Videoja konfirmon: ISIS po tentonte sulm bërthamor

Ornela

Policia belge ka gjetur prova se terroristët e ISIS të lidhur me autorët e atentateve në Paris, përgjonin sektorin bërthamor të Belgjikës

Hetimet e autoriteteve belge pas atentateve të Parisit më 13 nëntor kanë zbuluar një informacion të papritur dhe thellësisht shqetësues. Sipas portalit “La Derniere Heure” dhe konfirmimeve të prokurorisë federale, mes materialeve të sekuestruara këto muaj ekziston një video që konfirmon se terroristët dhe bashkëpunuesit e tyre kanë ndjekur lëvizjet e Drejtorit të Programit të Hulumtimit dhe Zhvillimit bërthamor belg.

A po përgatisnin ata një atentat kundër ndonjë centrali bërthamor? Sipas Prokurorisë është shumë “e nxituar” arritja në këto konkluzione, por policia po punon mbi disa hipoteza. Sipas portalit, regjistrimi ka një kohëzgjatje “jo më pak se 10 orë” ku shihen lëvizjet e zyrtarit, identiteti dhe përgjegjësitë e të cilit nuk janë konfirmuar nga autoritetet federale. Regjistrimi i realizuar nga një kamerë e fshehtë kanë përgjuar derën e një shtëpie të panjohur në rajonin e Flandesit.

Mendohet se shtëpia është e përgjegjësit të hulumtimeve bërthamore në vend, sipas portalit. Policia ka kryer një hetim të gjerë ku ka zbuluar se kamera e fshehtë ishte vendosur midis pemëve që ndodheshin pranë shtëpisë së personit të përgjuar. Sipas të dhënave paraprake nuk dihet me saktësi se kur është kryer ky përgjim. Megjithatë burimet e “Derniere Heure” janë të sigurt se kriminelët që përgjonin drejtorin e programit bërthamor belg janë të lidhur me Shtetin Islamik dhe ishin bashkëpunëtore të terroristëve të Parisit, gjë që nxjerr në pah sipas tyre se sa vulnerabël është sistemi i sigurisë bërthamore në Europë.

Më 13 nëntor të 2015-ës tre grupe terroriste të koordinuara kryen një sërë atentatesh në Paris. Tre xhihadistë u hodhën në erë pranë Stadiumit të Francës, ku zhvillohej një ndeshje miqësore mes skuadrave të Francës dhe Gjermanisë. Grupi i dytë, që mendohet se përbëhej nga katër persona, sulmoi lokale dhe restorante në verilindje të Parisit dhe tre terroristë të tjerë morën pengje dhe vranë qindra persona në sallën e koncerteve Bataklan.

Që nga nëntori policia ka kryer dhjetëra operacione për të identifikuar autorët e sulmeve dhe bashkëpunëtorët e tyre. Megjithatë shumë pak persona janë çuar para drejtësisë, pavarësisht se janë arrestuar më shumë se 100 vetë. I dyshuari kryesor dhe personi më i kërkuar nga Europoli është Salah Abdeslman, i cili ishte kthyer në Bruksel mëngjesin tjetër pas sulmeve. /DITA

Share This Article
1 Comment
  • Niveli i artit luftarak i bote sot asht i admirushem.Do brakushzez arrijne deri tek ideja per te kryer shperthime berthamore.Asht katastrof,fatalitet.Qe e lejojne dhe nuk e fusin ne kllapa te pakten brenda muajit.Per ta shuar sikur te mos kish ekzistue ndonjihere mbi planet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *