19 votat e LSI-së për Byronë, drafti është dakordësuar me opozitën

Saimir Lleshi

Kreu i Kuvendit Ilir Meta thotë se partia e tij do ta japë votën pro ngritjes së Byrosë Kombëtare të hetimit.

Meta hedh kështu poshtë të gjitha spekulimet e bëra një ditë më parë në disa portale. Meta u shpreh se qëndrimi zyrtar i LSI-së është deklarata e kryetarit të grupit parlamentar Petrit Vasili, të bërë një ditë më parë.

“Tani besoj dhe shpresoj të ketë mbërritur drafti në Kuvend dhe të fillojmë menjëherë procedurat. Të nisë sa më shpejt nga puna, nuk shoh asnjë problem, nuk shoh asnjë shqetësim. Sa herë që dikush nuk ka qejf të bëjë diçka, thotë e pengon LSI. Ne e kemi votuar Byronë e Hetimit në Kuvend, e kemi votuar edhe dje”, theksoi Meta.

Sipas tij, LSI-ja do të votojë çdo reformë që i shërben transparencës, luftës kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar.

Opinionet që mund të japë një deputet apo një përfaqësues këtu apo atje, janë mjete të komunikimit demokratik. Ne nuk i ndalojmë deputetët. Qëndrimet bazë të LSI sa i takon reformave të mëdha, i mban kryetari i saj dhe kryetari i grupit parlamentar. 19 votat tona do të jenë për reformat, me kusht që të jenë të certifikuara nga partnerët ndërkombëtarë”, tha Meta.

Meta deklaron se drafti është dakordësuar me opozitën.

“Ministrja e Shtetit, e ka bërë të qartë se ky është drafti i dakortësuar, gjithçka ka qenë e dakortuar, askush s’është i ndaluar të ndryshojë mendim, por e rëndësishme është që të gjithë të dakortësohemi përfundimisht që kjo agjenci të krijohet sa më shpejt…

Ne pa opozitën mund ta kishim bërë në çdo kohë, por kemi të vështirë të punojmë pa opozitën, për të mos thënë e kemi të pamundur, shpresoj që opozita të sqarojë edhe një herë pozicionin e saj”, tha Meta /Dita/

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *