Berat, zhduket prej dy muajsh një grua e varfër

Saimir Lleshi

Një grua 57-vjeçare rezulton e humbur prej dy muajsh në qytetin e Beratit. Policia ka bërë shpalljen në kërkim si të zhdukur pa gjurmë dhe adresë të Refie Avdiut dhe emri e fotografitë e saj i janë dërguar të gjitha pikave kufitare dhe komisariateve në vend.

Mirëpo bashkëshorti Kadri Avdiu thotë se deri tani nuk është bërë asgjë për gjetjen e saj dhe as ai vetë me kërkimet e tij nuk ka gjetur ndonjë gjurmë të saj.

Sipas 63-vjeçarit, gruaja ka dalë mëngjesin e 8 dhjetorit për të mbledhur kanoçe në qytet, aktivitet me të cilin mbahej ekonomikisht familja e varfër, e më pas nuk është kthyer më.

“Kemi një djalë të sëmurë dhe jemi të varfër, me atë punë mbaheshim. Por nuk u kthye më. E kam kërkuar gjithandej këto dy muaj. Jam interesuar çdo ditë në polici në Berat dhe Tiranë, por nuk më thonë asgjë”, – apelon 63-vjeçari.

Policia thotë se ka kryer hetime dhe kërkime dhe madje e ka shpallur të humbur 57-vjeçaren, për të cilën nuk ka asnjë vendndodhje. /DITA/

 

Share This Article