Bosnjë-Hercegovina ka depozituar dje (15.02.2016) zyrtarisht kërkesën për aderim në Bashkimin Evropian. Një moment i rëndësishëm për vendin, që përtej vështirësive funksionale që mbart, po i përgjigjet vullnetit zhbllokues evropian, për të avancuar më tej drejt perspektivës së përbashkët evropiane.
“Ne shikojmë se fqinji ynë i parë, Kroacia është tashmë anëtar i BE-së. Mali i Zi dhe Serbia janë gjithashtu në rrugën e integrimit të BE-së. Bosnjë-Hercegovina bën gjithashtu pjesë në këtë kontinent!”, do të deklaronte anëtari kroat i Presidencës Kolegjiale të Bosnjë-Hercegovinës, Dragan Çoviç, gjatë depozitimit të aplikimit, presidencës holandeze të BE-së. Një aplikim, që sipas tij shikohet si: “Një mundësi për të demonstruar se, ne mund të reformojmë vendin tonë, në dobi të të gjithë qytetarëve” (…)
Por, edhe pse Bosnja depozitoi kërkesën për aderim në BE, kjo nuk do të thotë se ajo do të jetë shumë shpejt pjesë e BE-së. Të paktën për sa kohë filozofia e “lodhjes” dhe e bllokimit të zgjerimit, do të dominojë axhendën politike të shpallur nga kreu i KE-së, Junker. Gjithsesi, është i rëndësishëm fakti që edhe pse u deklarua një lloj bllokimi për zgjerim të mëtejshëm të Unionit, trysnia që shkaktojnë faktorë të jashtëm, që kërkojnë penetrim, influencë dhe dominim në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në pjesë të caktuara të tij, pa neglizhuar këtu edhe efektin përkeqësues që shkakton kjo lloj bllokade, në jetën e brendshme politike, ekonomike dhe sociale të këtyre vendeve, pati një reflektim evropian, që ndër të tjera çoi edhe në zhbllokimin e Bosnjë-Hercegovinës.
Zhbllokim që u bë i mundur, duke zhvendosur në një axhendë të mëtejshme modifikimet e natyrës juridike, që impononte vendimi i GJEDNJ-së, mbi çështjen Sejdiç-Finci. Një shtyrje e mëtejshme në axhendë, por në shkëmbim të angazhimeve të qarta dhe konkrete nga politika e Bosnjës, për të vazhduar me kryerjen e një sërë reformash, që i nevojiten vendit. Dhe ky proces i nisur në dhjetor të vitit 2014, çoi gradualisht në futjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit më 1 qershor 2015, që zëvendësoi njëkohësisht Marrëveshjen e Përkohshme, që ishte në fuqi që prej vitit 2008. Në muajin korrik, Bosnja miraton një Axhendë reformuese me synim përballjen me situatën e vështirë socio-ekonomike në vend, si edhe për të avancuar më tej me reformimin e administratës publike dhe sistemit gjyqësor.
Progres raporti i KE-së që u publikua në muajin nëntor, ishte i rëndësishëm pasi mbarte nota pozitive, duke vlerësuar tashmë se, Bosnja i është kthyer rrugës së reformave. Por, që BE të konsiderojë aplikimin për anëtarësim kërkohet një progres kuptimplotë në implementimin e kësaj axhende reformuese. Ndonëse zhvillimet konsiderohen si pozitive, BE tërhiqte vëmendjen mbi iniciativat politike, që vinin nga serbët e Bosnjës, pra nga Republika Srpska, kryesisht mbi tendencat për të zgjidhur problematika të ndryshme, në forma të njëanshme. Kjo, pasi Asambleja Kombëtare e Republikës Srpska kishte miratuar në muajin korrik, një vendim për të mbajtur një referendum mbi gjyqësorin në nivel shtetëror të Bosnjë-Hercegovinës. Një Marrëveshje, që dilte tërësisht jashtë kuadrit të angazhimeve të nënshkruara në muajin shkurt dhe që do të bënin të mundur avancimin e mëtejshëm të Bosnjës, drejt rrugës evropiane. Dhe për më tepër sipas Unionit, problemet në fushën e gjyqësorit, duhet të adresohen kryesisht në Dialogun e Strukturuar mbi Drejtësinë.
Më në detaje, vlerësimi i KE-së mbi Bosnjën, sidomos në lidhje me kriterin politik, veçonte zgjedhjet e përgjithshme të tetorit 2014, duke i vlerësuar ato me nota pozitive, të administruara në mënyrë efikase, si edhe të mbajtura në mënyrë të rregullt dhe në një mjedis konkurrues. Asambleja Parlamentare e Bosnjë-Hercegovinës vlerësohet gjithashtu se, ka filluar të funksionojë dhe të jetë efikase mbi axhendën legjislative. Axhenda Reformuese e miratuar, që synon kryerjen e reformave të mëdha socio-ekonomike, ka shënuar gjithashtu progres fillestar në zbatimin e saj. Por, bashkëpunimi ndërmjet niveleve shtetërore, entiteteve dhe parlamenteve duhet përmirësuar. Një bashkëpunim më i ngushtë kërkohet gjithashtu ndërmjet gjithë niveleve të qeverisë.
Nga ana tjetër edhe fusha të tjera kanë njohur një përmirësim, si p.sh. sistemi gjyqësor që ka njohur një lloj niveli përgatitje. Është miratuar reforma e sektorit strategjik të gjyqësorit, që duhet të njohë zbatim në terren. Edhe në luftën ndaj korrupsionit, ka një lloj përgatitje sidomos me miratimin e Planit të Veprimit dhe të Strategjisë Anti-Korrupsion, që mbulon periudhën 2015-2019. Por, një sërë sfidash shfaqen ndaj Bosnjës, si në përmirësimin e mëtejshëm të luftës ndaj korrupsionit, por edhe ndaj krimit të organizuar, hetimeve dhe ndjekjeve penale që duhet të jenë më konkrete dhe efikase. Përballja me këto sfida shtrihet edhe në fushën e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së minoriteteve. Sidomos me vëmendjen që duhet t’i kushtohet përkeqësimit, që ka njohur gjatë kohës së kryerjes së raportit, liria e shprehjes.
Me një papunësi prej 27.6%, nga ku 62.7% e tyre shtrihet tek të rinjtë, sfidat në fushën ekonomike, sipas progres raportit, janë shumë të forta duke marrë parasysh edhe faktin se Bosnja gjendet në një fazë të hershme të zhvillimit të një ekonomie tregu funksionuese. Vendi vlerësohet gjithashtu në një fazë të hershme në reformimin e administratës publike, që konsiderohet tepër e politizuar dhe me një shërbim jo cilësor ndaj qytetarëve të saj.
Edhe kriteri, që kishte bllokuar Bosnjën nga BE dhe që lidhej me zbatimin e detyrimeve, që burojnë nga legjislacioni i GJEDNJ-së, ritheksohet sërish si një thyerje në nivel kushtetues ndaj Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Në tërësi, bazuar në vlerësimin që jep progres raporti i Komisionit Evropian, sigurisht që Bosnja duhet të përballet me një sërë sfidash tejet të vështira. Por, është shumë i rëndësishëm fakti se tashmë kemi një vijimësi në konfirmimin e një vullneti të qartë dhe angazhues nga të dy palët. Si nga politika e Bosnjës, nëpërmjet shenjave të para të fillimit të zbatimit të axhendave reformuese, pavarësisht sfidave të forta që shfaqen, por mbi të gjitha nga politika evropiane, nëpërmjet vullnetit reflektues dhe angazhues të saj, që nuk do të mungonte të konfirmohej sërish edhe nga shefja e diplomacisë evropiane Mogerini dhe Komisioneri i Politikave të Fqinjësisë dhe Negociatave të Zgjerimit Hahn. Konfirmim, me një theksim të veçantë në terma të sigurisë dhe të reflektimit historik, për nevojshmërinë e një kontinenti të bashkuar dhe në paqe:
“ Vetëm 20 vite më parë, ishte në Ballkan, aty ku u shkrua një nga faqet më të shëmtuara të historisë evropiane. Sot, ne festojmë një tjetër hap, drejt një kontinenti të bashkuar dhe në paqe..(…) Dhe ne kemi nevojë për bashkim në kohë të vështira. Tek disa forca përmes kontinentit tonë, po venë në dyshim ekzistencën e vërtetë të Unionit tonë, aplikimi i Bosnjë-Hercegovinës tregon se, nevoja për një kontinent të bashkuar evropian, është ende e fortë mes popujve tanë.” (…)“Ende ka plagë që duhet të shërohen. Por, së bashku ne mund të ndihmojmë njëri-tjetrin për të ecur përpara, drejt një të ardhme pajtimi. Së bashku, ne mund të ndërtojmë një kontinent Evropian më të fortë, ku të gjithë komunitetet të jetojnë pranë njëri-tjetrit dhe të bashkëpunojë përtej ndarjeve etnike, kombëtare dhe fetare. Njëzet vite pas luftës, është koha për të parë përpara drejt së ardhmes sonë të përbashkët, në një Evropë vërtet të bashkuar” (dekl. 15.02.2016) /im.ta/
Shkrime të tjera:
Ballkani në fokus, Bosnjë-Hercegovina
