Opinioni i qytetarëve evropianë, vëzhgohet sistematikisht që prej vitit 1973 nëpërmjet sondazheve, që kryhen nga Eurobarometri. Por, së fundmi kemi një studim analitik që ka venë në fokus, evoluimin e opinionit publik evropian në harkun kohor prej katër dekadash, nga vëzhgimet që ka ofruar Eurobarometri. Një studim i një rëndësie të veçantë, pasi dimensionet e analizuara në të, lejojnë jo vetëm një kuptim të qartë të evoluimit të mendimit evropian gati 40 vjeçar, ndaj Unionit Evropian por mundësojnë edhe krijimin e një panorame se, nga mund të anojnë tendencat lëvizëse politike, për një avancim të mëtejshëm në nivel evropian.
Jo rastësisht në çdo Eurobarometër të zhvilluar, një nga elementët kryesor që theksohet në mënyrë sistematike në shumicë nga qytetarët evropianë, në domethënien që ka Unioni për to, është lëvizja e lirë e qytetarëve. Një faktor, që jo vetëm ka dominuar në kohë dhe vazhdon të dominojë, por merr vlerën e tij të pamohueshme në imponimin e rishqyrtimit të politikave si kombëtare por edhe evropiane, që tentojnë për bllokim të përkohshëm të kësaj lëvizje, në kontekstin e vështirësive, që shfaq zgjidhja e krizës së refugjatëve.
Ka një paradoks të vazhdueshëm, teksa politizimi i fortë në zgjidhjen e çështjes së refugjatëve, bllokadat kufitare dhe tendencat nacionaliste për zgjidhje të njëanshme të problemit, nuk marrin parasysh opinionin e qytetarëve evropianë dhe të popujve të tyre, që e konsiderojnë lëvizjen e lirë, si elementin kyç më domethënës të përkatësisë së tyre në Unionin e përbashkët. Shpeshherë politika të caktuara kombëtare, përligjin veprimet e tyre në emër të popullit, apo interesave të tij, duke arritur me mjeshtëri të transferojnë interesat partiake, si interesa të një mase të gjerë popullore. Paradoks, që nxit reflektim edhe ndaj besueshmërisë së lartë që shfaqin qytetarët evropianë ndaj BE-së, kjo sigurisht në krahasim me besimin e ulët, që ato shfaqin ndaj institucioneve kombëtare, si qeveria apo parlamenti.
Studimi analitik ka një fokus kryesor ndaj disa dimensioneve të rëndësishme si demokracia apo vetë mekanizmi funksionues i BE-së dhe institucioneve të saj, ekonomisë si edhe ndaj vetë jetës së qytetarëve evropianë. Rëndësia e tij është edhe më domethënëse, tek shtrirja kohore prej katër dekadash, përfshin etapa të rëndësishme të ndërtimit evropian, në kuptimin politik dhe ekonomik të tij, paralelisht me një sërë zhvillimesh të karakterit historik si në rajon, por edhe sferën ndërkombëtare.
Luhatjet në perceptim
Është interesante sepse studimi tregon, se fillimi i krizave ekonomike nuk sjell automatikisht një tërheqje të menjëhershme të opinionit publik të qytetarëve, ndaj Unionit Evropian. Të gjithë krizat, si ajo e naftës përgjatë viteve ’70, ngadalësimi ekonomik në vitet 2000, por edhe kriza financiare e vitit 2008, janë shoqëruar fillimisht me një opinion publik evropian, që e shikon Unionin, si një fortesë përballë krizës. Të gjithë indikatorët e mbështetjes ndaj BE-së (opinionet mbi përkatësinë e vendit, besimin në BE, imazhi) nuk përmirësohen, por rezistojnë.
Ajo çka konstaton studimi, lidhet me faktin se evropianët fillojnë dhe reagojnë në momentin kur efektet e këtyre krizave ekonomike, bëhen më konkrete dhe të dyshimta për t’i prekur ato në mënyrë të drejtpërdrejtë. Opinionet ndaj Unionit, janë degraduar në mënyrë të ndjeshme në periudhat e paqëndrueshmërisë monetare në vitet ’70, si edhe në vitet ’90. Dhe vetëm që prej vitit 2008, atëherë kur kriza ekonomike dhe financiare shndërrohet në një krizë borxhi me rritje të lartë të papunësisë në disa vende anëtare, regjistrohet një rritje e opinioneve negative ndaj Unionit Evropian (duke nisur nga viti 2010).
Ndërsa momentet e mëdha institucionale të BE-së, janë shpesh rasti i një përmirësimi të opinioneve pozitive ndaj Unionit, si p.sh. rasti i zgjerimeve dhe ai zgjedhjeve të Parlamentit Evropian.
Viti 2007, që u shoqërua me kalimin në 27 shtete anëtare me aderimin e Rumanisë dhe të Bullgarisë, por gjithashtu edhe me një kontekst ekonomik më të favorshëm në gjirin e BE-së, është viti i rekordit të mbështetjes dhe të besimit, që qytetarët evropianë i akordojnë Unionit.
Por, ka dhe një element interesant, sepse është konstatuar se përpara çdo zgjerimi, ekziston një lloj tensioni i opinionit publik evropian ndaj BE-së, kryesisht pasi qytetarët evropianë shqetësohen mbi pasojat e zgjerimit, ndaj këtyre vendeve të reja. Ky fenomen është vëzhguar sidomos në vjeshtën e vitit 2003 (përpara kalimit nga 15 në 25 shtetet anëtare, në vitin 2004). Përkundrazi sondazhet, që vijojnë pasi zgjerimi është kryer, kanë konstatuar përmirësime të qarta të gjykimeve, për shkak të entuziazmit të anëtarëve të rinj, por gjithashtu edhe ndaj një forme pranimi të kësaj etape të re, nga evropianët e tjerë.
Zgjedhjet e Parlamentit Evropian (2004/2009/2014) kanë përmirësuar gjithashtu indikatorët e mbështetjes ndaj Unionit Evropian
Por, viti 2005 i shënuar nga debatet që rrethonin ratifikimin e traktatit kushtetues, paraqet një përjashtim, pasi opinionet kishin tendencë të ashpërsoheshin, imazhi i BE-së dhe perceptimi i përkatësisë në Union u degraduan. Gjithsesi, besimi në BE, qëndroi i stabilizuar.
Edhe impakti, që pati monedha e përbashkët mbi indikatorët e opinionit ndaj BE-së, është i përzier. Në prag të hedhjes në qarkullim të monedhës unike në 11 vendet e para të zonës Euro, indikatorët shfaqën tendenca përmirësimi (flasim për besimin e akorduar në BE apo për gjykimin e përkatësisë së vendit në Union). Në pranverë të vitit 2002, pas hedhjes në qarkullim të euros, imazhi i BE-së përmirësohet, opinionet mbi përkatësinë e vendit rezistojnë, por besimi i akorduar Unionit njeh ulje.
Në mënyrë transversale, është konstatuar përgjatë periudhave të studiuara që prej vitit 1997, për Besimin në BE dhe në pranverë 2000 për Imazhin e BE-së, një degradim i pastër i këtyre dy indikatorëve kyç të mbështetjes së Unionit. Qytetarët evropianë filluan t’i atribuojnë BE-së dobësitë ekonomike, i asociojnë më pak tematika themelore si demokracia dhe influenca në botë. Besimi i akorduar institucioneve përkeqësohet në kontekstin e krizës ekonomike. Këto indikatorë shfaqin për herë të parë shenja përmirësimi, vetëm përgjatë vjeshtës të vitit 2014 dhe të vitit 2015. Gjithsesi, duhet marrë parasysh se, besimi i opinionit publik evropian ndaj BE-së është superior krahasuar me besimin që këto qytetarë i akordojnë institucioneve kombëtare (qeverisë dhe parlamentit), por distanca ka pasur tendencë të zvogëlohet që prej fillimit të krizës.
Pavarësisht këtij konteksti krize, evropianët vazhdojnë, në kohë, të lidhin BE-në me tematika pozitive, si me përfitimet e të qenurit pjesë në BE, apo me ndjesinë e lartë të përkatësisë qytetare sa kombëtare, por edhe evropiane. Niveli më i lartë i kësaj përqindje i përket shtatorit 2015, ku 60% e të pyeturve janë shprehur se, vendi i tyre ka përfituar ndjeshëm nga anëtarësimi në BE.
Ekonomia
Kriza ekonomike ka pasur një impakt të rëndësishëm mbi perceptimet e evropianëve ndaj situatës ekonomike të vendit të tyre dhe të Unionit Evropian. Si njëra, apo edhe tjetra janë tashmë të perceptuara si të këqija, edhe pse ky perceptim është përmirësuar në sondazhet e fundit.
Ndërkohë që përpara krizës, evropianët e gjykonin ekonominë kombëtare më ashpër se, sa atë evropiane, gjërat janë përmbysur me krizën e borxheve. Unioni Evropian nuk shfaqet më si një shkallë reference siguruese, apo qetësuese në këtë krizë.
Në termat e një pritshmërie afatshkurtër, sondazhi i fundit i pranverës 2015 (EB83) shfaq për herë të parë shenja të një optimizmi, mbi dimensionet e ndryshëm të testuar (situata ekonomike kombëtare, evropiane, situata e punësimit në vend). Mbi bashkësinë e kësaj periudhe të studiuar, ndjesia dominuese është se gjërat nuk do të ndryshojnë.
Por, vërehet gjithashtu një tjetër shenjë tensioni. Nëse opinioni publik evropian qëndron në shumicë në favor të përgjigjeve të koordinuara për përballimin e krizës, vëzhgohet një progres i proporcionit të evropianëve, që kërkojnë apo dëshirojnë masa individuale.
Sot, proporcioni i evropianëve që duan të presin që të gjithë shtetet anëtare të jenë gati për të intensifikuar zhvillimin e një politike evropiane të përbashkët është qartësisht më i rëndësishëm, se sa i atyre që duan ta bëjnë këtë pa pritur që shtetet e tjera anëtare të jenë gati.
Një peshë të rëndësishme, duke u konsideruar si një shenjë inkurajuese, i jepet faktit se, evropianët vazhdojnë të konsiderojnë se Unioni Evropian është aktori më i besueshëm për të vepruar në mënyrë efikase përballë krizës. Pritshmëria e qytetarëve evropianë ndaj BE-së fokusohet ndaj ekonomisë, dhe ato dëshirojnë që buxheti evropian t’i kushtohet kryesisht çështjeve sociale dhe punësimit, si edhe rritjes ekonomike.
Demokracia
Është për t’u theksuar se një shumicë e pastër evropiane kanë ndjesinë se, ajo çka ato i bashkon në gjirin e BE-së është më e fortë se, ajo çka i ndan. Ato identifikojnë fuqimisht, pavarësisht krizës, shënjues të fortë identitarë të Unionit Evropian, kryesisht vlerat demokratike dhe euron, që imponohen si dy elementët kryesorë përbërës të identitetit evropian.
Ndjesia e të qenurit qytetarë evropianë është relativisht stabël dhe dominon, pa u prekur nga aktualitetet e BE-së dhe ndryshimeve të kontekstit ekonomik dhe politik. Ky indikator nuk ka njohur ndryshime të mëdha mes 1992 dhe 2015. Identiteti kombëtar është më i fortë në mesin e viteve ’90, në prag të futjes në fuqi të monedhës së përbashkët, euros si edhe në pranverë të vitit 2010, në mesin e krizës së borxhit në shumë prej vendeve anëtare. Ndjesia e të qenurit qytetar evropian njeh rritje pas futjes së euros, si edhe në mes të krizës ekonomike, kryesisht gjatë vitit 2012 dhe në vitin 2015 ku njeh nivelin e saj më të lartë.
Jeta e evropianëve
Pritshmëria e evropianëve në lidhje me jetën e tyre personale, dominohet nga ndjesia se gjërat nuk do të ndryshojnë në vitet në vijim. Parashikimet pozitive dominojnë mbi ato negative, në shumicën e sondazheve të realizuara. Por, këto parashikime janë prekur në mënyrë të qartë nga kriza. Për sa i përket jetës në përgjithësi, optimizmi është tkurrur, ndërkohë që pesimizmi ka fituar terren, duke nisur kryesisht nga viti 2007 dhe me një tërheqje sërish, duke filluar nga viti 2011. Që prej vjeshtës së vitit 2011, parashikimet pozitive kanë njohur progres në opinionin publik evropian. I njëjti mekanizëm vepron edhe ndaj perspektivës profesionale, i testuar nga viti 1998 deri në vitin 2015. Por, më të prekurat duket se janë perspektivat financiare të familjeve, që kanë qenë më të dobësuarat vitet e fundit dhe ku pesimizmi për të ardhmen ka fituar terren që prej vitit 2008 dhe në mënyrë akoma më të ndjeshme, njeh përforcim që prej vjeshtës së vitit 2011. Optimizmi ka filluar të rishfaqet sërish duke dominuar mbi pesimizmin, vetëm duke nisur nga pranvera e vitit 2014.
Një sërë tendencash të qarta, që konstaton studimi, konfirmojnë faktin se projekti evropian vazhdon të ketë mbështetje me baza të forta nga qytetarët evropianë. Kjo, sa nëpërmjet identifikimit të tyre në shumicë dhe të qëndrueshëm në kohë, me vlerat themelore të demokracisë dhe lirisë në Union, sa me identifikimin e lartë të tyre si qytetarë evropianë, me elementë më të fortë përbashkues se sa veçues, po ashtu edhe nëpërmjet një ndërgjegjësimi në linja shumë të qarta mbi përfitimin e vendit të tyre, si pjesë apo anëtar i Unionit Evropian. Krizat ekonomike shfaqen në kohë si element i rëndësishëm i përkeqësimit sa të imazhit, por edhe të besimit që qytetarët evropianë i akordojnë Unionit, por merr gjithashtu një rëndësi të veçantë fakti që qytetarët shprehin në shumicë bindjen e tyre (që prej vitit 2009), se Unioni ka vepruar në mënyrë efikase, ndaj pasojave të krizës financiare dhe ekonomike, duke u mbështetur ideja, edhe pse në forma të luhatshme, për të vepruar në forma të koordinuara mes vendeve anëtare.
