Bien interesat e kursimeve

Saimir Lleshi

Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se interesat kanë rënë thuajse për të gjithë instrumentat kryesorë të kursimit.

Sipas Bankës, për depozitat njëvjecare, interesat kanë zbritur në 1.4 përqind duke qenë më të ulta edhe se inflacioni, ndërkohë që të njëjtën tendencë kanë ndjekur edhe depozitat më afatgjata.

Në dy vitet të fundit shumë kursimtarë janë mbrojtur duke i zhvendosur kursimet e tyre nga depozitat tek bonot e thesarit, por tani edhe këto instrumenta nuk janë më aq të leverdishme.

Në ankandin e radhës, interesat e bonove njëvjecare, mjeti i dytë më i preferuar i kursimeve pas depozitave, ranë në 1.85 përqind, çka përbën nivelin më të ulët historik. Ekspertët sqarojnë se interesat e ulëta të kursimeve janë rezultat i gjendjes në të cilën ndodhet ekonomia dhe tregu i brendshëm financiar.

“Në radhë të parë kjo situatë reflekton një tepricë të madhe likuditeti në tregun financiar dhe një kërkesë të ulët për para si për kredi ashtu dhe nga qeveria”, thotë Adrian Civici, ekspert ekonomie. Për shumë vite Shqipëria ka qenë gati një parajsë për ata që kursenin duke ofruar norma të larta fitimi.

Por tani ekonomia, ashtu si kudo në Europë ka hyrë në një epokë të re, atë të normave të ulëta e madje edhe negative të interesave. /Dita/

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *