Faji i Xhonit, apo i xhepit…?

redaktor

Dyqanet e luleve kishin marrë një super furnizim për datën 14 shkurt. Eksperienca u kishte mësuar se në këtë datë, lulet shiten më shumë se çdo gjë tjetër. Dje, një ditë pas ditës së të dashuruarve, përgjigja që marrim nga luleshitësit në kryeqytet është e kundërta. Ata, pothuajse nuk e kanë ndjerë fare këtë festë, madje mund thuhet se ka qenë një ditë e zakonshme. Vitrinat e dyqaneve, ishin mbushur me arusha, zemra, tullumbace…të cilat gjenden sërish aty. Askush nuk i ka lëvizur.

“Dita” bëri një vëzhgim dhe pyeti disa nga dyqanet që tregtojnë lule për të kuptuar si dhe sa është dhuruar këtë 14 shkurt.

“Si këtë vit, nuk na ka bërë vaki asnjëherë – shprehet Ola, e cila punon pranë një dyqani në afërsi të stadiumit Dinamo. “Njerëzit nuk kanë mundësi ekonomike të blejnë lule, por ndikoi edhe vizita e Sekretarit të Shtetit Amerikan me bllokimin që iu bë rrugëve. Kishte më pak lëvizje dhe duke patur më pak lëvizje, kishte më pak shitje”- arsyeton ajo.

Blerësit potencialë më të zjarrtë për këto biznese janë të ardhurit. Ata që vijnë nga rrethinat për të festuar Shën Valentinin në kryeqytet blejnë më shumë lule. Pasi ata nuk kursejnë, janë emigrantë apo punojnë në biznese dhe nuk e kanë problem të marrin një buqetë me lule. Sipas shitëses, banorët e zonës përreth porosisin buqeta modeste.

“Nuk kishte lëvizje. Nuk kalonin njerëzit në rrugë. Kjo e bëri këtë të diel një ditë të zakonshme, aq a nuk dallohej nëse ishte një ditë feste”.

Buqeta me vlerë më të madhe që ajo ka shitur ka shkuar te 40 mijë lekë të vjetra. Ndërsa buqetat e tjera kanë shkuar te 20-25 mijë lekë.

4“Të shumtë ishin ata që vinin e merrnin vetëm një trëndafil të kuq dhe iknin. Të bësh një tufë me 20 lule të tilla kushton. Vetëm një është 2 mijë e 500 lekë të vjetra. Në ditë të zakonshme është 2 mijë. Në ditë festash, si kjo e Shën Valentinit i shtohet vlera. Këtë vit kishim shumë nga ata që merrnin vetëm një trëndafil…”.

Një nga dyqanet e luleve pranë Rrugës së Durrësit, edhe pse ishte përgatitur me të gjithë furnizimin është detyruar që të mbyllet, pasi ky ishte urdhri për shkak të vizitës së Sekretarit Amerikan të Shtetit. Së bashku me lëvizjet në rrugë, në këtë segment janë mbyllur edhe bizneset.

“Ditën e djeshme (të dielën) pothuajse nuk kemi punuar fare. E hapëm dyqanin në orën 15:00 të pasdites dhe ishte e kotë. Ata që kanë patur ndërmend të dhurojnë lule deri në atë orë, i kanë gjetur ato. Darka ishte shumë e vakët. Këtë vit nuk e ndjemë fare Shën Valentinin”- shprehet Afërdita, menaxhere e një dyqani lulesh pranë Kafe Florës në Tiranë.

“Një 14 shkurt i zbehtë” – thotë përfaqësuesi i një dyqani lulesh pranë Komunës së Parisit. Ai na tregon se për këtë datë u përgatitën 5 ditë përpara, duke ofruar edhe aksesorë të tjerë krahas luleve si arusha, tullumbace, kartolina etj., por që kërkesat dhe blerjet kanë qenë të vogla.

“Më pak shitje se të gjitha vitet e mëparshme. Njerëzit kishin mundësi të gjenin diçka duke nisur nga 1000 lekë dhe sipër, sipas mundësive. Ose edhe thjesht një degë luleje. Ka pasur shumë pak lëvizje” – tregon ai.

“Nëse vitet e mëparshme kemi patur porosi nga ato që ne i themi të “çmendura” këtë vit na munguan. Vitet e kaluara kemi mundur të bëjmë porosi edhe në vlera 200 apo 300 mijë lekë të vjetra. Këtë vit, nuk na ka ardhur asnjë e tillë. Munguan ‘çmenduritë’. Munguan lëvizjet” – thotë Marsi për Dita-n.

Ndërsa në disa nga dyqanet e rrugës “Myslym Shyri” tabelat e zbritjeve ishin afishuar që një javë më parë dhe manekinët ishin veshur me ngjyrën e dashurisë, shitëset e disa dyqaneve treguan se kanë pasur shumë pak njerëz të interesuar, tendencë që ato e shohin në ulje vit pas viti.

5“Ditë më parë, kishim klientë që madje hynin në dyqane për të blerë diçka, por jo për festën e 14 Shkurtit. Kanë munguar thuajse totalisht njerëz që të blinin për këtë festë” – tregon shitësja e një dyqani. Të njëjtën tendencë e pohojnë edhe tregtarët e tregut çam, madje tregojnë se çmimet kanë qenë të leverdisshme, mirëpo blerësit kanë munguar.

Pothuajse të gjithë mendojnë se edhe vizita e Sekretarit të Shtetit Amerikan, John Kerry ka ndikuar në mungesën e blerjeve, duke qenë se bllokimi i lëvizjeve të mjeteve në disa nga akset kryesore në kryeqytet, ka penguar lëvizjen e lirë të individëve.

Bizneset këtë panoramë na tregojnë, ndoshta, mund të jetë dhuruar një gjë më shumicë, dashuria… vallë te jetë kjo arsyeja që kanë rënë blerjet e luleve!?

6

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *