Letër e nënshkruar
Vlash Laçka
Politikanët dhe ajo pjesë e medias që zvarritet pas tyre, duke u hedhur sa nga një degë në tjetrën, kanë krijuar një amulli në masën e njerëzve, gjë që prodhon një situatë çoroditëse dhe pështirosje për politikën. Si nuk pamë një lider apo politikan kryesor, përfshirë këtu edhe një kategori analistësh që pushtojnë emisionet si opinionistë, që të përdorin shprehjen “Për mendimin tim….”. Kushdo që ka bërë një analizë apo studim të mirëfilltë, e di se një konkluzion thelbësor, për rrjedhojë edhe rekomandimi që jep, varet plotësisht nga saktësia e bazës së të dhënave (informacionit që disponon). Por e keqja është se veç inkompetencës, bëhet qëllimisht një copëzim i informacionit, duke marrë vetëm atë pjesë të tij që i shërben modelit të paraformuar në favor të asaj force politike që i shërben. Kjo në fakt është një formë e mashtrimit politik. Të gjithë e kanë të qartë se këtë popull e shpëtoi ndryshimi i sistemit dhe iniciativa e lirë e ekonomisë së tregut, ndërsa fatkeqësinë që nuk arritëm atje ku duhet e ka sjellë qeverisja, vizioni mediokër i saj, investime pa studime të mirëfillta të fizibilitetit dhe korrupsioni i shfrenuar.
