Qeveria ka miratuar sot ngritjen e Byrosë së Hetimit. Projektligji ka mbërritur në Kuvend ku edhe do të nisin diskutimet për t’u miratuar më pas. Në vendimin e qeverisë thuhet se Byroja Kombëtare e Hetimit organizohet si një strukturë e veçantë në Policinë e Shtetit dhe se ushtron kompetencat në të gjithë vendin.
Objekti i punës së kësaj Byroje janë veprat penale të korrupsionit që janë kompetencë lëndore e Prokurorisë për Krimet e Rënda. Në hetimet e saj do të përfshihen një ose më shumë autorë të dyshuar që janë funksionarë të lartë ose të zgjedhur vendorë.
Neni 4 ka të bëjë me varësinë e këtij institucioni, çështje e cila ka shkaktuar edhe debate prej muajsh midis mazhorancës dhe opozitës.
Sipas vendimit, “organizimi dhe funksionimi administrativ i Byrosë përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike, me propozimin e Drejtorit të Policisë së Shtetit. Veprimtaria procedurale penale e BKH-së drejtohet dhe kontrollohet nga prokurori”.
Emërimi i kreut të këtij institucioni do të bëhet nga ministri i Brendshëm me pëlqimin paraprak të Prokurorit të Përgjithshëm.
“Drejtori i BKH-së emërohet nga ministri përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike, me propozimin e drejtorit të Policisë së Shtetit dhe pëlqimin paraprak, me shkrim, të Prokurorit të Përgjithshëm për një periudhë 5-vjeçare, me të drejtë riemërimi. Drejtori i BKH-së emërohet nga radhët e Policisë së Shtetit dhe në momentin e emërimit i jepet grada ‘Drejtues i lartë’”, thuhet në pikën 1 të nenit 26/2.
Ligji parashikon që drejtuesi i Byrosë pas mbarimit të mandatit rikthehet në funksionin e mëparshëm.
Për sa i përket hetimeve, do të jetë prokurori “autoriteti përgjegjës vendimmarrës në lidhje me hetimet e BKH-së, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale dhe legjislacionit në fuqi”.
Ligji i ri parashikon edhe kriteret e drejtuesit të këtij institucioni, i cili duhet të ketë shtetësi vetëm shqiptare dhe se nuk duhet të ketë shkelje rënda disiplinore dhe sigurisht as precedentë penalë. /Dita/

Mbasi te zgjidhet nji kryeprokuror i ri,Byroja ti kalohet kryeprokurorise.
Fakti praktik asht se sot per sot.Ministria e brendeshme asht me afte,me e paanshme me e ndershme me siroze per ti sherbye vendit.
Ju lutem, ne se keni dijeni, a do te kete efekt prapaveprues kjo byro? Ne se jo, atehere kemi bere jne vrime ne uje…..