Ankesa e çuditshme e Gjykatës Supreme në Kosovë

Saimir Lleshi

Institucionet e drejtësisë kanë shqetësimet e tyre kudo në botë veçanërisht në përballje me krimin, por drejtësia në Kosovë ka një shqetësim tjetër; i mungon oksigjeni.

Një raport zyrtar ka zbuluar se në ndërtesën e Pallatit të Drejtësisë atje normat e oksigjenit janë 11 herë më të ulëta se ç’duhet.

Gjykata Supreme e Kosovës reagoi sot për rastin, duke theksuar se një situatë e tillë është problematike për punonjësit.

“Të ballafaquar me pasojat e kësaj gjendjeje, gjyqtarët dhe stafi i Gjykatës Supreme është dashur disa herë të kërkojnë ndihmë mjekësore. Dhimbjet e kokës, syve, gjakderdhje nga hunda, plogështi dhe marramendje, janë vetëm disa nga simptomat që manifestohen te shumica e stafit në këtë gjykatë”, thuhet në komunikatën e lëshuar.

Gjykata ka shfaqur habinë se si është mbajtur sekrete ekspertiza dhe si nuk kanë reaguar deri më tani organet kompetente. Ata kanë kërkuar hapa urgjent në përmirësimin e gjendjes, “në mënyrë që të mbrohet jeta dhe shëndeti i individit”.

“Përkundër adresimit të problemeve të shfaqura në Pallat, Gjykata Supreme nuk ka parë asnjë përmirësim në këtë drejtim, ndaj kjo gjykatë, kërkon që sa më shpejt të intervenohet në hapjen e dritareve, pasi sistemi i ventilimit është dëshmuar joefikas, ndërkohë që jeta jonë po rrezikohet çdo ditë”, thuhet në komunikatë.

Nëse përkundër gjithë këtyre reagimeve, kompetentët nuk ndërmarrin hapat e nevojshëm për të sanuar gjendjen këtu, sipas komunikatës, “personat përgjegjës, për lëshimet e tilla, do të përgjigjen edhe penalisht për mosveprim”. /Dita/

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *