Bahri Shaqiri njihet më shumë si njeriu që ka mbajtur për më shumë se shtatë vjet detyrën e kreut të SHISH, derisa në vitin 2012 u shkarkua pas shumë muajsh presione të qeverisë Berisha, me firmë të presidentit të sapozgjedhur Nishani.
As atëherë, as më herët e as më vonë, Shaqiri nuk është prononcuar në media, qoftë për ndonjë aspekt të detyrës së tij, çka është afërmendsh e kuptueshme, apo për konfliktet mes institucioneve.
Edhe më pas në detyrën e këshilltarit në Ministrinë e Mbrojtjes, por edhe kur nuk ka patur asnjë impenjim zyrtar, Shaqiri ka ruajtur profilin e ulët dhe të esëllt të një funksionari dinjitoz të shtetit.
Në moshën 45 vjeçare, ai emërohet në detyrën e zv.ministrit të Transporteve, duke shënuar, duhet thënë, një hap pozitiv nga të paktët në mënyrën sesi qeveria përzgjedh nëpunësit e saj të lartë.
Me formim juridik dhe me përvojën e kuptueshme organizative të akumuluar tashmë, piketime si në rastin Shaqiri janë për t’u përshëndetur, sepse në mos për gjë tjetër, dëshmojnë se shteti, si një tërësi funksionale pavarësisht qeverive, nuk e ka luksin të lërë pa shfrytëzuar asete për të cilat ka investuar për kaq vjet.
Por jo vetëm kaq.
Bahri Shaqiri është një shok i mirë dhe një baba i jashtëzakonshëm për dy djemtë e tij (në foto) të rritur me mungesën tragjike të nënës.
Bahriu mbushi sot 50 vjeç. Edhe 100, mik i dashur.
Dita

