Letër e nënshkruar
Grup punonjësish të pushuar
Deputeti socialist T. Balla në replikën e tij të enjten në Parlament me “të keqen apo mallkimin tonë” Salinë, i kujtoi këtij për një nepotizëm të qeverisjes vendore në Pogradec. Kryetari i Bashkisë Edi Kapri, i cili fitoi zgjedhjet vendore të 2015-ës, pa ngrohur mirë kolltukun filloi të vërë në jetë planet e tij “në të mirë të qytetareve” duke hapur dyert për punësim, por me një ndryshim, të heqë të vjetrit si “të konsumuar” dhe t’i zëvendësojë këta me të rinj taze “të pakonsumuar “.
Madje i ka gjetur të pakonsumuarit, shembull drejtori, ndryshe nipi i tij, është i sapodalë nga fabrika, “me 0 km”, pra “i ri kërcë”. Po kaq i ri qenka dhe shefi i kabinetit, d.m.th. djali i tezes e kështu me radhë. Nuk është për t’u çuditur shumë nga ky veprim i këtij lloj kryetari. A nuk ishte Basha që në krye të Bashkisë së Tiranës që hoqi nga puna edhe fshesaren? Ne këtej kemi një shprehje popullore, “me kë usta të biesh, ashtu usta do të bëhesh”.
Por kryetari i Bashkisë pavarësisht manovrave, është në konflikt interesi, bizneset e tij janë të fuqishme, duke filluar me gradaçelën në qendër të qytetit, më pas me një “godinë biznes” në kurriz të kishës së re që i rri kësaj si çiban, një tjetër ndërtesë shumëkatëshe ngjitur me muzeun e vjetër, dhe tani një tjetër ndërtim shumëkatësh në lulishten e vetme të kësaj lagje ku ishte busti i Heroit të Popullit, Reshit Çollaku.
Ajo që do i thosha z. Balla është se, n.q.s e quan detyrë të kryer vetëm konstatimin e këtij nepotizmi, atëherë mos shaj Blushin që nuk e justifikon votën e mbi 1 milion shqiptarëve. është në nderin tuaj dhe të kësaj mazhorance t’i thotë stop, duke i ndalur dorën këtij harbuti. Në të kundërt qytetarët do të dinë si të japin përgjigje për këtë veprim, si atij dhe juve nesër. Pogradeci nuk është republikë më vete, por është pjesë e Republikës së Shqipërisë. Faleminderit Dita!
