Një bisedë me aktoren që nuk i “bën dëngla” punës

redaktor

Ajo duket si një njeri që i zien gjaku… dhe nuk e lë të bjerë në monotoni. Të qenit artiste i rri mirë nën lëkurë dhe ajo vetë e ndjen këtë gjë.

Ina Gjonçin këto ditë ndryshe e thërrasin Natasha, kjo për shkak të rolit te “Tri motrat” e Çehovit që është duke u shfaqur në Teatrin Kombëtar prej më shumë se një muaji me regji të Hervin Çulit.

Roli i Natashës në veprën e Çehov për të është shumë i rëndësishëm, jo vetëm për një eksperiencë më shumë, por për peshën që ka ky autor tek vetë Ina.

Gjonçi i përket brezit të ri të aktorëve dhe shprehet se pavarësisht vështirësive që ndjen një aktor në Shqipëri, sipas saj nëse do të punosh, nuk duhet të bësh dëngla, në të kundërt, tregon që vetëm po justifikohesh.

-Ina, dëgjohet të thuhet shpesh se në Shqipëri është e vështirë të bësh art. Për ty si është?

Është e vështirë të bësh art në Shqipëri, po. E për këtë arsye vlerësimi im maksimal shkon për ata që nuk heqin dorë e vazhdojnë të bëjnë art çdo ditë, në një vend si ky yni ku gjithnjë e më shumë modeli i artistit të suksesshëm përkon me atë që e zhvillon karrierën e tij jashtë kufijve. Pa i hequr asgjë këtyre të fundit, dhe e pandikuar nga fabula “Dhelpra dhe rrushtë” (edhe sepse vreshtin nuk e kam parë ndonjëherë jashtë Shqipërisë) dua të përqafoj guximin e atyre njerëzve të mirë që zgjedhin ta bëjnë artin e tyre në një terren të vështirë si ky.

-Shqipëria është një vend i vogël, e po ashtu duket sikur njerëzit nuk janë fort të tërhequr ndaj artit, ndjeni ju një lloj indiference?

Nuk është e vërtetë që njerëzit nuk janë të tërhequr ndaj artit e dëshminë për këtë e kam çdo fundjavë me shfaqjen “Tri motrat”. Sa prej jush do të kishin venë bast në një projekt specifik si Çehovi që zgjat 3 orë e 30 minuta?! Vetë Hervini kishte pasiguritë e tij fillimisht, pasiguri të cilat gjithsesi nuk dolën mbi dashurinë që ai ka për autorin rus. E megjithatë njerëzit janë aty, edhe pas pushimit mes akteve, sy e veshë për të zbuluar fatin e Olgës, Mashës, Irinës, Andrejit, Natashës e të tjerëve. Publiku nuk është budalla. Publiku e do artin e mirë. Mbetet përgjegjësia jonë t’ia japim atë.

Ina Gjonçi
Ina Gjonçi

-Shpesh herë, artistët i përkufizojnë si njerëz ëndërrimtarë, jo me këmbë në tokë… ju si jeni në këtë drejtim?

Dikur fluturoja edhe unë (qesh). Rrethana e njerëz të ndihmojnë të zbresësh. Duke lënë shakatë mënjanë, artistët (nëse jemi të tillë-thotë Strehleri, e kur e thotë ai, mendo unë) më shumë se ëndrra, duhet të kenë imagjinatë.

-E kuptuam që arti është jeta jote, por ke provuar filmin edhe teatrin, a do më shumë njërin apo tjetrin?

Nuk di nëse është legjendë urbane apo statistikë, ajo që thotë se aktorët humbasin X vite jetë gjatë performancës në skenë, për të rifituar po aq (në mos më shumë) gjatë duartrokitjeve. Skena është magji. Po përveç kësaj, edhe formimi im si aktore, ka ndodhur në Fakultetin e Artit Skenik e kjo më bën të jem më pranë skenës.

-Ina, “Tri motrat” që po shfaqet këto ditë në Teatrin Kombëtar ka befasuar me publikun e shumtë. Ti ke rolin e Natashës dhe duket se ky personazh të rri mirë nën lëkurë? Po për ty, si është?

Kanë qenë të shumtë ata që më kanë thënë që ky rol më rri në lëkurë, pa e ditur që ky mbase është “komplimenti” më i bukur që mund të më dhuronin, sepse në fakt pak lidhje kam unë me trillet e Natashës. E përveçse mendimi im, ky ka qenë edhe mendimi fillestar i Hervin Çulit, mendim i cili u tjetërsua rrugës, e për këtë gjerësi, dua ta falënderoj. Ky rol ishte prova se nuk ka role që “na rrinë apo jo” por thjesht role që bëhen ose jo.

-Ka qenë e vështirë për të jetësuar Natashën në skenën teatrore dhe sa e keni përvetësuar ju këtë rol?

Për mua ishte fat të isha pjesë e një produksioni kaq të rëndësishëm, shkruar nga autori im i preferuar e vënë në skenën e Teatrit Kombëtar nga një njeri që Çehovin e do jashtëzakonisht shumë. Dashurisë, Çuli, i shtoi edhe guximin për të punuar me dy grupe aktorësh me të cilët unë jam ndjerë shumë mirë. Unë jam e lumtur (patetizmi mënjanë) që një ditë mund të them për këtë projekt “Unë isha”.

-Në shfaqje ka shumë mesazhe që janë aktuale edhe sot e kësaj dite…

Çehovi është gjenial, jo vetëm për autopsinë që i bën kohës së tij, por për faktin se kjo autopsi e tejkalon nocionin kohë e bëhet universale. E fundja këto janë kryeveprat. Dëshira për fillime të reja e motrave, përmes “Në Moskë në Moskë” , apo “Sikur ta dinim” e Olgës në finale, janë në fakt disa nga rreshtat më të njohura të dramaturgjisë botërore.

-A u jepet hapësira e merituar në teatër aktorëve të rinj, sa të përfshirë e ndjejnë ata vetën?

Shiko, ka një problem e problemi është mënyra jonë për t’i parë gjërat. Nga nisemi e cili është etaloni krahasues? Sistemi perfekt nuk ekziston, por ndërkaq publiku i është afruar më shumë teatrit e në atë Kombëtar numërohen sot 10 aktorë të rinj. Unë aktualisht jam e përfshirë në një projekt të këtij institucioni, e të gjitha këto ishin të paimagjinueshme vetëm disa vite më parë. Duhet të tregohemi të gjerë kur gjykojmë (megjithëse të shumtë janë ata që dinë të bëjnë vetëm këtë) e të shohim pak më tej hundës sonë. Është e lehtë të shesësh platforma nga divani i shtëpisë apo nga kafeneja e lagjes. Ndryshimet e mëdha duan kohën e tyre e nuk mund të vijnë me “urdhër të peshkut”. E rëndësishme është, që një dritëz shprese është ndezur e ne duhet ta mirëpresim, ta përqafojmë e mos ta përbaltim për arsye mediokre, të ngjizura nga dëshira jonë për një të ashtuquajtur meritokraci, duke marrë të mirëqenë se nëse kjo e fundit do të ishte, të shpërblyerit e parë do të ishim vetë ne. Vetë Stanislavski, ka nisur të bëjë teatër, pa patur mbi kokë çatinë e sigurt të një institucioni. Ndaj, nëse është vërtet teatri thirrja jonë, le të bëhemi në radhë të parë njerëz.

12669461_10205140081482412_3402416016110154102_n-Infrastruktura në teatër ju shqetëson?

Infrastruktura e teatrit është shqetësuese, por nuk mendoj se ka infrastrukturë e cila në parim, mund ta pengojë teatrin e mirë. Por mbase këto janë dëngla. Artistët meritojnë të punojnë në kushte optimale, e urojmë që kjo të bëhet e mundur me Teatrin e ri në 2017.

-Ina, cili është qyteti jot i lindjes, po familja ?

Kam detin në ADN-në time duke qenë se vij nga Durrësi. Ende kujtoj se si derdhja lot në krahët e time meje, ditën e parë të studimeve të shkollës së mesme të cilat i kreva në Tiranë, pasi lidhja me qytetin tim ishte e fortë. Sapo u mësova me Tiranën, m’u desh të shpërngulesha në Romë për t’u rikthyer sërish në Shqipëri vite më vonë. Me pak fjalë mbaj mend që u mësova herët, të mos afeksionohesha shumë pas diçkaje apo pas dikujt pasi me siguri për një arsye apo për një tjetër do më duhej ta braktisja.

-Po kur acarohesh çfarë bën?

Bëj gjënë më të gabuar: shfryj tek njerëzit e dashur, e bindur se do të ma falin. Gabim i madh.

-Cila është çmenduria më e madhe që ke bërë deri më tani?

Nuk kam pranuar të kem asnjë ditë të ngjashme me tjetrën. Dhe kam pranuar të rrëmoj në çdo Inë brenda meje duke jetuar më shumë se një jetë. Jo vetëm në skenë.

-Nëse nuk do ishte bërë aktore, çfarë do ishe?

Nëse do kisha një zë dinjitoz minimalisht do kisha zgjedhur të isha këngëtare. Mundësisht alla Mia Martini apo Janis Joplin. Ose alla vjelëset e pambukut në New Orleans. Ja që as në dush nuk më durojnë dot kur këndoj.

-A ke ti një synim, një pikë ku do të arrish?

Para disa ditësh, shoku i kursit në Akademinë e Arteve, Jozefi, sot aktor në Teatrin Migjeni, kish gjetur disa shënime të miat në një fletore të tijen. Duhet të ketë qenë viti i parë. Krahas shume “zhgarravinave” kisha shkruar edhe: “Unë jetoj për të thënë një ditë-unë jam Ina Gjonçi-një dhe e vetme”. Nuk e di nëse vlen si përgjigje po ja kjo më erdhi si e parë. Përveç kësaj, e rëndësishme nuk është vetëm të duash të shkosh, e rëndësishme është të shkosh në stacion e të presësh biletën. Këtë nuk e them unë, e thotë Çehovi. “Në Moskë… Në Moskë”.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *