Ndryshe nga vende të tjera, India ka përfituar nga rënia e çmimeve të naftës, duke kaluar Kinën në rritjen ekonomike
India është konsoliduar si një nga ekonomitë me normat më të larta të rritjes në botë, pasi u njoftua se në tremujorin e fundit, PBB-ja u rrit me 7.3%. Ajo parashikon që deri në fund të vitit financiar më 31 mars, rritja ekonomike vjetore do të jetë 7.6%, rezultati më i lartë në pesë vjet.
Kështu, India ka tejkaluar Kinën e cila në të njëjtën periudhë regjistroi normën më të ulët të 25 viteve të fundit, 6.9%. “Me ngadalësim e Kinës, India sigurisht që fiton në drejtim të rritjes ekonomike”, thotë Peter Boockvar, analist i tregut në “Lindsey Group”, i cituar nga CNBC .
Një nga faktorët kryesorë të kësaj rritjeje të paprecedent për ekonominë e tretë më të madhe në botë ka qenë rënia e çmimeve të naftës. India është një importuese neto e naftës dhe çmimet më të ulëta ndihmojnë në uljen e inflacionit.
Sajjid Chinoy, ekonomist dhe drejtor ekzekutiv i “JPMorgan” cituar nga “Financial Times” ka thënë se nafta ka qenë nxitësi kryesor i rritjes duke shtuar më shumë se 1% të PBB, pasi ka rritur fuqinë blerëse të individëve, kompanive dhe qeverisë.
Një faktor tjetër i rëndësishëm është edhe demografia, pasi gjysma e popullsisë së Indisë, pra gjysma e 1,2 miliardë personave, janë nën 25 vjeç. Pritet që deri në vitin 2020, të bëhet vendi më i ri në botë, që do të thotë jo vetëm më shumë krah pune, por edhe një treg më të madh të konsumit.
Megjithatë, disa analistë janë skeptikë në lidhje me këto rezultate, duke dyshuar te shifrat zyrtare. Fakti është se vitin e kaluar, Byroja Qendrore e Statistikave rishikoi metodën e saj të llogaritjes së PBB, që rriste të ardhurave për vitin 2013-2014 nga 4.7 në 6.9% dhe disa ekonomistë besojnë se rritja aktuale është e ekzagjeruar.
Disa vëzhgues besojnë se kjo shifër është fryrë dhe sektorë të tillë si teknologjia e informacionit janë të shëndetshme, ndërsa bazat thelbësore të tilla si bujqësia dhe prodhimi industrial nuk japin rezultate kaq të mira. /DITA
Leave a Comment
