Ministri Arben Ahmetaj sfidon kryetarin e Partisë Demokratike, duke theksuar se do të japë dorëheqjen nëse provon akuzat e ngritura ndaj tij.
“Po ta përsëris sërish që nëse unë kam udhëtuar ndonjëherë me charter me biznesmenin që ti përmend, sigurisht që unë e jap dorëheqjen. Ty s’mund të ta kërkoj të njëjtën gjë, se ty të ka dorëhequr populli me kohë. Ke hyrë në një palë këpucë që të kanë lënë por të rrinë shumë të mëdha, ndaj i mbush me broçkullat që nxjerr nga goja përditë”, thotë Ahmetaj.
Ai thotë se Basha ka abuzuar me fondet për rrugën Durrës-Kukës. “Je bërë si Liza në Botën e Çudirave që ndërton guackën e zezë rreth vetes, ndërkohë që shifrat dhe faktet flasin vetë, ndërsa institucionet ndërkombëtare e kanë certifikuar trendin pozitiv të ekonomisë shqiptare. Unë e kuptoj që ti e kupton drejt, që rritja ekonomike të mban larg ëndrrës tënde për pushtet, por faktet janë fakte. Të kërkoj të shkosh në Prokurori dhe ta denoncosh me fakte këtë që thua, se në gjykatë sigurisht që do shkosh për shpifje!”, shtoi ai.
Reagimi i tij vjen pas deklaratave të kreut të PD-së, Basha sipas të cilit, Ahmetaj ka marrë kapar rreth 500 mijë euro për hidrocentralin e Skavicës.
“Me vitin 2014, sipas të dhënave të publikuara Arben Ahmetaj ka marrë 500 mijë euro kapar, dhe në dhjetor të 2015 pas daljes se VKM që i jep 8% bonus kompania Suzer i ka dhënë 5 milionë euro të tjera. Arben Ahmetaj i cili ka negociuar direkt dhe në mënyrë të paligjshme për këtë projekt duke udhëtuar me çarter nuk mund të fshihet me gjoja dorëheqje por të bëhet gati të shkojë para drejtësisë. Ne do të përpiqemi t’ia shkurtojmë kohën. Por e sigurt është se para drejtësisë do të shkojë”, theksoi Basha. /Dita/

Basha duhet te ndeshkohet per vjedhjen e 230 mln eurove ne Rrugen e Kombit.
Duhet te mbaje pergjegjesi per vrasjen e 4 qytetareve te pafajshem ne 21 janar, ka qene minister i Brendshem.