Më 17 shkurt, Papa Françesk pritet të mbajë Meshë në Ciudad Juárez, Meksikë, pak kilometra në jug të kufirit me Shtetet e Bashkuara. Ai me siguri që do të përdorë këtë mundësi për të advokuar për mbështetje për të varfrit në Meksikë dhe për ata që kanë emigruar në veri.
Në fund të fundit, kjo është çfarë ai bëri në shtator gjatë fjalimit prekës në Sheshin Medison në Nju Jork. Duke iu referuar të 11 milionë emigrantëve pa dokumente në SHBA, ai i kërkoi dëgjuesve të ndihmojnë “të gjithë ata njerëz që konsiderohen si qytetarë të kategorisë së dytë… për shkak se ata nuk kanë të drejtë të qëndrojnë këtu.”
Por mungesa e të drejtave është një problem që nuk i përket vetëm Shteteve të Bashkuara, nga i cili nuk vuajnë vetëm emigrantët që nuk kanë dokumente për të qëndruar në vendin ku aktualisht jetojnë. Një problem shumë më i madh dhe shumë më dëmtues për shkak të vështirësive që shkakton, është ai i pesë miliardë njerëzve të botës të cilët aktualisht nuk kanë të drejta pronësie. Vetëm në Meksikë, ka rreth 10 milionë shtëpi nëpër qytete, 137 milionë hektarë tokë dhe 6 milionë biznese, të drejtat e pronësisë së të cilëve mbrohen shumë keq.
Nëse Papa Françesk përqendrohet vetëm te problemi i emigrantëve pa dokumente në fjalimin e tij në Juárez, fjalët e tij ka gjasa do të humbasin në debatin mbi shqetësimet për sigurinë e SHBA-së dhe të drejtave sovrane të vendeve për të mbrojtur kufijtë e tyre. Por, në rast se ai e zgjeron diskutimin për të përfshirë rëndësinë e titujve të pronësisë të dokumentuara qartë brenda vendeve, ai do të jetë në një argument shumë më të fuqishëm. Të drejtat e pronësisë janë të drejta universale të shenjtëruara në Kushtetutën e SHBA-ve dhe në Kartën Themelore të Kombeve të Bashkuara. Në të vërtetë, pikërisht në kërkim të të drejtave të tilla shumë nga të varfrit e botës gjejnë motivin për të kapërcyer kufijtë dhe për të shkuar në vende të tilla si Shtetet e Bashkuara.
Për ata që jetojnë në pjesët më të pasura të botës, është e lehtë të sigurosh dokumente të qarta pronësie dhe kjo merret si diçka e zakonshme. Por realiteti është se vetëm 2.3 miliardë njerëz në botë kanë dokumente për të mbrojtur këtë të drejtë të tyre si dhe për të përdorur pronat si levë financiare – përfshirë rreth 1 miliardë njerëz që jetojnë në Japoni, Singapor dhe në Perëndimin demokratik si dhe një miliardë të tjerë që jetojnë në disa vende të caktuara në zhvillim si dhe në ish shtetet sovjetike.
Dokumentet nuk janë thjeshtë një vulë burrokratësh mbi një copë letër. Ato janë thelbësore për procesin ekonomik dhe gjithëpërfshirjen. Arsyeja se pse të padokumentuarit kanë interes që të dokumentohen siç duhet – pavarësisht nëse e dinë këtë apo jo – është që titujt e saktë të pronësisë i japin pronarëve të tyre dhe pasurive që kanë nën pronësi shumë vlerë të shtuar.
Në SHBA apo në Europë, për shembull, një shtëpi nuk shërben vetëm si strehë; ajo shërben gjithashtu si një adresë që mund t’i identifikojë njerëzit për qëllime tregtare, juridike apo civile si dhe si një destinacion i qëndrueshëm për shërbime, të tilla si energjia, uji, kanalizimet dhe linjat e telefonit.
Dokumentimi lejon gjithashtu që asetet të përdoren si instrumente financiare, duke i dhënë pronarëve të tyre akses në kredit dhe kapital. Nëse dëshiron të marrësh një kredi – pavarësisht nëse je një kompani minerare në Kolorado apo një prodhues këpucësh në Nju Jork – fillimisht duhet të dorëzosh pronë të dokumentuar në një formë apo një tjetër si garanci.
Siç e kam treguar edhe gjektë, të varfrit e botës posedojnë aktualisht rreth 18 miliardë dollarë asete të padokumentuara vetëm në formën e pronave të paluajtshme. Por këto asete nuk do të marrin kurrë vlerën e tyre të plotë në rast se nuk dokumentohen. Siç qëndrojnë punët, ato nuk mund të përdoren për të ngritur kapital. Ato nuk mund të bashkohen me asete të tjera për të krijuar prona më komplekse dhe më me vlerë.
Mungesa e titujve të pronësisë luan gjithashtu një rol të rëndësishëm në dy shqetësime të rëndësishme si për papën, ashtu edhe për shumë udhëheqës të SHBA-ve: trazirat në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut dhe në mbrojtjen e mjedisit.
Pranvera Arabe, duhet të mbahet mend mirë, nisi pasi një shitës rruge në Tunizi i vuri flakën vetes si protestë kundër shpronësimit arbitrar të aseteve të tij të padeklaruara. Dhe shumica e zemërimit që nxori njerëzit në rrugë, i çoi vendet drejt kolapsit dhe përzuri miliona prej shtëpive të tyre. Të gjitha rrodhën nga dëshira për të drejta të qarta, përfshirë të drejtat që mbrojnë pronësinë.
Në mënyrë të ngjashme, të drejtat e pronësisë janë me rëndësi vendimtare për mbrojtjen e mjedisit. Pa të drejta të qarta, është e pamundur për autoritetet për të dalluar se cili është përgjegjës për dëmtimin e burimeve natyrore apo kush duhet të paguaj për të riparuar ekosistemet vendore. Hipoteka të përditësuara nevojiten për të përshtatur strategjitë konservuese me mundësitë dhe kërcënimet që ngrihen nga zgjerimi i industrisë në territore të virgjëra.
Në ujërat e sipërme të lumit Amazon, për shembull, shumica e 1,496 bashkësive vendore nuk janë në gjendje të përcaktojnë kufij të saktë – duke përdorur koordinata universale dhe ligje të zbatueshme të pronësisë – për tokat nën pronësinë e tyre. Për rrjedhojë, banorët individualë vuajnë për të mbrojtur asetet e tyre, për t’u përshtatur me kërcënimet mjedisore apo për t’iu përgjigjur sfidave dhe mundësive të ofron zgjerimi i globalizimit.
Fakti që Papa Françesk po i drejtohet çështjes së dokumenteve është i rëndësishëm. Ai nënkupton se Vatikani nuk po pyet më vetëm se pse pak njerëz kanë kaq shumë pasuri, por edhe pse kaq shumë njerëz kanë kaq pak pasuri. Duke e zgjeruar vëmendjen e tij plot dashuri drejt atyre që nuk kanë tituj pronësie, Papa ka një mundësi të bëjë shumë më tepër për të gjithë.l/BIRN
