Kukësi në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë për të 4-tin sezon rradhazi. Verilindorët përmbysën humbjen 1-0 të ndeshjes së pare, duke triumfuar me rezultatin 2-0 ndaj Teutës në “Zeqir Ymeri”.
Një takim i vendosur nga mbrojtja, pasi ishin pikërisht dy titullarët e qëndrës së prapvijës kuksiane, Ylli Shameti dhe Renato Malota ata që realizuan golat e kualifikimit për Kukësin. Një kualifikim i arritur në një moment të vështirë, që mund të shërbejë si një pikë kthese për sezonin e Kukësit. Tashmë trajneri Klodian Duro mund të ndihet më i qetë.
Kukësi e dëshironte me çdo kusht kualifikimin dhe për këtë arsye presidenti Safet Gjici kishte hapur dyert e stadiumit për të patur një mbështetje sa më të madhe nga tifozeria kuksiane. Në “Zeqir Ymeri” sfida nisi me verilindorët më kërkues.
Gjithsesi skuadra e Duros e kishte të vështirë të gjente hapësira në mbrojtjen e Teutës dhe minutat e para i shërbyen më shumë Kukësit për të studiuar lojën e kundërshtarit. Rastin e parë të vërtetë në këtë sfidë Kukësi e krijoi në minutën e 20-të.
Kroati Matija Dvornekovic përfitoi nga një top i mbetur në zone, duke goditur fluturimthi, megjithatë tentativa e tij mori kundërpërgjigjen e shkëlqyer të Shpëtim Moçkës. Nuk vonoi shumë dhe verilindorët arritën të zhbllokonim shifrat me Ylli Shametin.
Krosim i Biringuetës nga këndi, në qëndër të zonës Ylli Shameti kërceu më lart se të gjithë dhe me një goditje të saktë me kokë realizoi golin e epërsisë për Kukësin. Festë e ligjshme në shkallët e “Zeqir Ymerit” pas këtij goli të qendërmbrojtësit gjirokastrit.
Vetëm disa sekonda më pas Izair Eminit iu paraqit mundësia e golit të dytë, por goditja e sulmuesit shqiptaro-maqedonas nga një pozicion i prirët pas asistit të Dvornekovic ishte e dobët dhe u prit pa vështirësi nga Moçka.
Për të parë një rast të Teutës në këtë sfidë duhej pritur minuta e 43-të, kur Nijas Lena tentoi nga limitet e zones, por goditja e tij përfundoi jashtë. Edhe pas pushimit Kukësi kishte më shumë inciativë. Në minutat e para të pjesës së dytë Izair Emini pretendoi për një penallti, por arbitri kryesor Lorenc Jemini lejoi vazhdimin e lojës.
Në të 61’ ishte rradha e Eri Lamçes për të provuar goditjen drejt portës së mbrojtur nga Koci, por goditja me kthesë e futbollistit të Teutës ishte pasaktë. Frika e pësimit që do ti nxirrte jashtë Kupës bëri që të dy skuadrat të ishin shumë të kujdesshme gjatë minutave në vazhdim dhe ritmi i lojës ra ndjeshëm. Në të 80-tën gjithsesi provoi Dvornekovic, por goditja e tij me kokë ishte e gabuar.
Në të 85-tën provoi edhe i sapofuturi në lojë, braziliani Jean Carioca, por goditja ishte tërësisht e pasaktë. Megjithatë për të ngritur peshë të tifozët e shumtë në “Zeqir Ymeri” mendoi një tjetër qëndërmbrojtës, pikërisht kapiteni Renato Malota, i cili përfitoi nga një dalje e gabuar pas harkimit të Erick Flores duke realizuar golin e dytë dhe atë të kualifikimit për Kukësin.
Në minutat e mbetura reagimi i Teutës mungoi dhe vërshëllima e fundit e Jeminit vulosi kualifikimin e Kukësit në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë.
Pas 2 finaleve të humbura në 2 sezonet e fundit për Kukësin ndoshta ky mund të jetë viti i duhur për të triumfuar në këtë kompeticion.
