pikërisht te ajo e keqe që duam të shmangim, do të thoshte që nga një e keqe të kalojmë për shpëtim në një të keqe tjetër. Të shpëtojmë “Rilindjen” duke ja hequr demokracinë?! Po a nuk është kjo njësoj si të përpiqesh të shpëtosh pyllin nga zjarri duke hequr ajrin që, edhe pse ushqen zjarrin, është po aq jetik edhe për pyllin?

Një lidership që i shpëton sulmeve dhe intrigave duke mbytur demokracinë në parti, nuk mund të mos përfundojë duke mbytur demokracinë edhe në shtet. Eshtë aksiomatike. Kjo është, në fakt, metamorfoza e të gjithë liderëve që janë shndërruar në diktatorë, katilë dhe vrasës jo menjëherë por gradualisht, nga nevoja për të mposhtur një të keqe të momentit apo një rrezik të përkohshëm, “për të mirën” e Shqipërisë, publikut, “popullit”. Kështu u bë diktator edhe Enver Hoxha. Kështu u bë autokrat edhe “sjellësi i demokracisë” Berisha. Thjesht duke i mbyllur gojën sot Sejfulla Malëshovës apo Spartak Ngjelës, nesër Liri Belishovës apo Uran Butkës, pasnesër Todi Lubonjës apo Neritan Cekës. Oreksi vjen duke ngrënë. Partia nis e ushqehet me bijtë e vet, lideri duke ngrënë shokët e vet dhe në fund fare, kullufit edhe demokracinë duke u justifikuar dhe racionalizuar se “nuk kishte rrugë tjetër”. Rrugë tjetër po për ku?! Befas, kur është tepër vonë, shohim se kemi ecur në të përkundërt të saj që synonim, se lufta në emër të demokracisë dhe lirisë (së mirës) na ka flakur në polin e autokratizmit e më pas, edhe të diktaturës ( së keqes).

Shqipëria duhet të largohet me çdo kusht nga vrima e zezë e traditës, ende të fuqishme, të autokratizmit dhe antidemokracisë që tenton të rithithë. Dhe për këtë nuk ka rrugë tjetër veçse duke i qëndruar besnik parimeve mbi të cilat funksionon demokracia. Në radhë të parë në PS, që është partia më e madhe dhe që ka shpallur ambicien e lavdërueshme për një Rilindje të aspiratës së demokracisë dhe në shteti me liri.

Por PS nuk mund ta rilindë demokracinë në Shqipëri duke e shtypur atë në gjirin e saj. Prandaj Rama duhet ta sigurojë vazhdimësinë e lidershipit të tij në PS demokratikisht, me anë të rizgjedhjes sipas normave të Statutit nëse dëshiron që karriera e tij të mbetet një investim në rrugën e demokracisë. Ndryshe do të ecë në shtigje të stërshkelura nga autokratë e diktatorë para tij.

Këtu është radha për një replikë me Servet Pëllumbin i cili, në një prononcim dy ditë më parë, këshillon që PS të anashkalojë demokracinë:

Kopertina“Ne gjendemi para një situate të tillë që kryeministri që është edhe kryetar partie, u votua në 2013 edhe nga socialistët edhe nga elektorati, u votua në 2015-n, pra mori dy herë mandate edhe nga socialistët edhe nga populli, atëherë pse u dashka të bëhet edhe një votim pa u mbaruar mandati, në mes të mandatit, kur ka probleme të tjera më të mprehta, kur dihet se ka një skenar që duan t’ja ndërpresin jetën kësaj mazhorance për të kaluar në një mazhorancë tjetër me PD-në, apo në zgjedhje të parakohshme”- thotë Pëllumbi.

Arsyetimi nuk qëndron sepse është i mbështetur në premisa jo bindëse që e shndërrojnë në sofizëm. Një fitore reale në zgjedhjet e para një viti vetëm mund të rikonfirmohej nga kongresi i partisë. Atë mund ta zhvlerësonte vetëm ndonjë superskandal në qeverisje, nga zgjedhjet e fundit e këtej, i ngjashëm me masakrën e “21 janarit” apo atë të Gërdecit. Por, fatmirësisht, kjo qeveri nuk ka në bilanc skandale të tilla kriminale. Fitorja e zgjedhjeve të 2015-tës mund të zhvlerësohej edhe nëse delegatët në Kongres, nuk e përçojnë vullnetin e shumicës së socialistëve dhe elektoratit që u manifestua në zgjedhjet e 2015-tës. Po a është e mundur një gjë e tillë? Nëse po, atëherë kjo nuk do të kishte të bënte me gjendjen reale të punëve dhe qeverisjes, por me deformimet që sjellin në proces intrigat në gjirin e elitave politike. Në fakt do të qe provë e kalbëzimit të thellë të forumeve të PS që unë nuk e besoj por që Pëllumbi, me këshillat e tij për shmangien e demokracisë, e nënkupton.

Pëllumbi flet për një skenar që synon t’ia ndërpresë jetën kësaj maxhorance për të kaluar në një tjetër maxhorancë me PD (që do të qe në kob për Shqipërinë sepse do të thoshte të riktheje në qeveri vrasësit e pandëshkuar të “21 janarit”) apo për kalim në zgjedhje të parakohshme. Kjo është plotësisht e vërtetë. Por është po aq e vërtetë se shmangia e këtij skenari me anë të dhunimit të demokracisë në PS, do qe dobësi dhe mungesë besimi që, në fakt, do e ushqente një skenar të tillë, duke i dhënë mundësi hartuesve të tij, të rrëmbejnë flamurin e mbrojtësve të demokracisë. E ushqen atë skenar duke i falur flamurin e një akuze të drejtë. Ngritja e autokratit Berisha në Kuvend për të denoncuar shkeljen e demokracisë në PS, sado groteske, madje pikërisht pse është e tillë, duhet të na e lehtësojë punën për të kuptuar kaq gjë.

Shkurt, sugjerimi i Pëllumbit, ndryn dyshimin se respektimi i Statutit dhe demokracisë në PS, do i hapte rrugë një skenari përçarës nanoisto-berishist. Nuk e përjashtoj një gjë të tillë, por përjashtoj mundësinë e suksesit të një skenari të tillë. Ndryshe, duhet të pohojmë se PS ka hyrë në udhëkryqin e të këqijave të pashmangshme. Por nuk besoj. Ashtu sikundër nuk besoj se shumicës së forumeve të PS, shumicës së Kongresit të saj, intrigat, xhelozitë, pakënaqësitë e ndarjes së posteve, mllefet apo kostot e reformave të vështira shtet-formuese, do ja kenë zalisur arsyen deri në atë shkallë, sa lidershipin me suksese të faktuara të Edi Ramës, ta ndërronin me premtimet romaneske të Ben Blushit që, kur është fjala për të kaluar tek veprat, e ka treguar me “vepra” se nuk është aq elokuent.

Dhe nëse punët nuk qëndrojnë kështu, atëherë kemi të bëjmë me një gangrenizim nga i cili PS nuk shpëton dot duke sharruar statutin e saj dhe demokracinë. Sepse, sikundër na e ka provuar kaq e kaq herë historia, përdhunimi i demokracisë e mbars partinë me përbindësha a leviathanë shumëkokësh, që pasi i pjell, e gëlltisin partinë dhe demokracinë vetë. Madje edhe baballarët që e përdhunuan demokracinë në emër të “popullit” apo të së mirës “publike”!

Share This Article
1 Comment
  • TITUJT E NDERUAR ‘GAZETAR’ E ‘PROFESOR’ KUSH UA KA DHENE KUR I KANE MARRE KETA DY ‘QENJE HUMANE’ QE NUK MUND TE JENE ‘PERSONA HUMANE’ QE JO VETEM ‘BENIN NUK E BEJNE TE ECI VETE POR KERKOJNE TU HEDHIN GURE NEPER RROTA TERE FEMIJEVE SHQIPETARE 25 VJET QE PERJETOJNE MJERIMIN MIGJENIAN!?Perendi! Ku je?Migjeni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *