Procesi zgjedhor për parlamentare e 2013 dhe institucionet përgjegjëse për administrimin e tij japin sinjalet e para për përplasje mes palësh. Ishte përballja e parë mes dy kampeve politike në institucionin qendro zgjedhor për një nga çështjet që lidhen posaçërisht me zgjedhjet e ardhshme parlamentare, konkretisht shpërndarja e mandateve të deputetëve, ajo që sqaroi deri diku raportet për besueshmërinë që kanë reciporkisht PD e PS në këtë komision. Amullia që përcolli në tërësi projektvendimin, e pasur me debatin, votimin e në fund dhe pretendimin e anëtarëve përfaqësues të PD-së në këtë komision, të lënë të kuptosh se procesi i afërt zgjedhor do të shoqërohet jo me pak kontestime. Por, duke mos shkuar shumë larg, ndalur në këtë moment, Partia Socialiste ka shfaqur shqetësimin e saj, mbi deklaratën e PD-së, e cila paralajmëroi për delegeminin e projektvendimit në Kolegjin Zgjedhor. “Nëse do të jetë Kolegji Zgjedhor institucioni që do bëjë ndarjen e mandateve të deputetëve për çdo qark, kjo do të ishte shumë e rëndë për besueshmërinë e procesit zgjedhor të 2013”, vuri në dukje deputeti socialist, Damian Gjiknuri. Ligjvënësi socialist i mëshoi me forcë faktit se ndarja e mandateve është ekskluzivitet vetem i KQZ-së, duke e argumentuar qëndrimin e tij pikërisht në nenin 24 të Kodit Zgjedhor, në pikën “ë” të tij, që përcakton se ndarja e mandateve quhet e miratuar, kur merr jo më pak se pesë vota në KQZ. “Kolegji, maksimumi që mund të bëjë është të detyrojë KQZ-në të marrë vendim, por KQZ-ja është në proces vendimmarrje dhe kuorumin e KQZ-së nuk e zëvendëson dot Kolegji. Janë nga ato lloj detyrash që nuk i ushtron dot gjykata, janë detyra të mirëfillta të administratës të ngarkuar me zgjedhjet. Përpara se të shkojmë në këtë lloj konflikti do të ishte më e udhës, më e pranueshme, më konsensuale që kjo çështje në ditët në vijim të zgjidhej, duke detyruar Ministrinë e Brendshme të japë informacionin e kërkuar”, propozi Gjiknuri. Madje, në po këtë linjë, deputeti i PS-së, shtoi se “nuk ka asnjë sekret, nuk mund të pranohen justifikime të tilla, ‘jemi para të dhënave konfidenciale’, pasi emri, mbiemri, vendbanimi, ditëlindja, të gjitha këto të dhëna publikohen në listën e zgjedhësve dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të marrë vendimin për ndarjen e mandateve, sido që të jenë ato shifra”. Ndërkohë që në gjykimin e socialistëve, nëse nuk ka një reflektim nga ana e Ministrisë së Brendshme lidhur me këtë kërkesë, atëherë do të ishte shumë të flitej për besim në zgejdhjet e 2013. Në këtë drejtim, Gjiknuri solli dhe një tjetër problematikë, konkretisht ajo e rritjes fiktive dhe te paligjshme të popullsisë. “Shqetësimi më i madh për ne është integriteti i regjistrit kombëtar të Gjendjes Civile dhe sjellja e shtetit ndaj procesit zgjedhor dhe nëse shteti shpreh mungesë totale të transparencës, fut duart, anashkalon një nga parimet e rëndësishme për neutralitetin e tij në procesin zgjedhor, këtu kemi të bëjmë me një problem shumë më serioz se sa fakti i qëndrimit të një mandati në Kukës, apo heqjes së një mandati në Berat”, sqaroi Gjiknuri, gjatë fjalës së tij. Gjithashtu, mungesa e një plani veprimi nga institucioni me i lartë zgjedhor dhe fshehja e qeverisë përballë detyrimit për të garantuar teknologjinë në zgjedhje në zonat pilot, ishte një tjetër shqetësim i PS-së. “Shoh një rol apatik të amdinistratës së KQZ-së dhe një rol struci, pra futje si struci në rërë të Qeverisë duke mos dhënë asistencën dhe ndihmën e duhur për këtë proces, megjithëse ka detyrime konkrete si Qeveria, ashtu edhe administrata e KQZ-së, KQZ-ja në vetvete për ta përfunduar këtë proces. Duhet theksuar që kjo është shumë e rëndësishme pasi zbatimi i teknologjisë ka qenë një nga shtyllat e marrëveshjes politike të materializuar në Kodin Zgjedhor. Çdo devijim nga ky angazhim do të çonte, do të hidhte hije të forta dyshimi mbi vullnet nga ana e Qeverisë për përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, vlerësoi Gjiknuri, sa i takon një çështje të tillë.
