Ministria e Financave shpall procesin e përzgjedhjes së inspektorëve financiarë publikë, ekspertë të jashtëm, punonjës të administratës publike apo jashtë saj, të cilët do të angazhohen në kryerjen e inspektimit financiar publik.
Në një deklaratë, Ministria thekson se ministri Shkëlqim Cani ka firmosur sot urdhrin “Për procedurat e përzgjedhjes dhe të shpërblimit të ekspertëve të jashtëm, punonjës të administratës publike apo jashtë saj, të cilët do të angazhohen në kryerjen e inspektimit financiar publik”.
Ministria e Financave bën me dije se për t’u përzgjedhur inspektorë financiarë publikë janë të ftuar të marrin pjesë ekspertë të fushave dhe profesioneve të ndryshme (jurist, inxhinier, ekonomist, etj), punonjës të administratës publike apo jashtë saj, të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara në vendimin nr.84, datë 03.02.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e përzgjedhjes dhe të shpërblimit të ekspertëve të jashtëm, punonjës të administratës publike apo jashtë saj, të cilët do të angazhohen në kryerjen e inspektimit financiar publik”.
Procesi synon shtimin e kapaciteteve inspektuese, duke ruajtur integritetin, përgjegjshmërinë dhe profesionalizmin e trupës inspektuese, me qëllim intensifikimin e lufës kundër keqmenaxhimit financiar, mashtrimit, vjedhjes, shkatërrimit të pronës, shpërdorimit të detyrës apo korrupsionit. Afati i aplikimit të kandidatëve për t`u përzgjedhur në listën e inspektorëve financiarë publikë është deri më datë 20 mars 2016. Dokumentacioni nga aplikantet do të dorëzohet në protokollin e Ministrisë së Financave, nëpërmjet rrugës postare apo dorazi.
Fusha e veprimtarisë që angazhon inspektorët financiarë publikë, shtrihet në të gjitha njësitë publike, shoqëritë tregtare, në të cilën një njësi publike zotëron apo kontrollon një pjesë të aksioneve, e cila i jep të drejtën e kontrollit, si dhe çdo person fizik apo juridik, vetëm për fondet që përfiton nga Buxheti i Shtetit, Bashkimi Evropian apo fondet në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare, ku përfitues është shteti shqiptar.
Qëllimi i angazhimit është përcaktimi i shkeljeve të akteve normative dhe zbardhja e dyshimeve për mashtrimet e kryera, zbulimi i parregullsive dhe dëmeve të shkaktuara në pronën publike, identifikimi i individëve përgjegjës për shkeljet e kryera dhe kërkimi i marrjes së masave zhdëmtuese, administrative, disiplinore apo kallëzimi në prokurori për kryerjen veprave penale.
Në këtë kuadër, Ministria e Financave inkurajon çdo subjekt, punonjës të administratës publike, person fizik apo juridik, si edhe çdo person anonim, që të denoncojë çdo parregullsi apo veprim korruptiv me fondet publike, me qëllim mbrojtjen e interesit publik dhe ndërshkimin e individëve përgjegjës. Çdo kërkesë, informacion apo ankesë, dorëzohet në protokollin e Ministrisë së Financave nëpërmjet rrugës postare apo dorazi, në adresën: Ministria e Financave; Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”; nr.3; Tiranë. /Dita/
