“Ne kurrë nuk kemi luftuar për tokën, por për… jetën”

redaktor

“Unë jam shqiptar, por jam dhe rom. Jam rritur mes dy kulturash. Gjuha ime e parë ka qenë romishtja, më pas shqipja. Prezantoj artin shqiptar, por dhe identitetin e kulturës rome”. Kemi folur me Sead Kazanxhiun, i cili këto ditë është i zhytur në punë, së bashku me mikun e tij Benard Lekgegaj. Ata janë duke punuar një ansambël skulpturor që do të ekspozohet në Parlamentin e Evropian me rastin e 45 vjetori të kongresit të parë të romëve.

29-vjeçari është ndër të rinjtë rom më të angazhuar dhe si armë për të luftuar për të drejtat, por edhe mbi paragjykimet, ka artin.

Rrugëtimi i tij nuk ka qenë i thjeshtë. Ai vjen nga një familje e varfër nga Baltëza e Fierit, ku punonte vetëm babai. Kuptohen vështirësitë ekonomike që ka përjetuar familja Kazanxhi. Në këtë situatë, miku më i mirë për Seadin, mes talentit i cili e thërriste dhe familjes së varfër, ishte këmbëngulja për të ecur përpara në rrugën e artit. Ai ka studiuar në Akademinë e Arteve në Tiranë, më pas ka shkuar në Budapest, në Hungari për të ndjekur një specializim. Vendimi për t’u kthyer në Shqipëri nuk e ka munduar aspak pasi ai kërkon të kontribuojë për komunitetin të cilit i përket. Këtë gjë është duke e bërë dita-ditës. Momentalisht ka të hapur një ekspozitë në Qendrën Kulturore Tulla dhe po përgatitet për 8 Prillin, Dita Ndërkombëtare e Romëve. Sipas tij në këtë ditë do të mësojmë si dhe ku do të ruhet kultura rome, e cila gjatë gjithë këtyre viteve, është mbajtur gjallë vetëm në familjet e tyre.

Ai është një artist, të cilit nuk i mungojnë ngjyrat e forta në pikturë. Në këtë bisedë për Dita-n, Seadi rrëfehet…

-Sead, ju shohim në momente pune, çfarë është skulptura që keni në dorë?

Për momentin jam duke bërë një ansambël skulpturor të momentit të kongresit të parë botëror të romëve, i cili u mbajt në Londër në 8 Prill 1971. Këtë punë dhe vepër jam duke e punuar së bashku me artistin Benard Lekgegaj. Jam shumë i lumtur për bashkëpunimin me Benardin sepse simbolika e këtij bashkëpunimi mbart dhe njohjen e historisë së njëri-tjetrit. Ne jemi shtetas shqiptarë, njëra anë di për historinë e tjetrës ndërsa tjetra jo. Këto skulptura do të ekspozohen në Parlamentin e Evropian me rastin e 45 vjetorit të kongresit të parë të romëve.

-Gjithmonë është diskutuar për problemet e komunitetit rom, edhe këto ditë, ç’mund të na thoni si përfaqësuesi i këtij komuniteti?

Arma ime më e fuqishme është arti, dhe sigurisht unë jetoj me të mirat dhe problematikat që komuniteti të cilit i përkas dhe përballem çdo ditë, duke përfshirë këtu situatën aktuale të strehimit dhe dëbimit me forcë.

Unë kam hapur një ekspozitë në “Tulla Center” në datën 12 Shkurt. Ekspozita titullohet “Perpetuum Mobile”, e cila mbart nocionin e lëvizjes permanente, gjë që është utopike për t’u arrirë. Ekspozita do jetë ende e çelur deri më 1 Mars 2016, dhe atje ju mund të gjeni një performancë instalacion e cila titullohet “Zgjidhje për t’u bërë dhe çmim për t’u paguar”. Në performancë jam unë që gatuaj me baltë dhe shkruaj në mure, në gjuhën rome “Rromani phuve” (Toka Rome). Të gjitha këto i thashë për të treguar se unë me anë të artit flas. Ajo çka bëj është një lloj provokimi ndaj situatës aktuale ku ne ndodhemi, sepse deri sa nuk ekziston një territor i tillë, atëherë ne ku do të shkojmë? Ne asnjëherë nuk kemi luftuar për tokë, por kemi luftuar me jetën për të jetuar dhe tani është moment për të luftuar dhe për tokën.

Sead Kazanxhiu
Sead Kazanxhiu

-Sead, na trego diçka për fëmijërinë tënde, ku je rritur?

Kam qenë fëmijë që kërkoja të mësoja për çdo gjë që shihja, duke e ditur se isha ndryshe nga të tjerët, gjithmonë kurioziteti më shtynte dhe të kërkoja se kush isha, kjo pyetje më ka ndjekur gjatë gjithë kohës. Unë jam lindur dhe rritur në Baltëz, Fier, fshati për të cilin flas gjithmonë.

-Cila është gjuha jote e parë?

Gjuha ime mëmë është romishtja, unë shqipen e kam filluar ta mësoj në çerdhe dhe kopsht e pastaj në shkollën fillore.

-Megjithatë, ja ke dalë që të jesh një i ri i angazhuar, je marrë me aktivitete dhe vazhdon të merresh, pjesa e madhe e tyre, në mbrojtje të kauzave rome… na trego pak për këtë rrugëtim tëndin?

Unë nuk jam i vetmi rom që është shkolluar, ke shumë romë të tjerë që kanë bërë arritje më të mëdha se unë, si kandidat për PDH etj. Por dëshira ime më e madhe është që diskutimi për arsimimin e romëve të mos fokusohet në numra, por në arritje dhe punësimin e tyre, sepse ka shumë romë që përfundojnë studimet e tyre dhe ngelen pa punë. Nuk po flas për studentë me nivel mesataresh të ulëta, por për studentë që janë ekselentë. Sot jo vetëm romët, por dhe pjesa e mazhorancës më shumë shpresën e ka te organizatat dhe Call Centerat se sa në institucionet publike, sepse këto të fundit nuk të ofrojnë mundësi.

-Gjithashtu Sead, ne dimë që ti udhëton shumë në konferenca dhe ekspozita jashtë vendit, si është jeta jote në udhëtim?

Të them të drejtën në fillimet e mia mezi prisja të udhëtoja, por vjen një moment kur kjo kthehet në një lloj rutine të lodhshme sidomos kur janë udhëtime të shpeshta brenda muajit. Për sa i përket përfaqësimeve të mia si artist rom dhe shqiptar, më e fundit ka qenë në Bienalen e Goteborgut, ku përveç të qenurit artist rom unë gjithmonë mbaj të veshur dhe petkun e të qenit artist shqiptar, për të cilën jam shumë i lumtur sepse e shoh si lloj kontributi të përmendurit të vendit tim jashtë Shqipërisë.

-Ç’mund të na thoni për kulturën rome, sa e pasur është ajo, dhe cila është ajo gjë që ende nuk e kemi zbuluar nga romët?

seadi duke punuar skuplturenKultura rome si të gjitha kulturat e tjera është e pasur, por ndryshe nga kulturat e tjera, ajo rome nuk ka pasur fatin të institucionalizohet dhe të motivohet për t’u kultivuar. I vetmi institucion që ne romët kishim për sa i përket kulturës sonë ishte familja jonë dhe fal asaj ne kemi çfarë kemi sot. Të flasësh për kulturën rome është përgjegjësi e madhe sepse është sikur të thuash që Apolonia është zbuluar e gjitha. Unë jam pjesë e një Aleance për Europën “Roma Institute for Art and Culture”, dhe ne jemi bashkëthemelues të këtij e institucioni së bashku me Këshillin e Europës dhe Fondacionin Soros. Promovimi i këtij institucioni për 8 Prill, do jetë një ditë historike për ne, sepse për herë të parë romët do kenë një institucion që do të kujdeset për kulturën, artin dhe historinë rome si dhe do të stimulojë kultivimin e kulturës sonë.

-Ndoshta pyetje bezdisëse, por vlen të bëhet, je ndjerë ndonjëherë i paragjykuar?

Pyetja që ju ngrini besoj se mund të jetë retorike. Unë besoj se nuk ekziston njeri që nuk është paragjykuar ndonjëherë në jetën e vet, por kjo varet nga individi se si e kapërcen këtë. Unë jam person ‘arrogant’ dhe e respektoj veten për vlerat që kam si individ, por dhe jam shumë krenar për origjinën që kam. “To be Roma is cool” thotë një mikesha ime.

-Sead, sa ndikon origjina në artin që ti sjell?

Gjatë këtyre viteve kam marrë pjesë në shumë ekspozita, si personale po ashtu dhe kolektive, brenda dhe jashtë vendit. Për sa i përket pikturës time ajo konsiston më shumë në mendim dhe koncept. Të qenurit artist rom shqiptar është fokusi kryesore i kërkimeve të mia artistike.

Share This Article
8 Comments
  • E pershendes dhe e pergezoj kete djale qe megjithse se njoh ,nga shrimi ne gazete mendoj se eshte nje person me vlera njerzore dhe me virtyte,ka ambicje te mira ne jete dhe po ecen me vullnet per te arritur objektivat e tij .
    Gjithashtu po mundohet te ruaj dhe te institucionoje kulturen rome.
    BRAVO

    • Gjetjet e Enteles ne personazhe domethenes shpesh here me habisin.Eshte nje gazetare e holle investiguse .Por edhe shenjestrat e investigimit te Enteles si puna e ketij djalit Rom, Seadit te Baltezes jane shume interesante .Nuk kisha degjuar me pare per rom skulptor por dhe nje interviste rome me plot mendim si kjo. Bravo Entela por dhe ti Sead e meriton nje nderim te forte. Qenke nje djale i mencur qe ja rrit vlerat komunitetit tend. Babai im i ndjere ks pasur mjaft shoke nga komuniteti juaj qe banojne ne Pogradec. Edhe sot nuk me ikin nga mendja vajet e plakut Haxhi te komunitetit tuaj kur im ate u nda nga jeta… Nderime dhe suksese Sead ! Nderime Entela ! Je pararoja e gazetareve femra !

  • i uroj gjithe te mirat ketij qytetari te ketij vendi. Si shqiptar kemi shume per te bere qe edhe komuniteti rom i shqiperise te kete zhvillimin dhe te drejtat si ne.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *