Koncesionet dhe Partneriteti Publik-Privat (PPP), janë termat më të përdorur kohët e fundit. Për shkak të saktësimit se çfarë jepet dhe jo me koncesion apo PPP, në kuvend pritet të miratohen disa ndryshime në ligjin nr.125/2013 “Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat”, të ndryshuar.
Ndryshimet konsistojnë kryesisht në mënyrën e funksionimit të komisioneve apo të studimit të fizibilitetit. Sipas këtyre ndryshimeve komisioni i koncesionit/partneritetit publik privat harton studimin e fizibilitetit për koncesionin ose PPP dhe e paraqet për dhënien e vlerësimit të alternativës tek Ministria e Financave, Ministria që mbulon çështjet e ekonomisë dhe Avokatura e Shtetit.
Vetëm pasi merret miratimi prej këtyre institucioneve hartohet dokumentacioni i tenderit. Në rast se institucionet e përmendura në pikën 6 të këtij neni, konfirmojnë leverdishmërinë ekonomike të koncesionit apo PPP si alternativën më të leverdishme ekonomikisht në krahasim me prokurimin publik, autoriteti kontraktues vijon procedurat e mëtejshme sipas këtij ligji.
Në rast se këto institucione i vlerësojnë këto projekte si jo të leverdishme ekonomikisht, autoriteti kontraktor ndërpret procedurën e dhënies së koncesionin apo PPP. Po kështu në nenin 26 të ligjit të koncesioneve shtohet dhe një pikë e cila thotë se “për procedurat e koncesionit/partneritetit publik privat, kohëzgjatja e të cilave është mbi 4 vjet, kontrata hyn në fuqi pasi ratifikohet nga Kuvendi i Shqipërisë”.
